thumbs_b_c_fcb13f56eeab9d38b3b67162feebd176

Në Shqipëri do të nisin konsultimet për bllokimin ose kufizimin e përdorimit të Tik Tok-ut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi sot nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë ose jo të TikTok-ut, Snapchat-it ose të dy rrjetet bashkë, raporton Anadolu.

Nisma në fjalë vjen pas vrasjes së një adoleshenti të moshës 14-vjeçare nga bashkëmoshatari i tij, dy ditë më parë në Tiranë dhe pas rasteve të ndryshme të ekspozimit online të konflikteve mes të miturve.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Rama tha se “rrjetet sociale dhe posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët tanë që në moshat më të vogla”.

“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Evropë apo përtej Evropës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Rama.

Rama shtoi se kanë vendosur që këtë dilemë ta hedhin për një diskutim të gjerë me të gjithë komunitetet e prindërve, ku sipas tij do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim.

Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14 vjeçar.

Në shumë raste në rrjetet sociale nxënësit e moshave të ndryshme konfliktohen, ndërsa në disa raste konfliktet që ekspozohen edhe online përfundojnë edhe në dhunë fizike apo vrasje.