Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2015/2016 ( Këshilla për Mësuesin )

Nga Hfz.
Shaban Murati –
Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Të gjithë fillojmë përgatitjen për fillimin e viti të ri shkollor. Institucionet fillojnë përgatitjen e tyre. Prindërit fillojnë të përgatiten për fëmijët e tyre, duke shpenzuar edhe materialisht në blerjen e gjërave që fëmijëve ju nevojiten. Edhe vetë fëmijët fillojnë të përgatiten për t’iu kthye prapë bankave të shkollave.
Për të gjithë ne është një përgjegjësi më e madhe me rastin e fillimit të mësimit. Të gjithë njerëzit e ditur kanë përgjegjësi më të madhe për shoqërinë dhe vendin e tij. Ndonjëherë, kërkohet përgjegjësi më e madhe prej dikujt në një kohë të caktuar.

Ministria e arsimit, drejtori i shkollës, mësuesi, prindërit të gjithë kanë përgjegjësi shtesë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë. Por, prej atyre që kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë rast është mësuesi, edukatori i fëmijëve tan. Sepse, mësuesi është ai i cili ballafaqohet direkt me edukimin dhe mësimin e nxënësve. Është mësuesi ai i cili shpenzon nga ndjenjat e tij para se të shpenzoj prej kohës së tij. Është mësuesi ai i cili e orienton nxënësin dhe e udhëzon në rrugën e duhur. Është mësuesi ai i cili ka marr përsipër edukimin e gjeneratave. Është mësuesi ai i cili nuk duhet të preokupohet se sa ka marr, por duhet preokupohet se çka po jep dhe si po e jep, si po i mëson, si të jetë i dobishëm te nxënësit. Është mësuesi ai i cili kujdeset për nxënësit e tij para se të kujdeset për vetën e tij. Mësuesi është ai i cili e pyet vetën e tij, ndoshta nuk kamë qenë i sinqertë në punën time, ndoshta nuk kamë zgjedh metodën e duhur, ndoshta kamë qenë i ashpër në raport me nxënësit, ndoshta kamë qenë tolerant tej mase. Mësuesi është njeriu më i zgjedhur i shoqërisë, sepse atij i kemi lënë në dorë amanetin e edukimit të gjeneratave të reja.

Misioni i mësuesit është mbi profesionin e tij. Njerëzit ndërtojnë qytete prej dheut. Ndërsa mësuesi është ai i cili ndërton qytete të mendimeve, të vlerave dhe të edukatës. Andaj, të mësosh dikë është mision e nuk është profesion. Të ua mësosh njerëzve të mirën dhe ti udhëzosh në atë që është e drejt, është mision i të dërguarve të Allahut. Motoja e pejgamberve të Allahut ishte: Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem. ( Hud 88). Mësuesit janë ata të cilët largojnë injorancën nga njerëzit. I nxjerrin njerëzit nga errësirat e injorancës në dritën e dijes, besimit dhe njohjes. Dhe s’ka dyshim se ai i cili e shikon të mësuarit si mision e jo si profesion do të ketë shpërblim më të madh te Allahu. Mësuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se misioni i tij nuk është i lehtë, por është i shtrenjtë dhe me vlerë të madhe. Kur ju mësues e kuptoni se ky është mision para se të jetë profesion, nuk mërziteni pse njerëzit nuk ju vlerësojnë, pse njerëzit nuk japin për juve atë që ju e meritoni. Njeriu i cili është i sinqertë në punën e tij, preokupohet se si do ta kryej punën më mirë, e nuk preokupohet se apo vlerësohet vepra e tij. Njerëzit që kanë ambicie të larta nuk presin prej atyre që kanë ambicie të ulëta, apo nuk kanë fare. Njerëzit e mëdhenj nuk presin shpërblim prej njerëzve të ultë. I sinqerti nuk pretë shpërblim prej jo të sinqertit.

Andaj, çdo mësues duhet të pajiset me cilësi të veçanta që të jetë i dobishëm te nxënësit e tij:

E para:
Sinqeriteti – Mësuesi duhet ta pastroj nijetin e tij dhe çdo njohuri, dije, vepër edukative duhet të burojë nga thellësia e zemrës së tij. Të jetë i sinqertë në punën e tij, pa marrë parasysh a është ajo dije, njohuri, urdhëresë, ndalesë, vërejtje apo ndëshkim. Mësuesi nuk duhet të posedoj sy e faqsi, nuk duhet ta bëjë punën për ta parë dhe për ta lavdëruar të tjerët. Rezultati i një mësuesi varet prej sinqeritetit të tij në punën që e bënë.
E dyta:
Frika ndaj Allahut- Për të qenë mësues i mirë duhet të jesh prej atyre që i frikohesh Allahut. Frika ndaj Allahut të bënë më të mirë në punën tënde. Le të jetë në mendjen tënde fjala e Allahut “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni”. Po ashtu edhe fjala e Pejgamberit: ” Ke frikë Allahun ku do që të jesh. Të keqen ktheje me të mirë dhe sillu me njerëz me moral të mirë”. Nëse mësuesi nuk ka frikën Allahut, nuk është i sinqertë në punën e tij dhe nuk është i pajisur me moral të mirë, atëherë nxënësi ndien një jo stabilitet në brendësinë e tij dhe kjo e shtynë atë që të devijoj nga rruga e drejtë. Mësuesi i ka frikën Allahut dhe nuk krijon raporte me nxënës në bazë të pamjeve të tyre, në bazë të fesë sy tyre, apo në bazë të prejardhjeve të tyre. Nuk e kalon nxënësin me ryshfet. Ai i ka frikën Allahut dhe nuk i bënë padrejtësi ndonjë nxënësi, e ta favorizojë ndonjë nxënës tjetër për shkak të dashurisë që ka ndaj tij, apo për shkak të ndonjë ndërmjetësimi.
E treta:
Ndjesia e përgjegjësisë- I Dërguari i Allahut thotë: ” çdo njëri prej jush është kujdestarë dhe do të përgjigjet për atë që iu është dhënë në përkujdesje”. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: ” Allahu do ta pyes çdo njërin që e ka bërë kujdestarë ndaj një gjëje se a është kujdes për të apo e ka humb atë”. Mësuesi duhet ta ndiej vetën se ka marrë mbi supet e tij një barrë të madhe. Ka marrë për sipër edukimin e gjeneratave. Nëse mësuesi nuk ndien përgjegjësinë që ka marrë dhe nuk i edukon nxënësit me dukatë të mirë, atëherë do të rritet një gjeneratë e devijuar , një gjeneratë e shthurur , një gjeneratë që do të jetë barrë e shoqërisë, e nuk do të jenë bartës të barrëve të shoqërisë. Ai i cili e ndien përgjegjësin ndaj asaj që i është ngarkuar, gjithmonë pyet vetën e tij se si do të kem mundësi ta kryej këtë emanet në formën më të mirë. E pyet vetën, atë shpërblim që e merr nga misioni i tij a thua jam prej atyre që e meritoj. Mësuesi i përgjegjshëm pyet gjithmonë se si të jam një mësues i suksesshëm.
E katërta:
Mësuesi i mirë nuk ngutet- Ti o mësues! Mos u ngutë në rezultatet dhe frytet e angazhimit dhe përpjekjeve tua. Ti je vetëm një mbjellës i një fare të mirë. Ti je vetëm një shkaktar. Mos prit se nga tërë ajo që ti i ofron nxënësve , të gjithë do të bëhen sikur ti, ose më të mirë se ti. Mjafton që ti të jesh një urë lidhëse e sukseseve të nxënësve, edhe nëse janë të paktë ata që arrijnë këto suksese.
E pesta:
Mos e nënvlerëso angazhimin dhe përpjekjen tënde- Mësuesi i suksesshëm nuk zhvlerëson punën e tij edhe nëse ajo është e paktë. Ndoshta nxënësi ndonjë herë ka nevojë vetëm për një fjalë goje që do ta ndryshonte tërë jetën e tij. Ndoshta një fjalë e thjeshtë dhe me peshë të vogël, vepron në shpirtrat e nxënësve çudira.
Andaj mos mendo se fjala e jote nuk ka peshë, edhe nëse ajo është e pakt./rajonipress/