Në 30-vjetorin e vdekjes tragjike të tij

Akademik Feti Mehdiu

 

Idealistët hapin porta të historisë dhe shkojnë nga kjo jetë. Ata nuk mbajnë përgjegjësi se kush defilon nëpër këto porta për të hyrë kuturu në histori! Kjo përgjegjësi u mbetet atyre që vijnë pas.

Më 16 gusht u mbushën tridhjetë vjet të një aksidenti enigmatik të komunikacionit që mori me vete idealistin Abidin Hyseni (1955-1985), i cili besonte në luftën dhe në pavarësinë e Kosovës qysh si nxënës i gjimnazit. Më 1978, kur ishte student, atë besim e bëri publik dhe e shpërndau për tërë opinionin shqiptar. Natën e 12 qershorit 1978 në Prishtinë u shpërnda thirrja: “…Punëtorë, fshatarë, rini revolucionare e Kosovës, popull punonjës, mos duro shtypjen e egër …” dhe më pastaj vijon: “Do të vijë dita kur populli ynë i robëruar, nën udhëheqjen e bijve të tij, do të ngrihet me armë në dorë në luftën e madhe për ta fituar lirinë dhe për të jetuar bashkë me vëllezërit tanë ashtu si deshën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mijëra dëshmorë të tjerë të popullit tonë trim”.

Ky ishte mesazhi, të cilin Abidin Hyseni pati fatin ta përcjellë nga veprimtari Agim Sulejmani te bashkëveprimtarët e vet dhe të bëhet pjesë e proklamimit të këtij akti në një moment shumë të rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar.

Ishte qershori i vitit 1978, kur në Prishtinë ishin mbledhur për ta shënuar 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë) shkencëtarë nga qarqet akademike shkencore botërore: (Konferenca shkencore 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, vëllimi I dhe II, 1981, ASHAK, Prishtinë). Dorën në zemër, asokohe pakkush mendonte dhe besonte si brezi i Abidinit. Ai besonte në këtë luftë dhe në këtë pavarësi.

Nuk iu bashkua rastësisht Agim Sulejmanit për të shumëzuar e për ta shpërndarë traktin: “Lexoje, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo!” Ai ishte i bindur se ajo ditë do të vinte dhe atë bindje ia ka shpalosur bashkidealistit të tij, Tefik Latifit, më 22 gusht 1977, se opsioni i luftës për pavarësi “… do të fitoj në saje të armëve dhe shpirtit revolucionar”.

Abidin Hyseni, student i historisë, me dy bashkëvendësit e tij: Hasan Bekteshin dhe Aqif Mehdiun, studentë të Mjekësisë, në vitin 1978 bëhen dallëndyshet e pavarësisë së Kosovës! Paralajmëruan zëshëm se po afrohet koha kur “populli ynë, nën udhëheqjen e bijve të tij, do të ngrihet me armë në dorë në luftën e madhe për ta fituar lirinë ashtu si deshën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Prandaj, as konferenca e vitit 1993 në Kollar të Kërçovës nuk ishte zgjedhur rastësisht për konak, ku zënë fill themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (B. Islami, “I Vërteti”, Ali Ahmeti, Tetovë, 2011, f. 168).

Tanimë Abidini nuk ishte në jetë, por ishte zëri i tij, të cilit iu bashkua ky me bashkëveprimtarët e vet natën e 12 qershorit 1978, që jehoi në Prishtinë: “Rini revolucionare e Kosovës, popull punonjës, mos duro shtypjen e egër!” Këtë thirrje publike Abidini, Hasani dhe Aqifi, në janar të vitit 1979, e paguan me lirinë e tyre. Arrestohen dhe marrin dënimet sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë. Dënimin me burg Abidini e mbajti në Idrizovë (“Të burgosurit politikë shqiptarë të Kërçovës 1944-1994”, Prishtinë, 2011, f. 85), por kjo nuk mjaftoi për Abidinin. Ai angazhimin e tij për luftën, e cila në vitin 1999 solli pavarësinë e Kosovës, e pagoi me jetë. Në gusht të vitit 1985, duke u kthyer nga Ulqini bashkë me dajën Rexhep, nuk i shpëtuan dot aksidentit me makinë, që edhe sot e kësaj dite mbetet aksident enigmatik.

Me rastin e përkujtimit të 30-vjetorit të ndarjes së Abidinit nga kjo jetë, shfletova edhe një herë dosjen e Gjykimit të tij, ku janë edhe disa letra të tij që ka këmbyer me shokë të idealit, të cilat kanë shërbyer si prova në gjyq, se ky me shokët e vet: Faik e Tefik Latifin, nga viti 1975, e më vonë edhe me Agim Sulejmanin, Hasan Bekteshin, Aqif Mehdiun, e të tjerë, e kishin rrezikuar sistemin shtetëror vetëqeverisës të Jugosllavisë.

Këtu po sjell disa nga shprehjet e Abidinit që i ka përdor në këtë letërkëmbim, për lexuesit dhe hulumtuesit sepse, sipas mendimit tim, e vlen të bëhen objekt i ndonjë studimi më të gjerë e më të hollësishëm.

Fragmentet e mëposhtme mendoj se mund t’i kuptojnë më lehtë ata që e kanë përjetuar, apo e mbajnë mend se po të dëgjoje “Radio Tiranën” dënoheshe me burgim 30 apo 60 ditë. Ai shkruante: “Na sulmojnë, na shajnë, na bërtasin, na thonë se e tradhtuam revolucionin, se jemi gjaknxehtë, kokëfortë etj., por të fortë jemi ne” (13 nëntor 1977). “Në Prishtinë do të tregohen disa filma. E kam parë …Tinguj lufte. Do ta luajnë edhe Tokën e përgjakur, Kapedanin, Lulet mbi mure”.  “Vitin ’78 e pres me padurim, jo pse dua ta festoj, se s’kam pse, por për këtë vit jam parapaguar për disa gazeta nga SH….” (21 dhjetor 1977). I dashur Tefik…,  “… më vjen shumë keq që punët ty, dhe shtetit tonë, s’ju shkojnë bash mirë” (…). Të dëshiroj një të ardhme më të mirë!” Dhe vazhdon: “Unë me shëndet jam, jo fort mirë dhe dyshoj se kam një sëmundje të rëndë dhe të rrezikshme. Po aq e s’mund është edhe organizata e LK të Kërçovës. Janë marrë masa të rrepta kundër saj. Janë bërë përjashtime për shkak të grupeve” (mungon data). “Sa i përket çështjes së paqes në mes dy shteteve me sistem dhe ideologji të kundërt, ti nuk ke aspak të drejtë, sepse qëllimi fondamental i njerëzimit është që ai ta vazhdojë jetën në tokë e jo ta shkatërrojë atë. Për të dyja këto ekziston mundësia” (6. III. 1978). Ndërsa më vonë i shkruan: “I dashur Tefik! Derisa … Ali Hadri konstatoi: Vllaqko për Lidhjen e Prizrenit shkruajnë e flasin edhe shumë njerëz që nuk kanë fort lidhje me lidhjen. Unë konstatoj, vllaqko, gjatë vitit shkollor 1977/’78 nuk kam arritur asnjë sukses” (1 korrik 1978).

Në vend të përfundimit

Korrespondenca e Abidin Hysenit me Tefik Latifin, pikëpamjet e tij të shprehura nëpërmjet këtyre letrave edhe gjatë procesit hetimor dhe gjykimit, meriton një tretman të veçantë prej eksperti të historisë dhe jo vetëm të historisë. Vetëm ashtu mund të zbërthehet gjendja shoqërore politike e atij brezi dhe përpjekjet e tyre për ta mbajtur gjallë frymën e luftës për liri anekënd hapësirës shqiptare. Idealet e tyre të pastra i paraprinë luftës dhe pavarësisë së Kosovës, prandaj duhet pasur kujdes për amanetin e Ukshin Hotit, i cili, pa e përjetuar çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, lëshon klithmën: “O mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!”