Nga Enkel Demi: Një “pen…” për një gropë

Dikujt në Tetovë i ka ardhur shpirti në majë të hundës me gropat e rrugëve, dhe ka vizatuar rreth tyre organe gjenitale mashkullore. Kjo farë proteste ka nisur fillimisht në qytetet britanike, më pas në Prishtinë, e tash në Tetovë. Të shohim si do të veprojë zonja Teutë, por jam i sigurt që nëse ky lloj reagimi do të përhapej, Shqipëria e fotografuar nga lart do të kishte shenjën e penisit.

Këto ditë ka ardhur në Tiranë për të jetuar do muaj një nga gazetarët dhe dokumentaristët më të dalluar zvicerianë, Vasco Dones, të cilin e kam mik. Herën e fundit që u pamë më tha një gjë shumë interesante, e cila më mbeti në mendje. Ai më rrëfente që në gjithë botën ku kishte shkuar për punë, robi ecën në rrugë dhe sheh panoramën, pemët, godinat. Vetëm në Shqipëri robi duhet të ecë kokulur, e të shohë trotuarin prej gropave e pusetave pa kapak.

Natyrisht që është një vëzhgim i rëndomtë, por tejet i spikatur për realitetet e qyteteve tona. Shpesh më qëllon të mendoj nëse për këto halle të së përditshmes fajin e kanë qeverisësit vendorë apo populli. Duhet të jetë një përzierje, tip cocktail. Bashkitë dhe komunat zgjidhen për të shërbyer, por dhe qytetarët nuk janë aty për të dëmtuar apo grabitur. Sipas meje, edukata në hapësirat tona është fillesa e halleve. Fjala vjen, një person i cili gëzon mundësinë e pronës mbi një makinë mundohet ta shpalosë kudo këtë fat që i ka rënë derë. Si?

I bie borisë në semafor sapo feks drita e gjelbër, pështyn nga dritarja, e ngre në kupë të qiellit zërin e muzikës tallava që duhet ta ndryjë brenda hapësirës së vozitjes, e flak kanaçen e pijes energjike ku ta mendojë, grindet me fjalë të ndyra nëse dikujt i fiket makina para tij, fut gishtin në hundë sepse mendon që është i vetëm dhe zot në këtë botë, mban fëmijë motakë të ulur në pëqi dhe i jep makinës, nuk përdor sediljet e posaçme për të miturit, vritet nëse i gërvishtin mjetin, i konsideron tabelat armike, e shtetin pushtues.

Ka të tjerë që mendojnë se duhet t’ia dalin të jetojnë duke grabitur kapakët e pusetave dhe zgarrat anësore të kanaleve kulluese. Këta qytetarë dhe votues kanë ngritur një biznes ortakërie me kompanitë e skrapit dhe të shkrirjes së hekurishteve në furrnalta. Marrin do lekë për këto shërbime të vyera, ndërsa të tjerë që bien në gropat pa kapele, thyejnë këmbët në disa vende, brinjët, dhe lëngojnë në spitalet tona, duke paguar edhe shumë më shumë që të shërohen. Në këto raste pushtetarët kthehen në gjasën më të mirë në konstatues të dëmit, dhe, në gjasën më të keqe, në akuzues të kundërshtarit politik.

Kudo ku kam bredhur në qytetet e shqiptarëve kam gjetur kantiere ndërtimi dhe vështirësi të habitshme për të kaluar një ditë të thjeshtë. Kur para do kohësh u futa në Strugë, makina desh u thye në mes nga gropat, ndërsa ajo perlë e kulturës orientale së banimit kishte rënë peng i dëshirës për të jetuar keq.

Njeriu nuk ka nevojë të jetë përherë i pasur që të jetojë në një qytet, ku të thonë “mirëmëngjes” e “mirëmbrëma”, dhe, ashtu si Vasko, të shëtisë duke parë peizazhin! /tesheshi.com/