Definicioni i Tefsirit
Tefsiri (rrjedh nga fjala arabe “fesrun” – që donë të thotë: komentim, të sqarosh…) është shkencë e cila merret me interpretimin e Kur’anit.
Zerkeshiu shkencën e Tefsirit e definon si: “Shkencë, nëpërmjet së cilës, kuptohet Libri i Allahut i dërguar Muhammedit a.s., shpjegohen kuptimet (domethëniet) e tij, si dhe nxirren dispozitat dhe urtësitë”. Pos këtij, ka edhe definicione tjera që kane të bëjnë me Tefsirin.
Krahas termit tefsir përmendet edhe termi te’vil(rrjedh nga fjala el-evvelu – që donë të thotë: kthim te baza dhe fillimi) si sinonim i tij. Taberiu, librin e tij mbi komentimin e Kur’anit e titullon me termin te’vil (Xhami’ul bejani fi te’vilil kur’ani). Ndërsa Taberiun, në këtë e pasojnë edhe disa komentatorë tjerë të Kur’anit, siç janë Nesefiu dhe Bejdaviju, të cilët komentet e tyre i emërtuan me termin te’vil.
Dijetarët e mëvonshëm, Tefsirit i dhanë kuptim më të gjerë. Tefsiri i bazuar në rivajetin, sipas tyre do të ishte ai që ne sot e quajmë tefsir (koment) tradicional të Kur’anit, përderisa, Te’vili, i cili ishte i bazuar në dirajetin (logjikën), është ai që ne e quajmë tefsir (komentim) racional të Kur’anit, interpretim, i cili në shumicën e rasteve e përdor logjikën.
Pra, këtu shihet se në fillet e para të komentimit të Kur’anit nuk është bërë ndonjë dallim mes termit tefsir dhete’vil, porse këtë e bënë dijetarët e me vonshëm të Tefsirit. Sipas tyre, tefsir është ajo që kuptohet nga domethënia e jashtme e ajetit në mënyrë kategorike, duke mos pasur më shumë kuptime, ndërsa te’vil është ajo që kuptohet nga domethënia e brendshme e ajetit, me mundësi të më shumë kuptimeve.
Termi tefsir, po ashtu edhe ai te’vil, përmenden në Kur’anin fisnik, ku Allahu xh.sh., thotë:
“Dhe ata nuk të sjellin ndonjë shembull ty, e që ne mos të ta tregojmë të vërtetën, duke të ofruar shpjegim (tefsir) të qartë të plotë”. (El-Furkan, 33)
“Po, pos Allahut askush nuk e dinë domethënien (te’vilin) e tyre të saktë”. (Ali-imran, 7)
Historiku i zhvillimit të Tefsirit nëpër gjenerata
Tefsiri në kohën e ashabëve
Edhe Tefsiri, ashtu si edhe çdo shkencë tjetër, pati rrugën e zhvillimit të tij. Në ditët e para të Islamit, Muhammedi a.s., ishte komentatori i vetëm i Kur’anit, ndërsa pas vdekjes së tij, Kur’anin e komentuan shokët e tij – ashabët.
Përcillet prej Othman ibn Affanit r.a., se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kur ua diktonte Kur’anin ashabëve, në të njëjtën kohë ua shpjegonte edhe domethëniet e tyre, ku në bazë të kësaj, mund të thuhet se komentimi i Kur’anit të ashabëve, është edhe komentim i pejgamberit a.s.
Në mesin e Ashabëve, më të njohur në komentimin dhe njohjen e shkaqeve të zbritjes së Kur’anit ishin: Hulefa-i rashidinët: Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu r.anhum, pastaj vinin, Abdullah ibn Mes’udi, Abdullah ibn Abbasi, Ubeje ibn Ka’b, Zejd ibn Thabit, Musa el-Esha’riu dhe Abdullah ibn Zubejri r.anhum.
Mes katër “halifëve në rrugën e drejt” më vollimozi prej tyre ishte Aliu r.a., i cili në një rast të pranishmëve u tha: “Më pyetni për Kur’anin, se pasha Allahun, nuk ka asnjë ajet, e që unë mos ta dijë shkakun e shpalljes, kur është zbritur dhe ku!”
Ndërsa, në mesin e Ashabëve tjerë, pas hulefa-i rashidinëve, më vollimozi dhe më meritori për tu thirrur muffesir (komentues i Kur’anit) është Abdullah ibn Abbasi. Kjo aspak nuk duhet të na habis, për faktin se ibn Abbasi arriti në shkallët më të larta të dijes dhe të përmendet aq shumë nëpër literaturë si komentues i Kur’anit, kur dihet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u lut për të: “O Zot, mësoja atij urtësinë (diturin) dhe mësoje në komentimin e Kur’anit!”. Pra, lutja e pejgamberit a.s., u pranua te Allahu xh.sh., dhe Abdullah ibn Abbasi u bë një ndër interpretatorët më të njohur të Kur’anit në kohën e tij, por, edhe pas vdekjes, emri i tij gjeneratë pas gjenerate është përmendur me respekt te madh dhe se shumë muffesirë të më vonshëm janë bazuar në komentin e tij bërë Kur’anit, apo siç njihet Tefsiri i Ibn Abbasit.
Përveç ashabëve që i cekëm më lartë, me tefsir janë marr edhe: Ebu Hurejre, Enes ibn Maliku, Abdullah ibn Omeri, Xhabir ibn Abdullah dha Aisha, gruaja e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s.
Tefsiri në kohën e Tabi’inve
Gjenerata e dytë pas të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., e njohur në terminologjinë islame me emrin Tebi’un, bashkëkohanik të ashabëve, lanë gjurmë të thela dhe të pashlyeshme në lëmin e shkencës së Tefsirit. Në kohën e tyre u formuan tri shkolla të tefsirit: ajo mekase, medinase dhe irakiane.
Shkolla mekase
Liderët më të njohur të kësaj shkolle janë: Muxhahidi, Ata ibn Rebah, Ikrame, Seid ibn Xhubejr dhe Tavusi. Të gjithë këta ishin nxënësit më të njohur të Abdullah ibn Abbasit. Ndër këta, më i njohuri dhe më i vlerësuari ishte Muxhahidi, ky jo që ishte vetëm muffesir i madh, por edhe ekspert i Hadithit. Nga ky, Buhari ne Sahihun e tij ka shënuar një numër të madh të haditheve.
Shkolla medinase
Liderët më të njohur të kësaj shkolle janë: Zejd ibn Eslem, Muhammed ibn K’ab el-Kurezi, Ebu’l Alije, etj. Të gjithë ishin të njohur në leximin e Kur’anit dhe komentimin e tij, por më i njohuri dhe më i vlerësuari në mesin veçmas u dallua Ebu’l Alije dhe Zejd ibn Eslemja, të cilët gjatë komentimit të Kur’anit të parët e përdorën edhe metodën racionale. Të gjithë ishin të besueshëm, të përpiktë dhe të sinqertë gjatë transmetimit të Hadithit.
Shkolla irakiane
Liderët më të njohur të kësaj shkolle janë: Alkame ibn Kajs, Mesrukiu, Hasan el-Basri, Murre Hamadani, Esved bin Zejdi dhe Katadja. Më i njohuri dhe më i suksesshmi prej këtyre ishte Alkame ibn Kajs, dhe pastaj Mesrukiu. Si themelues i kësaj shkolle njihet Abdullah ibn Mes’udi r.a.
Tefsiri në kohën e Tebei tabi’inëve
Gjenerata e tretë pas pejgamberit a.s., janë Tebei tabi’inët. Ndryshe, kjo gjeneratë në literaturën islame quhet si “Periudha e artë”. Quhet kështu, sepse në këtë gjeneratë filloi të modifikohet mendimi shkencor dhe lindja e shumë shkencave islame. Falë kontributit të tyre, shkenca e Tefsirit u zhvillua edhe më mirë, ku edhe u shkruan përmbledhjet e para të Tefsirit, kuptohet duke u mbështetur në gjeneratat, të cilat ishin para tyre dhe në hadithet e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s.
Në këtë periudhë të tretë të Tefsirit, muffesirët (interpretatorët) më të njohur ishin: Sufjan bin. Ujejne, Veki’ ibn. Xherrah, Shu’aba ibn Haxhaxh, Abd ibn Hamid, Abdurrezak ibn Hamam etj.
Në këtë periudhë u shkruan edhe veprat e para që kanë të bëjnë mbi shkaqet e zbritjes së ajeteve, mbi diciplinën e ajeteve deroguese dhe të deroguara dhe mbi disiplina të tjera, që i inkorporon shkenca e Tefsirit.
Tefsiri nëpër gjenerata pas Tebei tabi’inëve
Pas kësaj periudhe, Tefsiri filloi të ndahet në më shumë drejtime, në mesin e të cilëve është edhe Tefsiri tradicional, i cili ishte i lidhur fort për Traditën.
Historia ka shënuar edhe atë se në këtë kohë kishte edhe prej atyre të cilët rreptë refuzonin të merreshin me tefsir. Shkaku i refuzimit të tyre qëndron në atë se Pejgamberi a.s., në disa hadithe ka refuzuar të komentohet Kur’ani lirshëm, thjesht duke përdorur vetëm logjikën. Hadithet që ato mbështesin qëndrimin e tyre janë: “Kush flet diçka për Kur’anin nga mendja e tij, le të përgatit vendin e tij në Xhehennem”, ose hadithi tjetër: “Ai që flet diçka rreth Kur’anit sipas mendimit të tij, edhe nëse ia ka qëlluar, ai ka gabuar”. (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Pra, duke mos dashur që të thellohem në dallimet, shkaqet dhe kundër argumentet e tyre ndaj njeri-tjetrit, do ta potencoj se Pejgamberi a.s., nuk ka pasur ndonjë qëllim tjetër, porse vetëm ta ndaloj komentimin e Kur’anit me hamendje pa pasur argument për tezën për të cilën flet.
Në mesin e atyre që u morën me Tefsir tradicional në këtë periudhë më të njohur janë: Taberiu, Ibn Kethiri, Jahja ibn Selami, Semerkandi, Bejgaviu dhe Shevkaniu, të cilët në kohën e tyre ishin të popullarizuar dhe kishin autoritet të madh tek popullata dhe te shtesat tjera më të larta. Disa prej tyre edhe janë persekutuar nga udhëheqësit tiran të asaj kohe.
Krahas Tefsirit Tradicional, qysh në shekullin e tretë, takohemi edhe me një lloj tjetër të tefsirit, atë racional. Disa hulumtues islam mbështesin qëndrimin e tyre, se komentimi i Kur’anit racional është i ndaluar, duke u mbështetur në hadithet e lartcituara. Nga ana tjetër, disa muffesirë tjerë mbështesin qëndrimin se Tefsiri racional është i lejuar, dhe atë duke u mbështetur në baza të shëndosha, në Kur’an dhe Sunnet.
Ata të cilët e lejuan Tefsirin racional nuk e lanë me kaq, porse venduan kritere të rrepta për ata që dëshirojnë të merren me këtë lloj tefsiri. Kur jemi këtu, vlen të përmendet edhe ajo që, ky lloj tefsiri, nuk guxon në asnjë mënyrë të kundërshtohet me Tefsirin tradicional.
Tefsiret më të njohur të këtij lloji (racional) janë: i Raziut, Zamahsheriut, Nesefiut, Haziniut, Ebu Hajjanit, Bejdaviut dhe tefsiri Xhelalejn – tefsiri i dy Xhelalëve, Mehalijut dhe Sujutiut.
Falë dijetarëve islam, të cilët me një përkushtueshmëri nuk e lanë shkencën e tefsirit kaq të ngushtë, por e bënë një shkencë të gjërë dhe dinamike, shkenca e Tefsirit sot në vete inkorporon edhe lëmi dhe lloje të tjera të komentimit, siç kemi Tefsirin juridik, ku në këtë lloj të tefsirit muffesirët përqendrohen në ajetet që kanë të bëjnë me fik’hun (të drejtën islame), Tefsirin sufij, mu’tezilit, shi’it, po ashtu Tefsirin politik, historik, gjuhësor, tematik, bashkëkohor, etj.
Tefsiri bashkëkohor
Tefsiri bashkëkohor, apo komentimi i Kur’anit me një metodë të re, lindi në shekullin e19 dhe 20. Dijetarët të cilët u morën me këtë zhanër të tefsirit mbrojnë tezën se Kurani është libër univerzal dhe se ai duhet të komentohet dhe t’i komentoj rrethanat kohore, duke prekur dhe sqaruar problemet dhe preokupimet aktuale te botës islame, respektivisht, ashtu siç thotë edhe vetë mufesiri R. Rida, kthimi i vëmendjes tek çështjet, të cilat i preokupojnë muslimanët bashkëkohorë.
Sipas disa të dhënave thuhet se i pari i cili i hudhi hapat e parë të tefsirit modern është Shah Velijullahu (l703-l762) nga India. Pas tij Sejjid Ahmed Hani (l8l7-l898), po ashtu nga India, i vendoi thelemet e tefsirti modern në librin e tij të famshëm “Tefsiru-l-Kur´an”, kuptohet në rajonin e Indisë, pasi që dihet se edhe në vendet tjera islame, siç ishin Egjipti, Saudia Arabia, Siria etj., kishin dal zëra që kërkonin të zbatohet një metodë e re e komentimit të Kur´anit në frymën moderne.
Në botën arabe u paraqit Muhamed Abuhu, i cili nuk u dallua vetëm si komentator i Kur´anit në frymën moderne, por si një dijetar me përmasa dhe kualitete shkencore. Ai filloi ta shkruaj komentin e Kur´anit “Tefsiru-l-menar” , të cilin pas vdekjes së tij e plotësoi nxënësi i tij Reshid Rida. Gjurmë të pashlyera, gjithashtu, lanë edhe komentatorët si Sejjid Kutub, El-Mevdudi, Sejjdi Hava etj., etj.
(Vërejtje: I bindur se me këtë pasqyrë të shkurtër të zhvillimit të Tefsirit nëpër gjenerata nuk kemi mundur të paraqesim të gjithë tërësinë e lëndës, por me ndihmën e Allahut, xh.sh., u munduam në disa pika të kontribuojmë në këtë shkencë të rëndësishme edhe në hapësirat tona.)