274533017_502444407912034_7058620495503732669_n

NJË METODË E BUKUR PËR TA EDUKUAR FËMIJËN

– Kur fëmijën tënd e kreh, lajmëroje se atë e bën për shkak se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ka flokë, le t’i nderojë (mirëmbajë) ato”.

– Kur fëmijën tënd e parfumon, lajmëroje atë se e bën sepse dëshiron që të shkosh rrugës së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Më janë bërë të dashura nga dynjaja parfumi dhe gratë, kurse namazi më është bërë kënaqësi e syrit tim”.

– Kur fëmija niset për në shkollë, rikujtoja hadithin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Kush merr një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu për hir të asaj rruge do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet”.

– Kur fëmijës tënd i buzëqeshësh, lajmëroje se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrë të vëllait tënd, është sadaka (lëmoshë)”. 

– Kur fëmijën tënd e lavdëron, lajmëroje se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Fjala e mirë është lëmoshë”.

– Kur fëmijës i jep nga ushqimi yt, lajmëroje se atë e veprove duke u mbështetur në traditën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Hedhja e ujit nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë”.

– Kur jeni në ndonjë ndeje ku ka të vjetër në moshë, kërko nga fëmija yt respektimin e tyre, sepse në këtë mënyrë e respektojmë fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Nuk është nga ne ai që nuk e mëshiron të voglin dhe që nuk e respekton të moshuarin”.

Në këtë formë lidhi sjelljet e fëmijës tënd me traditën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe po ashtu mësoja hadithet e tij.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU