Rtv Pendimi

Në QKUK, valvula aortale zëvendësohet me valvulë biologjike

Qendra Klinike Universitare e Kosovës bën të ditur se ekipi mjekësor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK, tek një pacient i moshës 70 vjeçare ka realizuar operacionin e parë në QKUK, të njohur si zëvendësim i valvulës aortale me valvulë biologjike (Bovin Biological Aortic Valve) të krijuar nga perikardi bovin.

”Operacionet e tilla mundësojnë që pacientët të jetojnë pa terapi anti-koagulantë. Ato zakonisht vendosen tek pacientët të cilët kanë rrezik nga koagulopatit, tek femrat e reja të cilat mendojnë të krijojnë familje, tek të rinjtë që dëshirojnë të merren me sport dhe kanë nevojë për ndërrim të valvulës si dhe tek moshat e shtyra (70 vjet e tutje)”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas QKUK-së, pacienti i operuar është liruar në shtëpi në ditën e pestë post-operatore në gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale.

Valvulet biologjike janë valvule të krijuara nga indet shtazore (indet e derrit, lopës, kalit).

Në këtë rast është zëvendësuar valvula biologjike e krijuar nga perikardi i lopës.

”Kardiokirurgjia vazhdon të realizojë operime të komplikuara dhe të shtrenjta, të cilat realizohen në Qendrat e mëdha kardiokirurgjike në botë, duke kursyer pacientët që mos të shkojnë jashtë institucioneve publike, por edhe buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore”, bën të ditur më tutje QKUK përmes komunikatës.

TË NGJAJSHME