Ngrënia dhe pirja pa kontroll

Ngrënia dhe pirja pa kontroll aludon në ngrënien dhe pirjen e gjithçkaje që kemi para vetës që është e përafërt edhe me epshin.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “…hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (A’raf; 31)

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ena më e keqe e birit të Ademit është barku i tij. Birit të Ademit i mjaftojnë vetëm disa kafshata për të jetuar. Nëse kjo është pak për të, le ta lërë një të tretën e stomakut për ushqim, një të tretën për pije, dhe një të tretën për të marrë frymë.” (Transmeton Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi)

Le të mos na shmanget lëvizshmëria e atyre që hanë dhe nuk e teprojnë, dhe përtacia e atyre që hanë dhe me atë rast nuk kanë vetëkontroll, dhe nuk guxon të na mashtroj mbipesha e grykësve, se kjo është vetëm dobësi e të dobëtëve. Ai është i fryer sikur shkuma, i madh dhe i ngathtë, dhjami pa mish, ku e ka fuqinë rinore dhe muskujt e fuqishëm të cilët i shohim tek ata që hanë me masë? Allahu i Lartmadhërishëm e ka krijuar njeriun dhe gojën me barrierë, ndërsa lukthin e bëri mur, ashtu që ajo gojë me kafshata, e lukthi me ushqim të mbushen, që e gjithë brenga të mos i jetë stomaku, dhe që pasaniku i trashë dhe i varfëri i uritur të jenë të barabartë kur është fjala për sasinë e ushqimit që do ta konsumojnë.

– Të mos hamë nëse jemi të ngopur

Njeriu nuk duhet të hajë nëse është i ngopur, sepse kjo është teprim, është gjë që derivon sëmundje të ndryshme dhe mundime në bark. Pejgamberi alejhi selam, nuk vepronte kështu.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ha vetëm njëherë në ditë dhe ruaju nga ushqimi para se të tretet ushqimi.” (Transmeton Buhariu)

– Mos e teproni

Të ngrënit e shumtë apo të ngrënit e pakët sa që ajo të bëhet shkak për dobësimin e organizmit të njeriut. Besimtari musliman nuk duhet ta teproje në përgatitjen e llojeve të ndryshme të ushqimit. Lejohet që besimtari të përgatitë më shumë se një lloj të ushqimit, por është mirë të mos e teprojë. Disa njerëz përgatisin më shumë se dhjetëra lloje të ushqimit, e disa edhe më tepër. S’ka dyshim se një gjë e tillë është teprim i pakuptimtë dhe i panevojshëm.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Hani dhe pini, jepni sadaka dhe vishuni, por duke mos e tepruar dhe duke mos u treguar mendjemëdhenj.” (Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi)

– Dëmet e të ngrënit tepër

Në të ngrënit e tepërt ka tejmbushje të stomakut e prishje të ushqimit të patretur. Kjo shkakton sëmundje të ndryshme, kështu që personi në fjalë kërkon më shumë kurim sesa ai që ha pak. Disa mjekë thonë: “Kurimi më i mirë qëndron te vlerësimi i përshtatshëm i ushqimit që konsumohet.”
“Dy gjëra e vdesin zemrën: të folurit dhe të ngrënit e shumtë.” (Fudajl ibn Ijadi )
“Këta njerëz e pakësuan aq shumë ushqimin, sa nuk kishin mundësi të kryenin obligimet e Allahut.” (Abdurrahman ibn Medini)
I është thënë Imam Ahmedit: Këta njerëz hanë pak. Ai ua ktheu: Kjo nuk me pëlqen.

– Domethënia e teprimit në ushqim

Teprimi në ushqim është prej shenjave të lakmisë si dhe egoizmit.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Nuk është besimtar i plotë ai i cili është i ngopur, ndërsa fqinji i tij që e ka afër vetes është i uritur.” (Transmeton Taberaniu, Hakimi, Buhariu dhe Bejhekiu)

– Mosshpejtimi në ngrënien e ushqimit

Besimtari musliman ka sjellje të lartë gjatë ngrënies së ushqimit, prandaj nuk shpejton që i pari të shtrijë dorën drejt enëve të ushqimit. Ai pret që të tjerët të fillojnë, e pastaj ky. S’ka dyshim se shpejtimi për t’ia filluar ngrënies është nga shenjat e lakmisë së shëmtuar në haje dhe pije.
Të parët, të cilët duhet të fillojnë me ngrënien e ushqimit janë: dijetarët, të moshuarit, i zoti i shtëpisë, njeriu me pozitë të lartë etj.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ushqimi i përgatitur për dy, është i mjaftueshëm edhe për tre, kurse ushqimi i përgatitur për tre, mjafton për katër.” (Transmeton Buhariu)
“Ushqimi i njërit, u mjafton dyve, ushqimi i dyve u mjafton katërve, kurse ushqimi i katërve mjafton për tetë.” (Transmeton Muslimi)

– Nuk lejohet teprimi në ushqim dhe pije

Teprimi i ushqimit e dëmton trupin e njeriut, ndaj njeriu duhet të përkufizohet në ngrënie të sasisë së ushqimit aq sa ta mbajë trupin. Teprimi i ushqimit nxit lakminë, pangopësinë, obesitetin, dembelinë dhe paaftësinë dhe zhdukë inteligjencën.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Besimtari ha në një zorrë, kurse jobesimtari ha në shtatë zorrë.” (Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi)
“Ne jemi popull që nuk ha derisa nuk e merr uria, e kur hamë, nuk ngopemi.” (Transmeton Buhariu)
“Besimtari pi vetëm me një zorrë, ndërsa jobesimtari pi me shtatë zorrë.” (Transmeton Muslimi)

Ky hadith na shpjegon rëndësinë e konsumimit të ushqimit në kohë të caktuara, sepse ushqimit i nevojiten 3-4 orë që të tretet në lukth. Pas kësaj njeriu ndjen uri dhe nevojë për ushqim, dhe kur ta marr shujtën tjetër, lukthi është i gatshëm që ta tretë. Kur hamë, nuk duhet të ngopemi, dhe kjo është rruga e shëndetit dhe qëllimi në të cilin na fton islami, ndërsa e vërteton mjekësia.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Teprimi konsiderohet që të hash gjithçka që ke dëshirë.” (Transmeton Muslimi)

– Rregulla të ngrënies dhe të pirjes

Edhe pse në aspektin fetar kemi shumë rregulla të ngrënies dhe respektivisht pirjes, ne do t’i prezantojmë vetëm disa.

Rregullat për ngrënie janë:

1. Nijeti i mirë;
2. Të ngrënit e ushqimit hallall;
3. Nuk lejohet ngrënia në enët e arit dhe argjendit;
4. Modestia;
5. Pjesëmarrja e fqinjëve në ushqim;
6. Përgatitja e ushqimit për vëllezërit dhe njerëzit;
7. Tubimi për ushqim dhe ngrënia e sa më shume vetave;
8. Pastrimi i duarve para ngrënies;
9. Mospërbuzja e ushqimit;
10. Mosnënçmimi i ushqimit;
11. Pritja e ushqimit të nxehtë deri sa të ftohet;
12. Përmendja e emrit te Allahut në fillim të ngrënies;
13. Ngrënia me dorën e djathtë;
14. Ngrënia me tre gishta;
15. Ngrënia para vetes;
16. Mbyllja e buzëve gjatë ngrënies etj.

Rregullat për pirje janë:

a) Nijeti i mirë;
b) Shqiptimi i “besmeles”;
c) Të pimë me dorë të djathtë;
d) Të pimë duke qenë ulur, nëse mundemi;
e) Të pimë ujë me nga tre herë, e jo përnjëherë;
f) Të marrim frymë gjatë pirjes;
g) Të mos e teprojmë me pije;
h) Preferohet pirja e ujit të freskët dhe të ftohtë etj.

Ne Islam ekzistojnë 52 rregulla për ngrënien e ushqimit në mënyrën Islame dhe poashtu 21 rregulla për pirjen e ujit.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Sa më tepër që njerëzit ngopen në këtë botë, aq më të uritur do të jenë në Ditën e Ringjalljes.” (Transmeton Ibn Ebi Dunja)

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej ngrënies dhe pirjes pa kontroll.
AMIN !