Rtv Pendimi

NËSE JO PANTALLONA TË SHKURTËRA, A THUA NA DUHEN FUNDA TË SHKURTËR?!

Dr.Bashkim Aliu

Në kohën e fundit, është bërë zakon, i cili është shndërruar edhe në modë dhe “jelek shpëtimi” për politikanët e dështuar, që të dëgjohen zëra të cilët nuk janë më tepër se refrene të mërzitshme të cilat përsëriten herë nga majtistë, e herë nga djathtistë, herë nga të qendrës, herë nga “nacionalistë” herë nga “kozmopolitë”, herë nga pro evropianë, pro amerikanë, e shumë imitues tjerë të dobët të të huajve, që me pak fjalë, kjo dukuri, mund të cilësohet edhe si papagallizëm i lodhshëm, e që konsiston në atë se Kosovës, shqiptarëve dhe viseve tjera ku jetojnë shqiptarët, nuk u duhen pantallona të shkurtëra, mjekrra të gjata, e shumë refrene të këtilla të mërzitshme. Ata të cilët i plasojnë këto biseda, që u duket se janë duke folur për çështje madhore që meritojnë të renditen në rangun e vizionarëve të mëdhej të popullit, nuk nisen nga parime fetare dhe as që kanë për qëllim të japin vlerësime fetare. Për atë, edhe ne, së paku në këtë shkrim, nuk do të debatojmë me ta nga aspekti fetar. Por, do të nisemi nga realiteti ekzistues në mjediset tona, dhe nga esenca e thirrjeve të tyre, si dhe vlerësimeve të tyre të cilat janë shndërruar në muzikë shurdhuese për veshët e shëndoshë, dhe aq më tepër, të gjithë i kanë kuptuar se kur nuk kanë për çka të kapen dhe çka të flasin, e edhe më tepër, me çka t’i arsyetojnë dështimet e tyre të dukshme në fusha të ndryshme, politikanët e dështuar në Ballkan në përgjithësi, e në trojet shqiptare në veçanti, kapen për pantallonat e shkurtëra, mjekrrat e gjata, e ku ta di sa e sa muhabete tjera të kësaj natyre.
Sa për korrektësi, nuk është i fundit Xhavit Haliti që foli për këtë gjë në një emision televiziv, me çka është shndërruar në kandidat potencial për personazh të këngëve të reperit preshevar Gold AG, dhe mendoj  se, as që do të jetë i fundit, marrë parasysh se dështimet e politikanëve tanë nuk kanë të ndalur, dhe avanturat e tyre poashtu, të tillë ka patur dhe do të ketë, por ja që atij i ra rendi të jetë personazh debati në këtë shkrim. Ky, dhe tjerët, vazhdimisht përmendin se ne nuk kemi nevojë për pantallona të shkurtëra. Kur i dëgjoj muhabetet e këtilla, apo kur i lexoj deklaratat e këtilla në mediumet e shkruara, pyes vallë çka duan të thonë me këtë? A thua kan bërë ndonji studim të mirëfilltë shkencor për nevojat e popullatës tonë, dhe kanë ardhur në përfundim se populli ynë nuk ka nevojë për pantolla të shkurtëra? Atëherë, pyes: Po çka konstatuat nga ai studim? Për çka ka nevojë populli ynë? Ajo për çka ka nevojë populli ynë, sipas “studimit” tuaj, sa është realizuar nga ju si klasë politike që e keni pushtetin në Kosovë vite me radhë? Sa është i kënaqur populli nga ju? Sa i keni plotësuar nevojat e popullit i cili ju ka votuar, apo vota e të cilit është futur në kuti në emrin tuaj? A thua ju këto nevoja i plotësuat, që të konstatoni se për pantallona të shkurtëra nuk ka nevojë? Vërtet ju pyes, dhe thjesht, sipas kushtetutës që ju e keni votuar, liria e mendimit është e garantuar, dhe unë shfrytëzoj këtë të drejtë, që këtë mendim timin të kundërt me atë që thoni dhe bëni ju, ta shprehi në formë të pyetjes.
Por nuk është vetëm kjo. Duke e shfrytëzuar të drejtën e mendimit të lirë, ju pyes mos vallë ju jeni të sëmurë nga ndonji sëmundje e cila shkaktohet nga pantallonat e shkurtëra? Tregoni, mos vuani nga pantallonshkurtfobia, apo nga mjekrrofobia? Nëse vërtet jeni të sëmurë nga ndonji sëmundje e këtillë, pra keni fobi, tregoni, ose t’ju propozojmë ndonji shërbim psikiatrik që do t’ju ndihmojë në këtë drejtim, ose pa, të kërkojmë prej shqiptarëve t’ju ndihmojnë duke mos i shkurtuar pantallonat dhe duke mos i lëshuar mjekrrat? Po çka do t’u bëjmë priftërave të cilët kanë mjekrra të gjata? Atyre s’mund t’u thoni gjë. Kjo duhet pak e rëndë, po mendoj se do të mund t’i bindim ta bëjnë këtë, ngase është obligim t’u ndihmohet nevojtarëve, e në këtë rast, ju jeni nevojtar për një ndihmë të tillë. Mirëpo, mendoj se kjo e të shkurtërave nuk e di sa do të jetë efektive, ngase më lind një pyetje: Nëse keni fobi nga të shkurtërat, a thua kjo fobi është vetëm nga pantallonat e shkurtëra, apo edhe nga teshat tjera të shkurtëra? Kjo, ngase trojet shqiptare janë përplot femra të cilat mbajnë funda të shkurtër, por ju nuk jeni deklaruar se ju pengojnë, apo se ju iritojnë, apo se ju shkaktojnë probleme të natyrës psikologjike? Nëse ju përgjigjeni se unë jam shumë larg asaj që mendoni ju, gjegjësisht se nuk bëhet fjalë për fobi nga të shkurtërat, por thjesht se populli ynë nuk ka nevojë për mjekrra dhe pantallona të shkurtëra, atëherë unë mendoj se ju nuk jeni të vetëdijshëm çka flisni. Ju nuk dini të vlerësoni, dhe nuk dini të dilni nga situata, kur jeni ngushtë. Ju realisht, krijoni huti me deklarata të këtilla, dhe u jepni shkak tjerëve ta akuzojnë popullin tonë se është fole e ekstremizmit, fundamentalizmit, terrorizmit etj., dhe të na paraqesë ne shqiptarëve si faktor destruktiv. Nëse në një popull ka elemente destruktive duhet të luftohen, por nëse janë vërtet destruktive, ndërkaq unë nuk di se destruktiviteti vjen thjesht nga shkurtimi i pantallonave. Nëse qenka kështu, atëherë ju më jepni të drejtë të konstatoj se sa më shkurtë, aq më destruktiv, gjegjësisht se më destruktiv për popullin tonë janë fundat e shkurtë të femrave, ngase ato janë edhe më të shkurtëra se sa pantolla e këtyre që i shkurtojnë pantallonat. Ose, nëse nuk është kështu, atëherë, ekstremistë të vërtetë janë vlerësuesit paushall të cilët japin deklarata të pamatura, dhe pseudo analistët të cilët shkaktojnë huti në popull, e që në këtë rast janë laikët ekstremistë. Me këtë, ekstremistë të vërtetë na paraqiten laikët dhe ateistët, e jo fetarët dhe të devotshmit.
Nëse keni bërë studime të mirëfillta shkencore dhe keni arritur në përfundim se popullit tonë nuk i duhen mjekrra, pyetja ime është: Në “studimin tuaj”, a arritët në konstatime se popullit tonë a i duhen meshkuj me vanthë, me pantallona të grisura që ju duken veshjet e brendshme, femra dhe meshkuj me tatuazhe, me metale nëpër buzë, hundë, vesh, etj? Pse këto çështje nuk i trajtoni asnjiherë, dhe nuk flisni se këto gjëra a i duhen apo jo popullit tonë?
Dhe në fund, një pyetje për Xhavitin e parlamentit të Kosovës dhe tjerët të kalibrit të tij: Nëse nuk na duhen pantallona të shkurtëra, a thua vallë na duhen funda të shkurtër?!

© ZHURNAL.mk

TË NGJAJSHME