Rtv Pendimi
Lajme

Ndotja e ajrit mund të shkaktojë “mjegulla vrasëse” në qytetet e mëdha

Nëse problemi i ndotjes së ajrit vazhdon të përkeqësohet, sipas ekspertëve, qytetet e mëdha botërore mund të përjetojnë fatin e Londrës në vitin 1952, kur deri në 12.000 njerëz vlerësohet se kanë vdekur nga mjegulla e dendur që mbuloi qytetin.

Më 5 dhjetor të atij viti, një sistem i motit të presionit të lartë shkaktoi që ajri i ftohtë të bllokohet nën ajrin e ngrohtë. Si rezultat i kësaj, emetimet nga fabrikat dhe zjarret e amvisërive nuk mund të lëshoheshin në atmosferë dhe mbetën të bllokuara në afërsi të nivelit të tokës, duke prodhuar mjegullën më të keqe në histori të shkaktuar nga ndotja.

“Ajri i ftohtë, niveli më i lartë i karburantit i përdorur për ngrohje, mjegulla e ftohtë e ndotur dhe tymi si rezultat i ndotësve të bllokuar në nivelin e tokës shkaktuan një fatkeqësi të madhe për mjedisin”, thotë për Anadolu Agency (AA) Hüseyin Toros, ekspert i shkencave atmosferike dhe cilësisë së ajrit në Universitetin Teknik të Stambollit.

Toros thotë se nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme, incidenti vdekjeprurës i njohur si “Mjegulla e madhe e Londrës”, mund të jetë fati i qyteteve të tjera të mëdha në të ardhmen. Gjatë “Mjegullës së madhe të Londrës”, rreth 4.000 deri 12.000 njerëz humbën jetën brenda pesë ditëve, kryesisht fëmijë, të moshuar dhe njerëz me probleme me frymëmarrjen.

“Në shekullin e fundit, ndotja e ajrit ka shënuar rritje, veçanërisht gjatë dimrit për shkak të urbanizimit dhe industrializimit intensiv dhe të paplanifikuar, rritjes së numrit të automjeteve me motor fosil dhe përdorimit të karburanteve me cilësi të ulët”, thotë ai.

Duke e definuar ndotjen e ajrit si një rritje e substancave të dëmshme në ajër për shkak të ndotësve të lëshuar në atmosferë si rezultat i aktiviteteve njerëzore dhe ndodhive natyrore, ai thotë se është një problem serioz që ndikon negativisht në jetën e gjallesave në përgjithësi dhe shkakton humbje ekonomike si dhe dëme fizike.

“Ndotja e ajrit shkakton rreth 7 milionë vdekje çdo vit dhe 9 nga 10 persona thithin ajër të ndotur”, thotë Toros, duke cituar raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ai shtoi se rreth 1 milion lloje të kafshëve dhe bimëve janë në rrezik të zhdukjes si rezultat i përdorimit abuziv të burimeve.

Duke folur për cilësinë e ajrit në Turqi, ai thotë se ndotja e ajrit është ulur në krahasim me vitet e 90-ta si rezultat i përdorimit të gazit natyror si burim të energjisë dhe përmirësimeve në objektet industriale.

“Megjithatë, në disa raste në disa provinca ne akoma nuk kemi mundësi të përmbushim cakun e OBSH-së për nivelin e grimcave dhe ndotjen e dioksidit të azotit”, tha ai.

Ai tha se njerëzit mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit duke përdorur në mënyrë më efikase burimet e energjisë, duke përdorur më shumë energji të rinovueshme, duke iu shmangur konsumit të panevojshëm dhe duke reduktuar mbeturinat.

“Ekstraktimi dhe djegia e karburanteve fosile që shkakton rritje të emetimit të karbonit në atmosferë, është shkaktar i ndryshimit klimatik”, thotë për AA Patricia Mallam, aktiviste e mjedisit dhe përfaqësuese e organizatës 350.org në rajonin e Paqësorit.

Duke përmendur marrëdhënien e afërt mes ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit, ajo thotë se ndotësit kontribuojnë në masë të madhe në ngrohjen globale.

“Shumë ndotës të ajrit, përfshirë edhe karbonin e zi, ozonin e nivelit tokësor dhe aerosolet e sulfatit, kontribuojnë në ndryshimet klimatike duke ndikuar në sasinë e dritës së diellit që reflektohet ose absorbohet nga atmosfera, duke kontribuar në procesin e ngrohjes globale”, thotë Mallam.

Ajo gjithashtu thotë se ndotja e ajrit ka rritur fuqinë dhe ka shpeshtuar fatkeqësitë natyrore siç kanë thatësirat dhe përmbytjet si dhe ka shkaktuar zhdukjen e llojeve të gjallesave dhe përhapjen e sëmundjeve të zakonshme të cilat mund të çojnë në “kolaps të eko-sistemeve të tëra, nëse menjëherë nuk ndërmerret asgjë për të zvogëluar emetimet e karbonit”.

“Qeveritë duhet të angazhohen që menjëherë të ndalojnë të gjitha format e mbështetjes së industrisë së karburanteve fosile dhe të përshpejtojnë tranzicionin e drejtë dhe të barabartë në 100 për qind energji të rinovueshme për të gjithë. Ndaloni të gjitha projektet e reja të qymyrit, naftës dhe gazit”, thotë ajo.

Ndërtimtaria, bujqësia dhe aktivitetet industriale

Duke folur për situatën në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, i cili u rendit si qyteti më i ndotur në botë duke u bazuar në matësin e cilësisë së ajrit AirVisual me seli në Zvicër. Mallam thotë se cilësia e ajrit në këtë qytet është në nivel “të rrezikshëm”.

“Indeksi i cilësisë së ajrit në ambasadën amerikane në New Delhi ishte në nivel “të rrezikshëm” prej 497 më 11 nëntor, me nivele të grimcave PM 2,5 që mund të arrijnë thellë në mushkëri, prej gati 700 në pjesë të qytetit, i cili është më shumë se 10 herë nga kufiri i rekomanduar i sigurt prej 60 për grimcat PM 2,5″, thotë ajo.

Duke sqaruar arsyet e gjendjes së New Delhit, ajo thotë se kjo është shkaktuar nga faktorë të ndryshëm siç janë aktivitetet bujqësore, pasi çdo vit gjatë kësaj periudhe në vendet fqinje digjen sipërfaqe për të pastruar fushat.

“Kjo, në kombinim me gazrat nga automjetet, emetimet nga aktivitetet industriale dhe ndërtimet kanë kontribuar në rritjen e ndotjes së ajrit”, shtoi ajo.

Vidit Baya, një aktivist 18 vjeçar, për AA ka treguar eksperiencën e tij për çështjen e ndotjes së ajrit në Indi.

Duke theksuar se shkatërrimi i natyrës bëri që ai të jetë pjesë e aktivizmit klimatik, pasuar nga projektet e pastrimit, mbjelljes së pemëve dhe anëtarësim në degën indiane të lëvizjes “Të premtet për të ardhmen” (Fridays For Future) të filluar nga aktivistja adoleshente suedeze Greta Thunberg, ai thotë se kërkojnë nga liderët që të lëvizin drejt qëndrueshmërisë dhe të promovojnë prodhimit në masë të gjerë të burimeve të rinovueshme.

“Ndotja e ajrit jo vetëm që ndikon tek njerëzit, por gjithashtu çon në gjenerimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore me të cilat po përballet bota sot. Aktivitetet tona e kanë vënë të ardhmën e brezit tonë në rrezik dhe ne nuk po bëjmë mjaftueshëm për ta trajtuar këtë”, thotë ai.

Duke folur për aktivitetet e qeverisë indiane për të trajtuar ndryshimet klimatike, ai thotë se edhe pse disa hapa pozitiv janë ndërmarrë siç është ndalimi i plastikës për përdorim të vetëm dhe nisja e “Misionit Swachh Bharat”, një fushatë mbarëkombëtare për periudhën 2014-2019 e cila synon të promovojë pastërtinë dhe një mjedis më të gjelbër, sipas tij, ende ka probleme të mëdha mjedisore.

“Problemi i ndotjes në Indi po rritet për shkak të mungesës së zbatimit të rreptë të ligjeve dhe rritjes së kërkesës për resurset. Kryeqyteti ynë New Delhi në disa raste është quajtur ‘dhomë gazi’ për shkak të ajrit të rrezikshëm që e ka pasur. Janë shpallur emergjenca shëndetësore, shkollat dhe institucionet janë mbyllur për disa ditë dhe njerëzit janë këshilluar që të mos largohen nga shtëpitë e tyre”, tha Baya.

Duke theksuar se pjesa veriore e Indisë është pjesa më e prekur e vendit, ai thotë se duhet të përmirësohet dhe modifikohet infrastruktura publike në mënyrë që të zvogëlohet konsumimi i resurseve dhe të emetohet më pak karbon në mjedis.

“Ne si të rinj po ngremë zërin kundër atyre që mendojnë se do të kemi një mundësi të dytë, kundër atyre që mendojnë se do të ‘hanë para ose qymyr’, kundër atyre që duan të dëmtojnë ‘shtëpinë tonë'”, thotë Baya.

Të ngjajshme

KMDLNj: Ndërkombëtarët kanë bërë eksperimente me mbetjet mortore

Urim Isma

Karkalecat e shkretëtirës pushtojnë Bririn e Afrikës

Urim Isma

Erdoğan: Dhënia e Nobelit një racisti, shpërblim i shkeljeve të të drejtave të njeriut

Urim Isma

SHBA godet Serbinë, dhjetëra kompani pjesë e rrjeteve korruptive

Urim Isma

Familjet e personave të zhdukur që 20 vjet pa përgjigje

Urim Isma

Veseli niset drejt Hagës: Krenar që isha pjesë e UÇK-së

Urim Isma

Rama reagon për deklaratën e Vuçiçit mbi Masakrën e Reçakut

Urim Isma

Zgjedhjet në Britani goditen nga pretendimet për ndërhyrje ruse

Urim Isma

Erdoğan u bën thirrje vendeve të OBI-së ta ndihmojnë Shqipërinë

Urim Isma