Njekomb.com regjistron 1 milionë shqiptarët e parë

Faqja “Njekomb.com” e cila është hapur nga dy të rinj shqiptarë me synimin e identifikimit të numrit të saktë të shqiptarëve në mbarë botën të martën ka arritur të marrë 1 milion identifikues.

“Një Komb” u nis gjatë verës së këtij viti nga dy të rinj shqiptarë, nga historiani Toti Axhanela dhe dizajneri Armend Berisha, ku çdokujt që e viziton faqen i kërkohet që të identifikohet përmes Facebook-ut ose ta bëjë identifikimin përmes Twitter-it, ose nëse nuk dëshiron përmes tyre apo nuk ka llogari në këto rrjete sociale, mund ta bëjë një regjistrim manual.

Dihet që shqiptarët janë të përhapur anembanë globit dhe numri i tyre që kanë dëgjuar për këtë faqe tani ka arritur në 1 milion e 14 e 254 persona. Normalisht që ka persona të moshuar që nuk përdorin internet, apo që nuk kanë dëgjuar për këtë faqe, prandaj ky numër mund të mos përfaqësojë numrin e plotë të të gjithë shqiptarëve në botë.

Numri më i madh i shqiptarëve të cilët kanë identifikuar veten në këtë faqe deri tani vjen nga Evropa, por ka edhe nga Amerika e Veriut, e më pak ka nga Afrika, Amerika Jugore dhe Latine. Ideatorët e kësaj faqeje bëjnë thirrje për të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e këtij projekti pasi që mund të shërbejë deri diku në mësimin e numrit të përafërt të shqiptarëve.(Marrë nga PCWorldAlbanian)