I riu mund të bjerë në gjynah e më pas të ndiejë keqardhje, të pendohet dhe ta braktisë gjynahun. Pastaj sërish ta përsëritë gjynahun dhe të pendohet. Dhe kështu të vazhdojë për disa herë, derisa ta pyesë veten se a ka pendim për mua në këtë rast! Shejtani e shfrytëzon momentin t’i bëjë intriga se ai nuk është serioz në pendim dhe se për të më e mira është ta lërë pendimin.
Mirëpo, kur në vete mendon seriozisht, ka për të thënë: Gjynahu i parë kaloi dhe u pendova prej tij, e ky është gjynah tjetër dhe do të pendohem prej tij. Më e mirë për mua është të vdes duke u penduar se të vdes duke këmbëngulur në gjynahe.
Këtë botëkuptim e vërtetojnë hadithet në sunetin profetik. Ebu Hurejra h përcjell se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur robi bën gjynah dhe thotë: ‘O Zot, më fal se bëra gjynah!’ Allahu tha: ‘Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fal robin Tim.’ Pastaj për aq kohë sa deshi Allahu nuk bëri gjynah, e kur e bëri sërish, robi tha: ‘O Zot, më fal, bëra një gjynah tjetër.’ Allahu tha: ‘Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fal robin Tim.’ Allahu e përsëriti tri herë (fjalën e fal robin Tim) dhe tha: ‘Le të veprojë çfarë të dëshirojë (përderisa çdoherë që bën gjynah të ri, kërkon falje dhe pendohet nga gjynahu)’. ”[1]
Ukbe ibn Amiri tregon për një njeri që shkoi te Pejgamberi (alejhi selam) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kur ndonjëri prej nesh bën gjynah, çfarë bëhet me të?” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “I shkruhet gjynahu.” E nëse pas gjynahut kërkon falje dhe pendohet? Pejgamberi (alejhi selam) tha: “I falet atij dhe i pranohet pendimi.” E, nëse i kthehet sërish gjynahut? Pejgamberi (alejhi selam) tha: “I shkruhet gjynahu.” E, nëse pas gjynahut kërkon falje dhe pendohet? Pejgamberi (alejhi selam) tha: “I falet atij dhe i pranohet pendimi.” E, nëse i kthehet sërish gjynahut? Pejgamberi (alejhi selam) tha: “I shkruhet gjynahu dhe Allahu nuk lodhet (për t’ia falur robit) derisa ju nuk lodheni (së kërkuari falje).”[2]
Aliu ka thënë: “Më i mirë në mesin tuaj është ai që pas gjynahut pendohet.” I thanë: “E, nëse i kthehet sërish gjynahut?’ Tha: “I kërkon falje Allahut dhe pendohet.” I thanë: “E, nëse i kthehet sërish gjynahut?’ Tha: “I kërkon falje Allahut dhe pendohet.” I thanë: “E deri kur kështu?” Tha: “Derisa shejtani të lodhet.”[3]
Hasan el-Basriut, Allahu e mëshiroftë, i thanë: “A duhet t’i vijë turp atij i cili i kërkon falje Allahut për gjynahet e tij e më pas u kthehet gjynaheve, pastaj kërkon falje dhe prapë u kthehet gjynaheve?!” U përgjigj: “Shejtani dëshiron dhe shpreson që t’ju mundë në këtë mënyrë, për këtë shkak, mos e ndalni istigfarin (kërkimfaljen)!”
Omer ibn Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, në fjalimin e tij të xhumasë, tha: “O ju njerëz! Kush bie në gjynah, le t’i kërkojë falje Allahut dhe le të pendohet. Nëse prapë i kthehet gjynahut, le t’i kërkojë falje Allahut dhe le të pendohet. Nëse prapë i kthehet gjynahut, le t’i kërkojë falje Allahut dhe le të pendohet. Me të vërtetë ato janë gjynahe të varura në qafën e njeriut, ndërsa i gjithë shkatërrimi është në këmbënguljen për veprimin e tyre.”
Ky botëkuptim është përfshirë brenda ajetit: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 135)
Po ashtu, është përfshirë në ajetin: “Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë. Ndërsa, vëllezërit e vet (prej njerëzve), ata i shpien edhe më tej në humbje pa pushuar.” (El-Earaf: 201-202)
Numan ibn Beshiri në komentarin e fjalëve të Allahut: “…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim…” (El-Bekare: 195), tha: “Nëse ndonjëri nga ju bie në gjynah, mos ta çojë veten e tij në shkatërrim dhe mos të thotë: nuk ka pendim për mua; por le të kërkojë falje prej Allahut dhe le t’i kthehet Allahut me pendim, sepse Allahu është Falës dhe Mëshirues.”[4]
E pyeti një njeri el-Bera ibn Azibin për kuptimin e fjalëve të Allahut “…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim…” (El-Bekare: 195), se a e ka për qëllim njeriun që e takon armikun e lufton me të derisa të vritet? I tha: “Jo, për qëllim e ka atë njeri që bën gjynah dhe thotë se Allahu nuk ma fal këtë gjynah.”[5]
Seid ibn el-Musejibi, Allahu e mëshiroftë, në komentarin e fjalëve të Allahut: “…sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen.” (El-Isra: 25), tha: “Për qëllim është ai i cili bën gjynah e më pas pendohet, pastaj sërish bën gjynah e më pas pendohet, pastaj sërish bën gjynah e më pas pendohet.”[6]
Ata ibn Jesari, Allahu e mëshiroftë, në komentarin e po të njëjtit ajet, tha: “Robi bën gjynah e më pas pendohet dhe Allahu ia fal atij; pastaj robi sërish bën gjynah e më pas pendohet dhe Allahu ia fal atij; pastaj herën e tretë robi bën gjynah e, nëse pendohet, Allahu ia fal atij me një pendim që nuk shlyhet më.”[7]
Vehb ibn Xheriri përcjell prej babait të vet, i cili ishte prezent te Hasan el-Basriji kur erdhi një njeri e pyeti dhe i tha: “Çfarë thua për një njeri i cili bën gjynah e më pas pendohet?” I tha: “Pendimi i tij ia shton më tepër afërsinë tek Allahu.” “E, nëse bie sërish në gjynah dhe pendohet?” – e pyeti sërish. Tha: “Pendimi i tij ia shton më tepër respektin tek Allahu.” Më pas e tregoi një hadith të Pejgamberit (alejhi selam) dhe e lexoi ajetin: “Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë.” (El-Earaf: 201)[8]
DR. MUHAMED ED DUVEJSH
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”
(Libri është i përkthyer në shqip)
[1] Buhariu (7507), Muslimi (2758).
[2] Hakimi (4/275), dhe tha që hadithi është sipas kritereve të imam Buhariut, megjithatë nuk e ka nxjerrë hadithin. Taberaniu në el-Kebir dhe po ashtu në el-Mexhmea (10/200) dhe tha që zinxhiri i hadithit është i mirë.
[3] Ibn Ebi Dunja.
[4] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7092).
[5] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7093).
[6] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7095), Ibn Xheriri (15/69).
[7] Ibn Xherir (15/71).
[8] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7096).