Një litar për qafat e qytetarëve

Nga Gazmend Gjyshinca

Historia e minjve që vendosën t’i lidhin maces një zile në qafë, për të dëgjuar afrimin e saj, mbaroi të pyetja se kush do t’ia lidhte maces atë zile. Në Kosovë opozitë po pretendon se bën gjithkush, duke e parë opozitën si një mundësi për komfort dhe flirtim me të fortët e pushtetit që vjedh.

Shumëkush po shqetësohet për mundësinë e prishjes së marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse i del përkarshi pushtetit të PDK-së dhe LDK-së. Pas kësaj logjike, në fakt, fshihet teza që shprehet gjerësisht jashtë kanaleve zyrtare të komunikimit se ekziston një preferencë e ShBA-ve për parti politike dhe politikanë të caktuar në Kosovë. Logjika që strehon këtë tezë injoron një doktrinë kryesore të vërejtur gjatë kohëve të fundit në politikën e jashtme amerikane: pranimin e një realiteti të ri, nëse ai është reflektim i një besimi të gjerë publik. Faktor lëvizës kryesor i politikës së jashtme të Uashingtonit nuk është lidhja e fshehtë me palë të caktuara lokale, por interesi politik, ekonomik e diplomatik i vetë ShBA-ve. Sa kohë ky interes ruhet ose fiton nivele më të mira, fakti se kush do të jetë në pozitën e partnerit lokal nuk do të ketë rëndësi më të madhe se sa i jep atij zgjedhja përmes një procesi sa më demokratik. Aq më e vërtetë është kjo në rastin e vendeve të vogla, siç është shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor ku bën pjesë edhe Kosova. Dy raste të vona vlejnë mjaftueshëm për ta mbështetur këtë qëndrim: Egjipti dhe Krimea. Do të marrim rastin e Egjiptit në shqyrtim, si rastin ku shpaloset në mënyrë më të dukshme sjellja e politikës së jashtme amerikane.

Ndonëse një vend i madh dhe me një pozitë kyçe për ekuilibrat e forcës dhe projeksionet e zhvillimeve të ardhshme në Lindjen e Mesme, Egjipti kaloi brenda dy viteve në zona politike shumë kundërthënëse, jo pa konsensusin amerikan. Partneri i preferuar amerikan, Hosni Mubarak u rrëzua nga pushteti 30-vjeçar përmes një revolucioni të gjerë popullor. Kuotat e mbështetjes publike për Mubarakun nuk do t’i kishin siguruar atij fitore në dy mandatet e fundit që ai kishte marrë, por ai e gëzoi pushtetin derisa revolta popullore shpërtheu. Mjaftoi kjo që ShBA-të të tërheqin mbështetjen e tyre për diktatorin dhe të frymëzonin me qëndrimin e tyre të matur transferimin paqësor të pushtetit drejt një forme demokratike të qeverisjes. Duhet të jetë jo i largët fjalimi i famshëm i Presidentit Obama drejtuar botës myslimane në Kajro, në kohën që në pushtet ishte diktatori. Ndër të tjera në atë fjalim u deklaruan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy qeverive. Këto sentenca u përdorën dhe u keqpërdorën me intensitet deri pak ditë para se revolucioni ta rrëzonte Mubarakun. Por, atëbotë Sekretare e Shtetit, Hillary Klinton i pati ndryshuar qëndrimet e saj hiç më pak se 4 herë në jo më shumë se një javë.

Asgjë nuk e pengoi politikën e jashtme amerikane të mbështeste zgjedhjen e një islamisti në krye të Egjiptit dhe të fitonte, në këtë mënyrë, shumë pikë në opinionin publik arab. Ndoshta kjo ishte edhe një mundësi shumë e mirë që të rikuperohej sa më shumë nga reputacioni i dëmtuar rëndë nga lufta në Irak dhe Afganistan. Protestat e opozitës në bashkëpunim me aparatin e ish-presidentit Mubarak kërkuan për disa javë rresht dorëheqjen e tij. ShBA-të nuk hezituan të tërheqin mbështetjen për Mursin dhe të njohin grushtin e shtetit si një zgjidhje më të mirë. Shumëkujt kjo mund t’i jetë dukur një ndryshim në politikën e jashtme amerikane, por ç’është e vërteta kjo ishte vetëm një formë e re e realizimit kësaj politike, në përputhje me kushte dhe ekuilibrat e rinj në vend dhe rajon. Në fakt, argumenti i këtij ndryshimi në dukje të politikës së jashtme amerikane ishte në të dy rastet i njëjti. Ashtu sikundër Mubaraku u largua me revolucion, por jo edhe pa

bashkëpunimin e ushtrisë, ashtu edhe Mursi u largua me revolucion me një rol të spikatur të ushtrisë.

Kosova nuk është Egjipti, por ashtu siç nuk është e atillë që amerikanët të bëjnë kaq lëshime në formën e realizimit të politikës së tyre të jashtme në nivel lokal, në të njejtën mënyrë nuk është as e atillë që ata të kompromentojnë imazhin e tyre duke mbështetur një klikë oligarkike që po e çon vendit drejt një paqëndrueshmërie sociale. Për më tepër, proamerikanizmi në mesin e shqiptarëve është një ndër faktorët e rëndësishëm që përllogariten në ekuacionin rajonal të luftës së influencave të fuqive globale. Kush e njeh mënyrën e veprimit të politikës amerikane, nuk do të befasohej aspak që këtë influencë të drejtpërdrejtë në mesin e publikut si instrument presioni mbi elitat politike lokale, saherë ato kanë dëshmuar shmangie të rrezikshme nga prioritetet.

ShBA-të mund të pranojnë partneritet me elita jodemokratike kur, sipas një logjike të kulluar pragmatike, përpjekja për demokratizim e atij vendi do të dëmtonte rëndë interesat amerikanë në atë vend. Sigurisht, këtu bëjnë pjesë fuqi botërore si Rusia, Kina apo një numër vendesh të tjera, por në këtë rresht nuk mund të vendosim Kosovën, pasi do të na duhej që të krahasonim Isa Mustafën a Hashim Thaçin me Vladimir Putinin apo Xi Jinpingun. Teza e agjensisë amerikane apo gjermane të liderve tanë, që kulmoi në zgjedhjet e fundit parlamentare nga nguti për të fituar vota të domosdoshme për formimin e qeverisë, hidhet për diskutim me qëllim mbulimin e gropës së thellë në ofertën reale politike të këtyre subjekteve për qytetarët e Kosovës.

Dëshpërimi që karakterizon këtë artikulim të ngathët politik, pikërisht shkundjen e kartës së mbështetjes amerikane për elitën oligarkike karshi abuzimit me mundësinë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, është inkurajues. Kjo tregon se kësaj klike të korruptuar dhe të paaftë për të mbrojtur e menaxhuar edhe pasuritë më të mëdha kombëtare të Kosovës nuk i ka mbetur asnjë kredit real politik në termat e legjitimitetit që prodhon mbështetja e gjerë. Më e diskredituar edhe se vetë qeveria në përdorimin e këtyre flluskave është ajo pjesë e spektrit politik e civil që, ndonëse në opozitë apo jashtë qeverisjes, më keq se minjtë që nuk arritën ta zgjidhin ngërçin e vendosjes së ziles në qafën e maces, vendosin të vënë në qafat e qytetarëve konopë manipulimi dhe mashtrimi me qëllim përmbajtjen e çdo pakënaqësie ndaj qeverisë.

*Gazmend Gjyshinca është student i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Stambollit.