Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!
Njoftojmë kolegët, miqtë e opinionin e gjerë, se sot, në moshën 71 vjeçare ka ndërruar jetë Mexhid Yvejsi, bashkëpunëtor shumëvjeçarë me Bashkësinë islame të Kosovës ku dha kontribut të çmuar me shkrimet e tij në periodikun fetar si në revistat “Dituria Islame”, “Takvim”, “Edukata Islame” etj.
Biografi e shkurtër
Mexhid Yvejsi rrjedh nga një familje e njohur e frymëzuar me ndjenja fetare dhe kombëtare. Nga trungu i kësaj familjeje kanë dalë shumë intelektualë e personalitete të shquara, si: imamë, myfti, hafizë dhe myderrizë të njohur në mbarë trojet shqiptare e më gjerë. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Me shkrime u morr që nga bankat e shkollës fillore ku shkroi poezi, prozë, kritikë letrare, polemika etj. Deri më sot ka botuar, në trojet shqiptare, nëpër Evropë, Amerikë deri në Australi, mbi 1000 punime të ndryshme.
Më se dhjetë vjet jetoi dhe veproi në Perëndim, në Evropë dhe në Amerikë. Një kohë shërbeu si imam në Romë, Itali, dhe më vonë si ndihmë-sekretar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane për shtetet New York dhe New Jersey. Ishte edhe arsimtar, reporter dhe gazetar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane.
Ka marrë pjesë me kumtesa, studime, në shumë Tryeza Shkencore, Kongrese, Tribuna, Konferenca Shkencore me karakter lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bashkëpunoi rregullisht me shtypin fetar që botohet në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Ka shkruar mbi 25 libra, duke përfshirë këtu edhe përkthime nga gjuha angleze me gjini të ndryshme: letrare, historike, monografi etj.
Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhenet!