Nga Albina FERKO-NANAJ: Me gjakun e martirëve sirianë ujitet jeta

-E para kryqëzatë e vitit 1096, drejtuar për në Levant, një hapësirë e gjerë tokësore ku përveç Tokës së Shenjtë përfshihet edhe Siria e sotme, e cila u shoqërua më pas edhe nga dy të tjera, la pas rreth një million të vdekur, shkatërrim dhe dëshperim. Vetë studiuesit perëndimore i konsiderojnë kryqëzatat si luftrat fetare më barbare dhe më genocidiale të historise së njerëzimit. E megjithatë, banorët e kesaj toke të bekuar, gjetën forcën dhe vullnetin të rindertonin jetën, qytetërimin e rrënuar dhe mbi të gjitha të rikthenin shpresën e shuar. Salahudin Ejubi, komandanti fisnik, arriti të mposhtë kryqëtarët, dhe në një akt të pashembullt bujarie dhe humanizmi, u garantoi atyre rrugën e kthimit, pa cenuar jetën dhe nderin e tyre, madje duke u mundësuar edhe te merrnin pasurinë e pamatë ne ar qe kishin siguruar duke zhvatur popullsinë vendase. Nën shembullin e Profetit a.s kur hyri në Mekë, edhe ai u udhëhoq nga falja, jo nga hakmarrja ndaj atyre që deri dje kishin dhunuar dhe torturuar muslimanet. Përpjekjet për rimëkëmbje kulmuan me çlirimin e Jeruzalemit në vitin 1187.

-Në distancë kohore rreth një shekull e gjysmë nga kryqëzata e parë, rreth viteve 1240, Siria u shndërrua në shënjestrën e hordhive mongole. Në vitin 1300, mongolët pushtuan Alepon dhe Damaskun duke shkatërruar dinastinë ejubite. Arma më e fortë e mongolëve ishte terrori. Çdokush, pa dallim, përfshi civilët, tejshkohej nga shpatat e tyre të mprehta. Mongolët vinin në Levant pasi tërbimi i tyre kishte shkatërruar një nga qendrat e kulturës dhe civilizimit islam, pikërisht Bagdadin të themeluar nga kalifi abasid Al-Mansur. Bibliotekat e djegura dhe shkatërruara të Bagdatit ishin një nga humbjet më të mëdha të njerëzimit, vajtimi për të cilat vijon edhe sot nga akademikë dhe studiues që ushqimin me dije e kanë parësor. Boja e librave u përzie me gjakun e pafajshëm të muslimanëve. Pavarësisht mossuksesit të mongolëve për të shkatërruar islamin, ata lanë pas plagë të rënda në zemrën e botës muslimane. Rajone të tëra u shpopulluan, kanalet e vaditjes, fushat me të mbjella dhe infrastruktura ekonomike u rrënua në mënyrë thuajse të pariparueshme. Pushtimi mongol ishte periudha më demoralizuese në historinë islame. Vdekja dhe shkatërrimi që ata mbollën është i pakrahasueshëm në historinë muslimane. Megjithatë, me kalimin e kohës pasuesit e mongolëve përqafuan islamin dhe u absorbuan në kulturën vendase. Pavarësisht dhimbjeve, plagëve dhe shkatërrimit, muslimanët gjetën forcën të ringrihen dhe rimëkëmben.

-Tmerri dhe shkatërrimi që Siria përjeton sot, është i krahasueshëm për nga makabriteti pikërisht me atë që ngjau gjatë këtyre dy periudhave të errëta për muslimanët në veçanti, por edhe për njerëzimin në tërësi, ndërsa civilizimi pararojë për kohën që flasim, u përball me sfidat e tij më të rënda.

Megjithatë, përtej çdo dëshpërimi, dorëzimi, apo brengosjeje që shkaktojnë pamjet e trishta dhe surreale të Alepos sot, njësoj si atëherë, banorët e këtyre tokave, të udhëhequr nga forca shpirtërore dhe morale e pakrahasueshme që besimi u mundëson, do të jenë në gjendje të ripërtërijnë jetën, qytetërimin, dijen dhe shumëçka tjetër që qytetërimi islam i dha njerëzimit përgjatë shekujve të ekzistencës së tij.

“A menduan njerëzit se do të thonë që besuan dhe nuk do të sprovohen?”, thotë një citat Kur’anor.

Sot banorët e Sirisë janë më të sprovuarit, por edhe më të dashurit tek Zoti.

Lutuni për Sirinë dhe Sirianët, të bindur që e nesërmja do të jetë akoma më e shkëlqyeshme dhe e lavdishme se e djeshmja. /tesheshi.com/