thumbs_b_c_d173a30188266bfa959c8ddcf1c89c4c

Në Haxh me biçikletë: Francezi me origjinë marokene arrin në Türkiye gjatë rrugës për në vendet e shenjta

Nabil Ennasri, një francez me origjinë marokene, i cili u nis nga Franca për në Mekë me biçikletën e tij, dëshiron të përjetojë pelegrinazhin tradicional të muslimanëve si në të kaluarën dhe të tërheqë vëmendje ndaj ngrohjes globale, raporton Anadolu.

Shkrimtari 41-vjeçar Nabil Ennasri, i cili donte të tërhiqte vëmendjen ndaj ngrohjes globale dhe të përjetojë ndjenjat e muslimanëve sikurse gjatë Haxhit në histori, vendosi të shkonte në Mekë me biçikletë.

Duke u nisur nga Franca më 22 prill, Ennasri la pas dhjetë shtete dhe tani ka arritur në Türkiye.

Ennasri, i cili qëndron në karvanin e përdorur nga miqtë e tij që e shoqërojnë natën, ndan përvojat e tij në rrugë me ndjekësit në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

– Do të tërheqë vëmendjen ndaj ngrohjes globale

Ennasri për Anadolu tha se që nga 22 prilli ka udhëtuar 2 mijë e 850 kilometra.

Duke shpjeguar pikënisjen e idesë për të shkuar në Haxh me biçikletë, Ennasri tha: “Doja t’i paralajmëroja njerëzit për ngrohjen globale dhe shëndetin e botës sonë. Ne duhet të respektojmë natyrën dhe mjedisin. Është e rëndësishme t’u tregojmë muslimanëve në lidhje me këtë”.

Ennasri ka deklaruar se në Antalya do të shkojë me biçikletë nëpërmjet Istanbulit, ndërsa në Jordani do të shkojë me avion dhe do të vazhdojë rrugën me biçikletë.

– “Është emocionuese të jesh në Edirne”

Duke u shprehur se ishte emocionuese të jetë në Edirne, Ennasri tha: “Kam qenë i interesuar për historinë e Perandorisë Osmane në fëmijërinë time. Është e rëndësishme për mua të jem këtu sepse ky është qyteti ku ka lindur Fatih Sulltan Mehmeti. Xhamia Selimiye është gjithashtu një nga veprat e rëndësishme në historinë e Islamit. Është e rëndësishme të jetosh dhe të kujtosh atë që ndodhi në këtë rajon në histori. Perandoria Osmane luajti një rol të rëndësishëm në histori të Islamit”.

Duke kujtuar se në histori, muslimanët arrinin në Mekë me një udhëtim që zgjaste me muaj, Ennasri tha: “Kjo nuk ishte kështu 200 vjet më parë, por 50 vjet më parë. Edhe disa nga familja ime shkuan në këmbë. Kjo zgjaste ndoshta muaj apo vite. Disa vdiqën gjatë udhëtimit. Kur kujtoj këto momente, gjej forcë te vetja. Ndihesh më mirë kur bën një udhëtim me biçikletë që të merr javë në vend të disa orëve me aeroplan”.

– “Ngrohja globale është problemi më i madh”

Ennasri deklaroi se do të lutet për familjen, miqtë, muslimanët dhe njerëzit që takon gjatë rrugës për në Qabe.

Duke thënë se qëllimi i tij më i rëndësishëm është t’u shpjegojë muslimanëve dimensionet e ngrohjes globale, Ennasri tha:

“Ngrohja globale është një problem i madh me të cilin përballet brezi ynë. Është e rëndësishme për mua të mbroj natyrën, botën tonë dhe t’ia shpjegoj këtë komunitetit musliman. Mendoj se ka një keqkuptim për ngrohjen globale. Njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë është”.

“Shpjegimi i ngrohjes globale është qëllimi im i parë, është shumë i rëndësishëm për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm. Qëllimi im i dytë është të shkoj në Mekë duke ringjallur traditën e vjetër, ta ringjall këtë traditë me biçikletë. Kur shkon në Mekë me kalë, në këmbë apo me biçikletë, nuk janë emocionet e njëjta si të shkosh me avion për pak orë”, tha Ennasri.