NGRËNIA E PASURISË HARAM

Allahu, azze ue xhel, në Kuran thotë: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit”. Bekare 188.

Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, e komenton këtë ajet dhe thotë: “Ky ajet ka zbritur për atë njeri i cili e merr pasurinë e huaj dhe për të s’ka argument, e pastaj kur akuzohet për këtë vepër, e mohon dhe i akuzon te gjykatësi, e ai e di shumë mirë se nuk ka të drejtë dhe se ai është mëkatar, ngrënës i pasurisë haram”.

Allahu, azze ue xhel, në një ajet tjetër thotë: “Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues”. Nisa 10

Imam Ahmedi në Musnedin e tij transmeton prej Kab ibën Ajad, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Çdo ummet e ka sprovën e vet, dhe sprova e ummetit tim është pasuria”.

Sot shumicës së njerëzve nuk i intereson se prej nga e fitojnë pasurinë, prej hallallit apo prej haramit. Këtë e vërteton edhe Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, kur thotë: “Do të vij një kohë kur njerëzve nuk ju intereson se prej nga e fitojnë pasurinë, prej hallallit apo prej haramit”.

Ibën Mubareku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ta refuzoj një dërhem për të cilin dyshoj se është i fituar në haram, është më e dashur te unë se sa të jap lëmoshë njëqindmijë dërhem”.

Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “I braktisnim nëntë nga dhjetë të hallallit, vetëm që mos të binim në haram”.

Këtë e vepronte, radijallahu anhu, duke iu nënshtruar dhe përulur fjalës së Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, në hadithin që e përcjell Numan ibën Beshiri: “Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, por edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre janë gjërat e dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Kush mbrohet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin, ndërsa kush bie në gjërat e dyshimta, ka rënë në të ndaluarën, ngjashëm sikur bariu i cili e ruan kopenë rreth vendit (kullotës) të ndaluar, dhe në çdo çast kopeja mund t’i ikë dhe të kullosë në të”.

Një prej formave dhe pamjeve të ngrënies së pasurisë haram është kamata, të cilën Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar rreptësisht, dhe e kanë mallkuar ngrënësin e saj, shkruesin e saj dhe dëshmitarët. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. Bekare 278.

Sot disa njerëz garojnë në blerjen e aksioneve prej bankave të cilat punojnë me kamatë, kurse disa të tjerë i deponojnë të hollat e tyre nëpër banka dhe banka çdo muaj i jep përqindje të cilën e quan dobi, por në fakt kjo është kamatë.

Komisioni i Përhershëm i Fetvave dhe i Hulumtimeve të Arabisë Saudite kanë dalë me një deklaratë ku e ndalojnë rreptësisht përdorimin e kartelave kreditore, për shkak se ajo bën pjesë në kamatë. Banka me këtë kartelë myshteriut të saj ia mundëson që të blen çka dëshiron deri në një limit të caktuar, dhe në fund myshteriu obligohet që t’ia kthejë bankës ato të holla në një afat të caktuar. Në rast se s’mundet t’i kthejë në afatin e caktuar, atëherë banka për çdo vonesë i merr më tepër të holla se sa i ka borxh dhe kjo është kamatë.

Prej formave të ngrënies së pasurisë haram është padrejtësia ndaj rrogave të punëtorëve dhe mosdhënia e të drejtave të tyre në kohën e duhur.

Po ashtu një prej formave tjera është edhe dukuria që e hasim nëpër tregje, e ajo është betimet e rrejshme në Allahun se malli është i mirë pa të meta, apo mashtrimet e ndryshme që i bëjnë shitësit në shitblerje.

Ngrënësi i pasurisë haram e rrezikon veten e tij me dënimin e Allahut në dynja, në varr dhe në ahiret.

Në dynja dënimi i tij është humbja e pasurisë, ngritja e bereqetit prej saj, fatkeqësi në trupin e tij, etj, siç na njofton Allahu, azze ue xhel“Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë”. Bekare 286.

Për dënimin e tij në varr argument është hadithi që na e përcjell imam Buhariu në Sahihin e tij, se një rob ishte me Pejgamberin, sal-allahu alejhi ue selem, në luftën e Hajberit, ku edhe ndërroi jetë prej një shigjete, e cila kishte devijuar objektivin dhe e goditi papritmas. Sahabët e përgëzuan me xhenet duke menduar se ka vdekur si dëshmor, mirëpo Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, tha: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, veshjen që ai mori nga plaçka në ditën e Hajberit kur ajo nuk ishte ndarë ende, është duke e djegur atë me zjarr“. Kur njerëzit i dëgjuan fjalët e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, u paraqit një njeri me një apo dy lidhëse të nallaneve dhe tha: Këto i kam veshur para se me u nda pasuria. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, tha: “Këto lidhëse janë prej zjarri”.

Këto gjëra edhe pse kanë qenë të vogla dhe jo me vlerë të madhe, pronari i tyre s’ka shpëtuar prej dënimit të ngrënies së pasurisë haram.

Ndërsa në ahiret dënimi do të jetë ajo që na e përcjell Kab ibën Uxhrete prej  Pejgamberit,sal-allahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “O Kab, nuk shtohet në trup mish i rritur prej të paligjshmes dhe të ndaluarës, përveç që zjarri të jetë më meritor për të”.

Prej dënimeve që e godasin ngrënësin e pasurisë haram është edhe mospranimi i lutjeve dhe i adhurimeve.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu,  transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem,ka thënë: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës, dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!”.  Dhe ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar”. Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”.

Ky hadith është paralajmërues për një grup njerëzish të cilët i ka mashtruar shejtani dhe u ka zbukuruar veprat e tyre të liga. Ata pasurinë e tyre e fitojnë prej haramit dhe hanë prej saj, e pastaj e shpenzojnë një pjesë prej saj në bërjen e veprave të mira, si: ndërtimin e xhamive, shkollave, spitaleve, etj, dhe mendojnë se me këto vepra ata e pastrojnë veten e tyre para Allahut.

Ky lloj njerëzish dënohen dy herë:

Herën e parë Allahu nuk ua pranon veprat e tyre të mira që i shpenzojnë prej pasurisë haram dhe argument për këtë e kemi fjalën e të Dërguarit të Allahut, sal-allahu alejhi ue selem:“Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës”.

Herën e dytë Allahu i dënon për këtë pasuri dhe ditën e Gjykimit do të japin llogari për të.

Hauleh el Ensarije, radijallahu anha, na përcjell se i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Disa njerëz zhyten (fusin dorën) në pasurinë e Allahut pa të drejtë, atyre ju takon zjarri (si ndëshkim) ditën e Kiametit.”

Sufjan Theurij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai i cili e shpenzon pasurinë e tij haram në adhurime dhe vepra të mira, është si ai i cili i pastron rrobat e tij me urinë, a dihet se rrobat pastrohen vetëm se me ujë, kurse mëkatet nuk i  pastron përveçse hallalli”.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU