Rtv Pendimi
Familja & jeta bashkëshortore

NËNA DHE BASHKËSHORTJA…

Nëna dhe bashkëshortja janë si dy krahët e peshores, por njërës prej tyre i bëhet zullum për llogari të tjetrës.

Sa prej nënave të dashura janë nëpërkëmbur, janë fyer, janë nënçmuar, janë rrahur, madje janë vrarë, bile janë dërguar edhe në shtëpinë e pleqve?! Nga kush?! Nga i biri i saj, nga pjesa e mushkërive të saj, nga dashuria e saj, nga pjesa e shpirtit të saj, nga djali i saj pra!!

Pse e gjithë kjo nëpërkëmbje? Pse e gjithë kjo vrazhdësi dhe ashpërsi ndaj nënës së dashur, ndaj nënës së butë, ndaj nënës së mëshirshme, ndaj nënës së shtrenjtë, ndaj nënës, e cila asnjëherë nuk ka fjetur para se të flejë i biri, asnjëherë nuk ka pushuar para se ai të pushojë, asnjëherë nuk hëngri para se ai të ngopet, asnjëherë nuk piu para se ai të flladitet, ndaj nënës e cila asnjëherë nuk qetësohet dhe rehatohet përderisa të marri vesh se pjesa e mushkërisë së saj është rehat dhe në lumturi? Pse pra, të ndodhë kjo ngurtësi ndaj nënës? Apo që gruaja e tij të jetë e kënaqur? Apo që gruaja të jetë rehat? Apo që të arrihet kënaqja e këtij apo e asaj? Apo që të jetë e lumtur bashkëshortja?

Me të vërtet fatkeqësi dhe trishtim, nga keqardhja zemra dërmohet, nga frika e urrejtja shpirti shkrihet dhe nga ligësitë që shohim e dëgjojmë, syri loton gjak.

Ngurtësia, vrazhdësia dhe gjërat e rënda që përjetojnë nënat janë të papara dhe të pabesueshme. Kam dëgjuar edhe asi rastesh që dikush së bashku me të shoqen janë bërë bashkë për ta vrarë nënën, ndërsa tjetri për ta rrahur. Shumë të tjerë i nënçmojnë dhe i fyejnë nënat, të tretët i vendosin nëpër shtëpitë e pleqve, të katërtit i bojkotojnë dhe nuk i vizitojnë asnjëherë, ndërsa të pestit i vlerësojnë bashkëshortet më shumë se nënat. Bashkëshortes i jep, për të kujdeset, atë e thërret në telefon, atë e bekon, për të interesohet, asaj i jep dhurata, ndërsa për nënën as që pyet, as dhurata, as telefonata dhe as që i intereson shëndeti i saj. “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.

Kjo është gjendja e shumë njerëzve. Ku janë ata që blejnë parfume, ar dhe rroba (të modës më të fundit), ndërsa nënave nuk u dhurojnë asgjë?! Ku janë ata, që i ndërrojnë shpesh orenditë e shtëpisë, por shtëpinë e nënës e harrojnë?! Ku janë ata, që bashkë me fëmijët e tyre jetojnë në luks, ndërsa nëna e tij jeton si është më zi?! Si do të jetë gjendja e tyre para Allahut?! Këta, sikur të mos kenë në zemrat e tyre pikën e mëshirës, si do t’i përgjigjen Allahut në Ditën e Kiametit, kur do t’i pyesë për nënat e tyre? Me çfarë fytyre do të dalin para Allahut?!

Vëlla i nderuar, nuk po them ta lësh bashkëshorten pa gjë, as që t’i bësh zullum që nëna jote të kënaqet, as ta nënçmosh dhe ta fyesh me të padrejtë, që ta kënaqësh nënën tënde. Kjo nuk lejohet, sepse ato i keni marrë në besë të Allahut dhe nderin e tyre e keni bërë për vete në emër të Allahut. Bëji mirë asaj dhe jepi atë që e ke detyrim, madje edhe më shumë, varësisht nga mundësia jote. Kështu kërkon Feja nga ti. Madje nga trimëria dhe burrëria e mashkullit është që t’i japë bashkëshortes dhe ta nderojë. Siç është thënë: “Ato i nderon vetëm bujari, ndërsa i nëpërkëmb vetëm i poshtri”.

Mirëpo, o vëlla i nderuar, mos e bëj këtë në llogari të nënës tënde, sepse ajo është e dashura më e shtrenjtë te ti, pas dashurisë së Allahut dhe Resulullahut, salallahu alejhi ue selem. Ajo e meriton më shumë bamirësinë tënde, dhuratat, kujdesin dhe lodhjen tënde. Ajo ishte që të mbajti në barkun e saj, ajo ishte që të mëndi nga gjiri i saj dhe ajo ishte që të rriti, u lodh dhe shumë net mbeti pa gjumë për ty. Prandaj më të shtrenjtë se ajo nuk ka, as shoqja, as fëmija, sepse ajo me babanë tënd janë shkak – pas Allahut – për ekzistencën tënde në këtë dynja.

Vëlla i nderuar, drejtësia dhe plotësimi i haqeve ndaj secilit janë të zorshme për shumë njerëz, sepse nuk munden të vlerësojnë hakun e secilit, nuk munden të kujdesen për të gjithë që t’i plotësojë haqet dhe të kryejnë detyrimet ndaj tyre. Ky është një realitet që sot shihet dhe përjetohet, prandaj takon të atillë që tregojnë respekt ndaj nënës, kujdesen për të dhe e vizitojnë, por në anën tjetër i bëjnë zullum bashkëshorteve, nuk i nderojnë dhe nuk interesohen për to, gjë e cila është gabim. Sepse zullumi nuk lejohet. Ai e ka për detyrë që nënën ta respektojë, ta vizitojë dhe t’i bëjë mirë, e po ashtu edhe bashkëshorten ta nderojë dhe të tregojë kujdes për të.

Në anën tjetër ka syresh që kujdesen për bashkëshorten, e nderojnë, rrinë me të dhe ndaj saj shprehin kujdesin më të madh, ndërsa nënën e braktisin, nuk e vizitojnë dhe nuk interesohen për të. Zullumi i këtij është edhe më i rëndë sesa i të parit. Sepse zullumi dhe padrejtësia ndaj nënës nuk është njësoj me atë ndaj bashkëshortes, edhe pse ndaj të dyjave është e ndaluar.

Jemi të detyruar të mbajmë baraspeshën dhe të jemi bamirës ndaj nënës e po ashtu ndaj bashkëshortes.

Vetëm pak e kanë shkathtësinë që të mbajnë baraspeshën e këtyre dy anëve, madje shumë pak janë ata.

Allahun e lus që çdo djalë të jetë bamirës ndaj nënës dhe bamirës ndaj bashkëshortes. Gjithashtu e lus Allahun e Lartësuar që krejt rininë ta udhëzojë nga rruga e mirë, e udhëzimit dhe e përmirësimit. Ndërsa paqja e mëshira qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe gjithë shokët e tij.

Vetëm Allahu jep suksesin.

Nga arabishtja: Omer Berisha

Të ngjajshme

PËR TA KUPTUAR HESHTJEN E TIJ

Kushtrim Guraj

SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

Kushtrim Guraj

ZBUKURIMI I LEJUAR DHE AI I NDALUAR

Kushtrim Guraj

Problemet bashkshortore – Një rast i një çifti që më mërziti…

Kushtrim Guraj

Çka lejohet të shihet nga femra muslimane para martesës? A lejohet ta heqë shaminë që t’ia tregojë flokët atij që e kërkon dorën e saj?

Kushtrim Guraj

GRUAJA IME, TI JE DHURATA MË E BUKUR E ALLAHUT PËR MUA!!

Kushtrim Guraj

KUR NJË GRUA NDJEHET MREKULLUESHËM!!!

Kushtrim Guraj

PSE ALLAHU NUK DONË QË GRUAJA TË PIKËLLOHET!!

Kushtrim Guraj

BËJI KËTO RREGULLA LIGJ NË SHTËPI!!

Kushtrim Guraj