Rtv Pendimi

Në vigjilje të Ramazanit

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më 22/05/2015
Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati
Tema:
Në vigjilje të Ramazanit

Ditët, javët, muajt dhe vitet kalojnë. Kaloi edhe një vit i njeriut prej Ramazanit të kaluar. Jemi në prag të Ramazanit të ardhshëm. Është porosi islame që besimtari të përgatitet për pritjen e këtij muaji të madhërishëm. I Dërguari i Allahut përgatitej për pritjen e muajit të ramazanit. Sikur që një gjë të tillë e vepronin edhe shokët e tij dhe gjeneratat që vinin pas tyre prej myslimanëve të mirë. Thotë Usame b. Zejd: “O i Dërguar i Allahut nuk të kamë parë duke agjëruar ndonjë muaj më shumë se muajin shaban? I Dërguari i Allahut tha ky është muaj që njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj tij, muaj mes Ramazanit dhe Rexhepit. Ky është muaj në të cilën ngritën veprat te Allahu dhe dëshiroj që të ngritën veprat e mija duke qenë agjëruar”. Po ashtu nga Aisha, nëna e besimtarëve tregon se i Dërguari i Allahut agjëronte derisa mendonim se nuk po hanë fare. Hante derisa mendonim se nuk po agjëron fare. Nuk kamë parë që i Dërguari i Allahut ka agjëruar ndonjë muaj të plotë pos ramazanit. Dhe nuk kamë parë që ka agjëruar ndonjë muaj më shumë se muajin shaban”.
Dijetarët kanë përmendur disa urtësi se pse i Dërguari i Allahut ka dalluar muajin shaban me agjërim nga muajt tjerë. Prej tyre:
• Më i miri agjërim vullnetarë është ai i cili është afër Ramazanit, para tij dhe pas tij. Agjërimi vullnetarë që bëhet para Ramazanit dhe pas tij i përngjan namazeve vullnetare që bëhen para farzit dhe pas farzit, që njihen në fe si namaze synete. Namazet synete që falen para farzit janë një parapërgatitje për namazin farz. Ndërsa synetet që falen pas farzit janë plotësim i mangësive që ka mund besimtari ti lëshoj gjatë farzit. Ashtu edhe agjërimi vullnetarë para Ramazanit është një parapërgatitje për Ramazanin. Ndërsa, agjërimi që bëhet pas Ramazanit, gjashtë ditë të Shevalit, që është përcjellje e Ramazanit, bëhet për të plotësuar ndonjë mangësi që besimtari ka mund të bëjë gjatë muajit të ramazanit.
• Agjërimin në muajin shaban e llogaritnin sikur ujitje e Ramazanit. Thotë Ebu Bekr Belhi: “ Muaji rexhep është mbjellja e bimës. Muaji shaban është ujitja e bimës. Ndërsa muaji ramazan është korrja dhe vjelja e frytit të bimës”. Po ashtu është thënë se muaji rexhep i përngjanë erës. Muaji shaban i përngjanë reve. Ndërsa, muaji ramazan i përngjanë shiut. Ai i cili nuk ka mbjell në muajin rexhep, nuk e ka ujit në muajin Shaban si ka mundësi të korrë në muajin ramazan. Për këtë shokët e Pejgamberit i luteshin Allahut për ta arrit muajin e ramazanit gjashtë muaj para Ramazanit. Prej lutjeve që i bënin ishte : “ O Zot ma mundëso ta jetojmë Ramazanin dhe na jep shëndet në të”. Kjo ishte gjendja e Pejgamberit dhe shokëve të tij në momentet e pritjes së Ramazanit. Atëherë si është gjendja ime dhe e jotja? A kemi filluar ti flasim vetës për Ramazanin? A kemi filluar që të përgatitemi nga ana psikike, shpirtërore dhe fizike për Ramazanin. Prej tash duhesh të marrësh vendimin tënd për agjërimin e muajit të ramazanit.
• Ka thënë Ibnu Rexhepi: “ agjërimi i muajit shaban është një trajnim për muajin e ramazanit, që besimtari mos të hyj në muajin e ramazanit e të gjejnë vështirësi dhe ngarkesë në agjërimin e Ramazanit. Por, të jetë prej atyre që është mësuar me agjërim”. Ramazani është një maratonë për besimtarin, sidomos në këtë sezon të valës së punëve dhe në kulmin e vapës. Është një maratonë që do një bindje dhe një vendosmëri të sinqertë për pjesëmarrje. Ndërsa ai i cili dëshiron të jetë pjesëtarë i kësaj maratone, pa tjetër duhet të jetë i përgatitur paraprakisht.

• Gjithë ashtu nga hadithet që cekëm në fillim se muaji Shaban është muaj që njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj tij tregojnë se preferohen punët e mirë në kohën kur njerëzit janë të pakujdesshëm për këtë kohë. Për këtë disa prej myslimanëve të parë kanë preferuar që të falin namaz vullnetarë mes akshamit dhe jacis, për shkak se njerëzit në këtë kohë janë të pakujdesshëm. Po ashtu edhe përmendja e Allahut në treg llogaritet prej veprave të preferuara sepse në këto vende njerëzit janë të angazhuar me tregti dhe nuk ju shkon mendja ta përkujtojnë Allahun. Edhe Muaji shaban është muaj që njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi adhurimit në këtë muaj, për shkak se ky muaj gjendet mes dy muajve të mëdhenj. Para ka muajin Rexhep që është prej muajve të shenjtë dhe pas ka muajin Ramazan që Allahu e obligoi me agjërim. Njerëzit janë ndarë në dy grupe sa i përket këtyre dy muajve. Një grup i njerëzve është dhënë pas muajit Rexhep, e kanë veçuar atë me agjërim, adhurim, lëmosha dhe vepra të mira. Aq shumë i kanë dhënë rëndësi këtij muaji sa që edhe kanë shpikë gjëra që nuk janë prej fesë në këtë muaj, duke menduar se ky është muaj i shenjtë dhe duhet të dallohet dhe veçohet nga gjithë muajt tjerë. Ndërsa grupi i dytë i njerëzve janë që nuk njohim adhurim tjetër, agjërim tjetër vetëm se në muajin e ramazanit. Kështu muaji Shaban është lënë pas dore dhe për këtë i Dërguari i Allahut e kalonte këtë muaj me agjërim, adhurim, vepra të mira.
• Prej shkaqeve që i Dërguari i Allahut e veçoi këtë muaj është se në këtë muaj ngritën veprat e një viti te Allahu. Melaiket dorëzojnë raportet e tyre te Allahu për veprimin tënd gjatë tërë vitit. Sigurisht se ti dëshiron që kur të ngritët raporti yt te Zoti ti të jesh në gjendjen më të mirë të adhurimit. Dëshiron që raportin tënd vjetor ta përfundosh me agjërim.
Të nderuar besimtarë kanë mbetur më pakë se një muaj që me zemërgjerësinë tonë, me gatishmërinë tonë, me vendosmërinë tonë ta presim muajin e Ramazanit, një muaj tejet i rëndësishëm për jetën ton. Tash, ne gjendemi në muajin shaban, muaji para Ramazanit. Andaj, le të jetë ky muaj një trajnim dhe një parapërgatitje për muajin e Ramazanit. Le të jetë ky muaj, muaj i pendimit të sinqertë te Allahu. Le të jetë ky muaj, muaj i largimit ton nga mëkatet. Le të jetë ky muaj, muaj i kthimit te Krijuesi ynë. Le të jetë ky muaj një mbyllje e të kaluarës dhe një fillim për hapjen e një faqe më të mirë të historisë së vetës tonë. Le të jetë ky muaj, muaj i lutjeve dhe kërkesave tona që Allahu të na mundësoj ta arrijmë muajin e Ramazanit dhe ta kalojmë atë në formën më të mirë dhe më të lehtë. Ai i cili kërkon ndihmën e Allahut do ta gjej atë. Ai i cili kërkon nga Allahu që të ja lehtësoj agjërimin e muajit të ramazanit, Allahu do të ja bëjë të lehtë këtë agjërim. Ai i cili është i sinqertë me Allahun, Allahu do të jetë i sinqertë me të. Ai i cili është i vendosur në këtë, Allahu do të ja mundësoj ta përfundoj atë. Le të jetë ky muaj, muaj i shtimit të adhurimit tonë, namazit, leximit të Kuranit, përmendjes së Allahut. Le tët jetë ky muaj, muaj i përgatitjes sonë për muajin e Ramazanit me njohurit që kanë të bëjnë me dispozitat e agjërimit. Le të jetë ky muaj, muaj i përgatitjes familjare për ta prit muajin e Ramazanit.
Jemi në prag të një muaji i cili kërkon sakrificë, mund, lodhje dhe angazhim më të madh. Jemi në prag të muajit i cili do të ndryshoj jetën tënde. Jemi në prag të një muaj i cili hap dyert e xhenetit dhe mbyllë dyert e xhehenemit. Jemi në prag të një muaji me plotë mirësi dhe begati të Zotit. Jemi në prag të një muaji i cili është shansi i jetës tënde. Andaj, prej tash jepja besën Zotit se nuk do të kaloj ky muaj pa agjërim. Pasha Allahun nëse ti je i vendosur për agjërimin e muajit të ramazanit dije se Allahu ka me ta bërë të lehtë dhe të mundshëm këtë muaj.
Lusim Allahun që të na udhëzoj në rrugën e Tij dhe të na mëshiroj me mëshirën e Tij. AMIN

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH