NDRYSHIMI ËSHTË TRADITA E JETËS

Më pëlqeu përgjigjja e një njeriut të urtë kur u pyet: Çfarë është e rëndë dhe çfarë është e ashpër?!

U përgjigj: E rëndë është të humbësh çdo gjë për hir që ta përfitosh një person, kurse ajo më e rënda dhe e ashpra, është që ky person të të braktisë dhe të ta rikujtojë se e braktise çdo gjë për hir të tij.

Nëse jeta të dha një sebep që të pikëllohesh, preke zemrën tënde dhe buzëqesh. Rikujto se brenda vetes e posedon një thesar, që nuk blihet dhe nuk përcaktohet me të holla.

Dashuria, mirësia dhe butësia, e bëjnë atë që të braktisi dhe të humbi, të shpresojë që të kthehet, kurse ai që nuk të njeh, të ëndërrojë të bëhet sikurse ti.

Në jetë mund të gjejmë lumturinë, por atë ta pasojnë brengat dhe pikëllimi.

Lumturia mund të na zgjasë një periudhë dhe papritmas të na vijë ngushtimi. Kjo mund të bëhet shkak që të ndryshohet jeta dhe të ndryshojnë njerëzit. Disa të shkojnë e disa të tjerë të vijnë.

Njerëzit ndryshojnë dhe ne mendojmë se jemi të vetmit të sinqertit që nuk i ndryshojnë ditët. Në realitet, ne jemi sikurse ditët, të gjithë i shëmbëllejmë njëri-tjetrit. Ndryshohemi sikurse ato dhe asgjë nuk mbetet sikurse është.

Ndryshimi është tradita e jetës, mirëpo me rëndësi është që ky ndryshim, të jetë ndryshim për kah e mira.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU