Rtv Pendimi

NJË MENDIM NDRYSHE

Gjatë këtyre ditëve, biseda kryesore mes qytetarëve të Kosovës është se a duhet biseduar me Serbinë, apo nuk duhet biseduar?! Duhet takuar të parët e dy shteteve, apo nuk duhet takuar, etj.?! Natyrisht mendimet janë ndër më të ndryshmet, e mendoj se ka ekstremitet nga të dy anët, saqë pati edhe protesta, dhe atë mjaft të ashpra nga njëra anë.

Nuk ka pikë dyshimi se Kosova gjendet në një pozitë shumë të vështirë e delikate, sepse sipas hapave të ardhshëm do të varet edhe e ardhmja e vendit tonë, do të varet sovraniteti i shtetit, edhe ashtu i copëtuar shumë herë.

 

Ne me këto negociata mund të fitojmë shumë, por mund edhe të humbim shumë. Zoti mos e dhashtë, humbja e veriut të vendit për ne, apo fitimi i çfarëdo autonomie të asaj pjese të Kosovës, do jetë një humbje katastrofale për ne, që do të na kushtonte shumë. Do të na nemin e mallkojnë gjeneratat e ardhme. E në një gjendje të tillë, neve nuk na duhet fare integrimi verio-atlantik. Asgjë nuk na vyen hyrja në Unionin Evropian, poqëse e humbim veriun.

Ndërsa nëse arrijmë ta ruajmë integritetin e plotë të vendit tonë, me siguri se do të jemi edhe më afër Evropës, dhe kjo do jetë një fitore historike për ne. A në anën tjetër Serbia nuk ka se çka të humb, sepse Kosova kurrë nuk ka qenë e saj, mësa Çeçenia e Rusisë. Kemi qenë të okupuar për një kohë, i kemi dalë prej dore dhe kaq. Serbia asgjë nuk humb, asnjë pëllëmbë toke nuk humb me këto negociata, por vetëm sa ofrohet edhe ajo më afër Evropës, e që populli serb një gjë të tillë e ka ëndërr, sepse është ngopur me politikat fashiste e nacionaliste serbe.

Andaj dhe unë mendoj se çështja e veriut është çështja më e ndjeshme për të cilën duhet qenë syçelë, nuk ka kompromis për asnjë pëllëmbë toke të vendit tonë. E për të qenë sa më të suksesshëm në këto bisedime nevojiten njerëz të sinqertë, njerëz të cilët e duan vatanin më shumë sesa vetveten e tyre. Njerëz, të cilët interesin e përgjithshëm e vendosin para atij personal. Nevojiten njerëz të vendosur e të matur, të mençur e të kujdesshëm. Njerëz, të cilët do flasin në emër të gjithë kombit tonë.

E sa i përket takimeve, shtrëngimeve të duarve, kjo mendoj se është shumë normale dhe se as që ka nevojë të bëhet aq e madhe. Është e vërtetë se deri dje kemi luftuar kundër tyre, por ne armiq mes veti nuk do të rrimë deri në kiamet. Pastaj stabilizimi i marrëdhënieve në mes të dy shteteve fqinje sjell dobi të mëdha politike, ekonomike etj., çka do të thotë se është në interes të shtetit e të popullit, duke mos harruar se një gjë e tillë është edhe kërkesë e shteteve të Perëndimit, të cilat ‘de facto’ na kanë ndihmuar për t’u çliruar. Ne kemi shumë shpresë se mu ato shtete janë të interesuara që edhe Serbinë, po edhe Kosovën, t’i fusin në familjen e madhe evropiane, sepse fizikisht veçse janë në Evropë, dhe se me këtë do të zgjidhen problemet e shteteve të Evropës, do të forcohet aleanca veri-atlantike dhe do të dobësohet ajo e Kremlinit.

Nëse shikojmë historinë e Pejgamberit Muhamed alejhi selam, gjejmë se ai është ulur në biseda edhe me kundërshtarët e tij më të mëdhenj, me ata që e luftuan, që e nxorën nga vendlindja, dhe të tjerë, por gjithmonë arriti që me urtësi e mençuri të dalë fitues. Shpresojmë edhe ne që në këto biseda të dalim fitues, respektivisht ta ruajmë shtetin tonë dhe të marrim të drejtat tona që na takojnë. Kaq, asgjë ma shumë.

Deri në javën e ardhme me një temë tjetër. Selam alejkum

22.10.2012

TË NGJAJSHME