Rtv Pendimi
Dijetaret

Nga Kolosët e kësaj Feje – Abdul Kader Arnauti

Abdul Kader Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është një prej dijetarëve më të njohur në lëmin e hadithit në tokat arabe dhe më gjerë.

Emri i tij i vërtetë është, Kadri Abd El-Kadir Ibn Sokol El-Arnauti. Lini në Vrellë të Istogut në vitin 1928. Ndërsa kur i kishte vetëm tri vite ai u detyrua që së bashku me tërë familjen të shpërngulej për në viset e largëta të Sirisë së sotme, ku gjeti strehim në Damask të Sirisë. Shkollimin fillorë e filloje në shkollën për edukim islam në të cilën qëndroje vetëm dy vite për të vazhduar pastaj në shkollën ‘’ Is’af El-Hajrije’’ në Damask të Sirisë deri sa e përfundon klasën e pestë në vitin 1942.

Më pas detyrohet të i ndërpres mësimet për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe fillon të punojë si orëndreqës në Damask, punë kjo që e bënte në përpjekje për të siguruar sadopak ndihmesë familjes së tij. Ishte punëtorë tek një prej dijetarëve të njohur të asaj kohe, tek Seid El-Ahmer Et-Tilij, e i cili pasi që e vëren zgjuarsinë e tij dhe përkushtimin e tij për dije e ndihmon edhe financiarisht që ai të i rreket dijës duke i thënë se:’’ Ti nuk vlen për asgjë tjetër vetëm se për dije ‘’. Abd El-Kader El-Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, punonte gjatë ditës ndërsa gjatë natës mësonte Kuran, Hadith, Gjuhë Arabe, Gramatikë etj.

Abd El-Kader El-Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, rrjedh nga një familje me një standardë të ulët të jetesës por që shquheshin për nga bujaria dhe nderi i tyre. Ishte edukuar fillimisht nga prindërit e tij edhe pse nëna e tij, Shaha, vdes derisa ky ishte i vogël. Kishte gjithsej 11 fëmije, prej tyre 8 djem dhe 3 vajza. Në fillim të shpërnguljes së tij jetojë për afro një vit në lagjen Rukn Ed-Dinë në Damask të Sirisë e më vonë shpërngulet në lagjen ku gjendeshin shumica e të shpërngulurve nga trevat shqiptare e që njihej si lagjja e Arnautëve në Damask të Sirisë.

Ishte i njohur për shkencën e hadithit dhe për kujdesin dhe përkushtimin e tij në përhapjen fjalës së Allahut xh.sh. Abd El-Kader El-Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, e fliste shumë bukur gjuhën shqipe të cilën e kishte mësuar nga i ati i tij e po ashtu fliste nga pak edhe frëngjisht gjë që i ndihmojë shumë në përhapjen e dijës dhe të thirrjes edhe në këto dy gjuhë. Ndërsa sa i përket përkushtimit të tij ndaj thënieve profetike e dëshmon vetë Abd El-Kader El-Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, ku tregonte se sa ishte në shkollën fillore ai në mes të orëve të mësimit arrinte që të mësonte mbi 5 thënie profetike. Ishte i njohur për mba-mendjen që kishte. Ishte një njeri modest dhe nuk pranonte që të quhej me epitete të ndryshme që janë të njohura për lavdërimin e dijetarëve. I vetmi emër që ai preferonte dhe që e përdorte shumë në shkrimet e tij ishte ‘’ Robi i varfër ‘’, andaj kjo është dëshmi për modestinë e tij.

Nuk kishte të përfunduar shkollim akademik por dijen e kishte marrë nga një numër i madh i dijetarëve të asaj kohe në Damask të Sirisë, e që në atë kohë Damasku ishte i njohur si vatër e dijes dhe dijetarëve. Njohuri të shumta kishte rreth Kuranit dhe shkencave të tij, pastaj rreth hadithit, morfologjisë dhe sintaksës arabe, jurisprudencës hanefite, etj.

Kështu ai mori mësime nga disa dijetarë të shquar shqiptarë si Sulejman Gavoxhi, Zoti e mëshiroftë, nga i cili mësoi shkencat e fikhut dhe morfologjinë (arabe). Leximin e Kur’anit dhe texhvidin e mësoi nga dijetari Subhi el-Attar dhe nga dijetari Mahmud Fajzud-Dijr Atanijj; nga dijetari Muhamed Salih el-Ferfur, mësoi gjuhën arabe, fikhun hanefi, tefsirin, retorikën, stilistikën dhe elokuencën, që e shoqëroi edhe në mësimdhënie te nxënësit e tij për një periudhë rreth dhjetë vjet, e edhe nga dijetarë të tjerë në Siri. Dijetari ynë nuk dallon asnjë nga nxënësit e tij, ai modestinë e tij e shpreh edhe atëherë kur nxënësit që kishin mësuar për vite prej tij, i konsideron vëllezër me të cilët i bashkë-mëson shkencat fetare.

Ishte shoqërues i shumë dijetarëve prej të cilëve kishte përfituar shumë , e në mesin e tyre ishin edhe Naser Ed-Din El-Albani dhe Shuajb El-Arnauti, që të dy këta me origjinë nga Shkodra e Shqipërisë. Ishte pjesëmarrës në shumë seminare dhe simpoziume në nivel botërore, e po ashtu është autorë i afro 40 veprave. Punën e tij kryesore e kishte në nxjerrjen dhe vërtetësinë e thënieve profetike, ku këtë punë më së shumti e kishte bërë në bashkëpunim me Shuajb Arnautin.

Punojë si mësimdhënës i lëndës së Kuranit dhe asaj së Hadithit prej vitit 1952-1959 në shkollën ‘’ Is’af El-Hajrije’’ në të cilën edhe e kishte përfunduar shkollimin fillor.

Pastaj kalon në Institutin Arabo-Islamik në Damask të Sirisë ku punojë si mësimdhënës si lëndës së Kuranit dhe Jurisprudencës.

Ndërsa si ligjërues në xhamitë e Damaskut punojë për më shumë se 30 vite.

Ishte disa herë për vizitë në Kosovë dhe në Shqipëri, ishte çdo herë i përkushtuar për vendlindjen e tij andaj edhe merrej me ndihmesën e studentëve që vinin nga viset shqiptare duke ua mundësuar atyre që të studionin në Siri apo që të kalonin për studime në Arabinë Saudite e që ai vetë përkujdesej për pranimin e tyre dhe për ndihmesën e tyre financiarisht në rast nevoje.

Abd El-Kader El-Arnauti, Allahu xh.sh e mëshiroftë, ishte shumë i sprovuar ku këto sprova fillojnë me shpërnguljen e tij prej Kosovës, pastaj mos mundësia e tij që të shkollohet, goditje të rënd i kishte dhënë edhe vdekja e së ëmës e po ashtu edhe e bashkëshortes së tij, mandej ai ndalohet nga ligjërimi dhe nga çdo aktivitet tjetër nën pretekstin se gjoja paraqiste rrezik për regjimin e Sirisë, pastaj u detyrua që të qëndronte i mbyllur në shtëpi duke mos pas të drejtë që të prezantonte në asnjë lloj aktiviteti apo tubimi.

Në mëngjes të ditës së premte, më 14 shevval 1425 h (27.11.2004), në Damask, vdiq papritmas nga një sulm në zemër dijetari i shquar shqiptar Abd El-Kader El-Arnauti, në moshën 76 vjeç, të cilët i ka kaluar në mësim, mësimdhënie, studim dhe thirrje islame. Namazi i xhenazes iu fal në xhaminë “Zejnel Abidin” në lagjen el-Mejdan të Damaskut, pas namazit të xhumasë.

Dijetari i madh Abd El-Kader El-Arnauti është njëri nga shkencëtarët që zgjodhën rrugën e shoqërimit me të Dërguarin e Allahut alejhis-selam, pikërisht në shërbim të haditheve të Pejgamberit. Në këtë rrugë, me ndihmën e Allahut, arriti sukses të dukshëm në këtë shkencë, duke bërë hapa vendimtarë, prej të cilëve përfituan njerëzit në mbarë Botën Islame. Ky pati një rrugëtim të këndshëm në shoqërim me Synetin, me gjithë vështirësitë që hasi.

/mesazhi/

Përgatiti: Artan Musliu

Të ngjajshme

Shuajb al-Arnauti

Kushtrim Guraj

Imam Buhariu

Kushtrim Guraj

MUHAMED NASIRUDIN ALBANI 1914 m.-1999 m.

Kushtrim Guraj