Njeriu, që Allahu e ka begatuar me mendje dhe epsh, kur priret nga mendja, i afrohet botës engjullore, ndërsa kur udhëhiqet nga epshi, i afrohet botës kafshërore.
Është e pamohueshme se njeriu dallon prej engjujve (melekëve) në shumë aspekte, por duke qenë se melaqet janë sinonim i të mirës ndërsa njeriu është në sprovë të vazhdueshme për tu bërë sa më i mirë, ai mbetet në një vrap të vazhdueshëm drejt synimit të vet. Njeriu, engjull nuk bëhet dot, por në botën e mirësisë ka mundësi të ofrojë konkurrencë dinjitoze. Ajo që pritet dhe kërkohet prej tij është të synojë ngritje dhe përmirësim të vazhdueshëm, me një fjalë të frymëzohet nga drita prej së cilës janë krijuar engjujt dhe nga mirësia e tyre.
Njeriu gabon dhe gabimet e tij sikur i bëhen hendikep në këtë “garë” me melaqet. Megjithatë, ekziston një fakt i rëndësishëm që këtë mangësi të njeriut e shndërron në përparësi: Njeriu derisa gabon, e ka mundësinë e hapur edhe të pendohet dhe me këtë e bën një veprim që engjujt nuk e bëjnë dot. Pra, mu në atë që mund të llogaritet mangësi dhe e metë qëndron përparësia e “njeriut engjull”.
Pendimi duhet konsideruar si një mirësi shumëdimensionale që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut si mundësi për të përfituar. Pendimi nuk është vetëm mundësi për të shlyer mëkatet. Përtej kësaj, ndjenja e keqardhjes, vetqortimit, e bën njeriun të ndjehet fajtor dhe e bën maksimalisht të thyer dhe shumë të përulur para Allahut. Mëkatari i penduar sinqerisht e përjeton Madhështinë e Allahut më shumë se bamirësi i vetpëlqyer. Lotin dhe dënesjen e keqardhjes, Allahu e çmon më shumë se sa ovacionin që njeriu ia bënë vetes kur të ketë bërë një të mirë.
Andaj mëkatari, e të gjithë jemi të këtillë, nuk duhet të humbë shpresat nga kualifikimet në këtë garë fisnike. Dikush, madje, ka thënë se mu për shkak të pendimit, njeriu mund t’ia kalojë edhe engjullit me mirësi. Nuk i dihet…
Marrë nga Hoxhë Ekrem Avdiu