Njeriu në këtë botë do më shumë fëmijën e vet. Kjo dashuri, pa dyshim sjell me vete edhe pritshmëritë. Prindërit duan që fëmija i tyre të jetë mirë, të jetë gjithnjë mirë, të jetë më mirë. Kjo dëshirë është mjaft e natyrshme dhe e drejtë. Sidoqoftë, siç thonë edhe etërit tanë, në këtë botë ekziston një fëmijë që është më i miri dhe çdo prind është zotëruesi i këtij fëmije kaq të mirë. Por nëse dëshira e mirë që përmendet këtu, bëhet shkak që prindërit të fillojnë ta shikojnë fëmijën e tyre si një plan dhe ta kurdisin atë si një aparaturë mekanike, në përputhje me planet që përfytyrojnë vetë, atëherë këtu ka një problem. Sepse njeriu nuk është një projekt, nuk ngjason fare me një makinzëm. Çdo fëmijë ka tepricat dhe mangësitë e botës së vet. Dikujt prej tyre i ka ardhur që prej lindjes, e dikush tjetër e ka fituar më pas; kanë imagjinatat dhe plane e tyre, kanë të dashur dhe të urryer, kanë mundësi apo pamundësi për të vepruar. Shpërfillja e të gjitha këtyre dhe shndërrimi i fëmijës në një mekanizëm që merr çfarë t’i japësh, bën çfarë t’i thuash dhe shkon atje ku e dërgon, është shpenzim i tepruar i kohës, shpenzim i marrëdhënieve dhe i së ardhmes, si për prindërit ashtu edhe për fëmijën.
Në fakt, shumica e prindërve i dinë të gjitha këto, por megjithatë, përsëri para nesh del një humnerë e thellë midis teorisë e praktikës dhe prindërit vazhdojnë përpjekjet e tyre, pavarësisht çdo gjëje, për të rritur fëmijë projektimi. Mirëpo, përse prindërit duhet t’i realizojnë me këmbëngulje disa gjëra mbi fëmijët e tyre, megjithëse i vendosin apo nuk i vendosin emrin projekt (plan) veprave që bëjnë? Pa dyshim, përgjigjja e vetme e kësaj pyetjeje ndryshon sipas faktit se si e shikojnë prindërit të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, në kuadër të kësaj pikëpamjeje dhe mënyrës së pozicionimit të vetes apo familjes së tyre. Për shembull: disa prindër duan t’i mbyllin llogaritë e tyre sipas të kaluarës së tyre në kurriz të fëmijëve, fletorja e (llogarive) të të cilëve nuk është mbyllur ende. Ato çfarë ata nuk arritën dot t’i bënin dhe të kishin sukses në të kaluarën në pamundësi, me injorancë dhe provincialitet etj., dëshirojnë që fëmijët e tyre t’i bëjnë dhe t’ia dalin mbanë. Mobilizohen për të realizuar ëndrrat që nuk u realizuan në atë kohë, kur nuk shfrytëzuan dot kohën, përpjekjet dhe mundësitë e tyre. Por ajo ëndërr që nuk u realizua është ëndrra e tyre e parealizuar, jo e fëmijëve të tyre. Qëndrojnë me këmbëngulje mbi anglishten e fëmijëve, megjithëse në asnjëfarë mënyre nuk e rregullojnë dot anglishten e tyre; nëse nuk kanë aftësim muzikor, kërkojnë të marrin mësim muzikor; nëse janë të zhgënjyer në konceptin e pozitës, bëjnë çdo gjë që fëmijët e tyre të arrijnë një pozitë të caktuar.
Nëse fëmijët e tyre nuk tregojnë dëshirë të madhe për ëndrrat e prindërve të tyre, prindërit vënë në pikëpyetje në fillim aftësinë e fëmijëve, pastaj moralin e tyre, të cilët kanë qëndruar kaq indiferentë ndaj ëndërrave të tyre, vlera e të cilave është e pagjykueshme, që e kanë bartur përbrenda si një nyjë për vite të tëra. Gjithsesi, për të mos realizuar një ëndërr të tillë, ose duhet të jesh i paaftë ose dembel. Megjithatë, nuk ka asnjë shkak që fëmija të shkojë pas asaj ëndrre. Prandaj, mund të mos jetë i motivuar aq sa dëshiron, siç kanë dëshiruar prindërit e tyre. Sa mund të jetë i motivuar njeriu me një ëndërr që nuk e ka thurur vetë? Disa prindër nuk janë të lumtur nga ditët e sotme. Ata nuk ia kanë dalë dot të bëhen ashtu siç dëshirojnë dhe pas kësaj ore, duket si e pa mundur të bëhen. Në këtë rast, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo, është që njerëzit t’i rrisin fëmijët e tyre ashtu siç duhet. Fëmija më i kualifikuar, më i veçantë, më i aftë dhe më i talentuar do të jetë fëmija i tyre, që nëse askush nuk ka folur për ta, të flasë për fëmijët e tyre. Për një prind që nuk ka asnjë pozitë të mjaftueshme për vete, të jetë babai i një fëmije që flitet gjithnjë rreth tij, është një pozitë mjaft e mirë. Për këtë arsye, ata ngarendin fëmijët e tyre nga një kurs në tjetrin, nga një provim në tjetrin, nga kjo shkollë në një shkollë tjetër. E mbajnë gjithnjë lart thuprën, që fëmijët e tyre të jenë gjithnjë në lëvizje, të kryejnë vazhdimisht ndonjë gjë dhe t’ia dalin mbanë.
Nuk është problem, nëse nuk e di se për çfarë e kryen diçka apo përse ia ka dalë mbanë, do të vijë dita për ta kuptuar. Nga ana tjetër, në botën e fëmijës dominojnë disa fakte krejt ndryshe. Por rritet një njeri me një identitet dhe personalitet të shtypur e të nëpërkëmbur dhe që vrapon vazhdimisht me një ndjenjë pamjaftueshmërie pambarim, duke mos ditur se çfarë kërkon. Ndoshta është i sigurt nga suksesi i së nesërmes, por është vazhdimisht në dyshim për lumturinë e vet. Disa prindër kanë aspirata për të ardhmen. Prandaj, duan që fëmijët e tyre ta jetojnë plot e përplot jetën e tyre, të cilën nuk e jetuan dot vetë. Por për ta pasur të mbushur plot e përplot, punojnë për ta mbushur, duke parë të nesërmen krejtësisht prej ditës së sotme. Mendojnë që fëmijët e tyre ta fillojnë të ardhmen të përgatitur, për arsye se vetë ata janë zënë të papërgatitur për ditët e sotme. I orientojnë fëmijët e tyre drejt profesioneve të famshme si profesione të së ardhmes, i marrin menjëherë aparatet që kanë mësuar t’i përdorin si teknologji e së nesërmes dhe dëshirojnë që t’i mësojnë edhe fëmijët e tyre. Përpiqen t’i rrisin fëmijët e tyre përtej kohës që kanë jetuar vetë. Për këtë arsye, fëmijët e tyre mbeten të detyruar të takohen kryesisht me më të mëdhenj se vetja, në vend të bashkëmoshatarëve të tyre. Për këta fëmijë është sikur të kenë veshur rroba shumë të gjera dhe të papërshtatshme që i shqetëson ata.
Çfarëdolloj shkaku të “pranueshëm” të kenë prindërit për veten e tyre, fëmija nuk është projekt-plan. Aktualja ose e ardhmja e tyre, nuk është fëmija apo bashkëshortja e tij, por vetëm dhe vetëm vetvetja. Për këtë arsye, nëse do të bëjë një plan, duhet ta bëjë mbi veten e vet. Është e padrejtë të presë nga i biri që është më i vogël dhe pa përvojë një njeri, i cili ekziston vetëm në kokën e tij. Natyrisht që prindërit duan të mirën e fëmijës së vet. Prandaj, ajo që kërkohet përsëri është të bëjnë plane mbi veten e jo mbi fëmijën e vet. Sidoqoftë, fëmija ndikohet më shumë nga sjelljet e prindërve sesa nga fjalët e tyre; një prind që e kontrollon veten, që programon plane mbi veten e vet, pa dyshim që do të rrisë fëmijë më të drejtë se një prind që përpiqet ta konsiderojë fëmijën e vet si një plan dhe ta trajtojë si të tillë, duke mos bërë asgjë që ka lidhje me të dhe me qortime e ndëshkime.