Nga Roald A. HYSA*: Ibrahim Basha dhe islamofobia

Një valë islamofobie është ushqyer nga disa rrjete sociale, ku demonstrohen foto të një adoleshenti që tregon me gisht. Katër besimtarë ndalohen në Gjirokastër nga Komisariati i Policisë, ku njëri ndër ta ishte i verbër. Një frikë irracionale ndaj një celule të ISIS në Lazarat dhe ndalime të lazaratasve me orë të tëra në polici pa ndonjë arsye të dukshme

Para pak ditësh u përcoll me lot e me dhimbje efektivi i RENEA-s, oficeri Ibrahim Basha, nga të gjithë të afërmit. Funerali i tij u fut brenda protokollit shtetëror dhe njëkohësisht edhe shërbimet e fundit fetare. Vrasja e efektivit Basha shkaktoi një shqetësim të madh jo vetëm tek të afërmit, por edhe tek e gjithë bashkësia myslimane, e cila doli ta përcjellë dhe t’i japë lamtumirën e fundit nëpërmjet faljes së xhenazes dhe lutjeve për shpirtin e rahmetliut. Në të gjithë rrjetet sociale u shpreh dhimbja ndaj humbjes së jetës së oficerit Basha nga të gjithë muslimanët, të cilët u lutën që Zoti ta gradojë dëshmor atë.

Ai u përcoll si një hero nga të gjithë, sepse vdekja e tij nuk ishte normale. Ai u vra në krye të detyrës dhe kjo është me të vërtetë një vdekje e lavdëruar, porse pasojat e saj për familjen janë ato që na shqetësojnë më shumë në këto momente. Ai lë pas prindërit e vet dhe 9 motra e një vëlla më të vogël se vetja. Absurdi i vrasjes së tij është se oficeri Basha pas disa misionesh në zona lufte, në Afganistan e Irak, ku me siguri i kanë fërshëllyer me qindra plumba mbi kokë gjatë shërbimit, ai arrin të shpëtojë dhe të vritet pikërisht në atdhe. Edhe një nga bashkëluftëtarët e tij në Irak shprehte dhimbjen e vet në këtë drejtim. Në ndryshim nga shumë efektivë policie të vrarë në krye të detyrës, Basha nuk u varros në varrezat civile të qytetit, por u nderua si dëshmor i kombit.

Edhe vetë Myftiu i Tiranës Ylli Gurra e theksoi disa herë këtë fakt gjatë fjalës së tij në ceremoninë mortore. Madje ai kërkoi me shumë këmbëngulje gjetjen dhe ndëshkimin e fajtorëve. Ndërkaq, pa u zbardhur mirë ngjarja mediet filluan të hedhin baltë mbi figurën e oficerit Basha me lajme të sajuara, ku hyri në lojë ISIS. Pa u vërtetuar se kush mund të ishin dorasit e vërtetë na dolën lajme që në Lazarat kishte një celulë të ISIS me 50 persona të stërvitur prej kohësh, dhe se ata ishin përgjegjësit për vrasjen. Qarkulluan disa foto të një adoleshenti, kur në fakt dukej një punë e bërë nga një profesionist i pjekur. E të gjitha variantet e mundshme me ISIS, drogë, rock’nroll, pije alkoolike etj., qarkulloi përpara se Ibrahim Basha të niste udhëtimin e tij drejt përjetësisë. Islamofobia si gjenerues lajmesh është mjeti më i mirë, dhe shoqëria jonë shqiptare vazhdon të vuajë mungesën e etikës profesionale të disa gazetarëve të pamoralshëm.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ditën e premte policia ofron spektakël duke ndaluar katër besimtarë përpara faljes së xhumasë. Besimtarët shoqërohen me pranga në duar në komisariatin e Gjirokastrës dhe pas një ore lihen të lirë. Ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, thirri në zyrën e tij dy drejtues fetarë me autoritet në zonë, për t`ju kërkuar ndihmesë e bashkëpunim në kryerjen e detyrës nga ana e policisë për rivendosjen e ligjit në zonë. Dy hoxhallarët kanë shprehur gadishmëri maksimale dhe mbështetje të plotë për strukturat ligjvënësve për çdo rast. Me gjithë këtë gatishmëri të shprehur nga këto autoritete muslimane, ata nuk janë kursyer nga spektakli, për më tepër në Gjirokastër shumë larg nga Lazarati. Ndërkaq edhe imam i Lazaratit u pozicionua në ndihmë të autoriteteve policore, duke dhënë ndihmesën e vet. Nuk po e marrim vesh se çfarë duhet të bëjmë më tepër, kur dihet mirë se familjet praktikante muslimane në Lazarat qenë të vetmet në fshat, që nuk u përzien me armë apo drogë, apo çdolloj veprimtarie të paligjshme.

Vazhdimisht po ju kërkohet muslimanëve të shprehen kundra këtyre fenomeneve, dhe megjithëse e kemi treguar me vepra, përsëri abuzohet dhe elementi musliman paragjykohet. Shoqëria jonë duhet ta kuptojë, se muslimanët në këtë vend nuk janë kontigjent i ISIS, por element paqtues, i ndershëm dhe që kontribuon në të mirë të shoqërisë dhe të shtetit tonë. Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, jo pse e kërkon shoqëria dhe ligji vendas, porse besimi ynë bazohet në vlera të larta morale, ku dominojnë dashuria, paqja, stabiliteti, rregulli, familja e shëndoshë dhe puna e ndershme. Të gjitha këto vlera burojnë nga mësimet e Zotit të shprehura në Librin tonë të shenjtë Kur`anin, dhe nga moralet e profetit tonë të dashur Muhamedit.

E në mbyllje, e lusim Zotin ta ketë mëshiruar në këtë muaj të madhërueshëm të Ramazanit Ibrahim Bashën dhe t’i japë paqe e begati të gjithë popullit tonë!

*Autori është aktivist mysliman për të drejtat e njeriut dhe sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë

/teshesheshi