Një ndër parimet bazë të fesë së natyrshme islame është që njerëzit të jenë sa më afër njeri-tjetrit, sa më të bashkuar, në veçanti ata të një vendi, të një mjedisi, apo të një bashkësie a shteti ku jetojnë. Rëndësia e këtij uniteti bëhet edhe më e madhe kur numri i asaj shoqërie është i vogël, siç është rasti me ne në Kosovë, e pse jo edhe me shqiptarët si tërësi. Natyrisht se nuk është e mundur që të gjithë njerëzit të jenë të njëjtë, të mendojnë njëjtë, e të mos kenë mospajtime e divergjenca, në mendime, mes vete.
Për këtë nuk mund të fajësohen, sepse kështu i ka krijuar i madhi Zot, siç ka thënë i lartmadhërishmi: “Sikur të kishte dashur Zoti, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të ndarë/dalluar… për këtë qëllim ai i krijoi njerëzit” (Hud, 118-119). Ata do vazhdojnë të kenë mospajtime mes vete, qasje të ndryshme, dallime në të menduar apo divergjenca.
Një gjë e këtillë e bënë jetën njerëzore më interesante, më aktive, më produktive. Përndryshe imagjino sikur të gjithë njerëzit të ishin të të njëjtit nivel të dijës, të mendonin njëjtë, të vepronin njëjtë, pa dallime, pa kundërshtime, pa debate, pa divergjenca etj., si do të dukej kjo botë? Mendoj se shumë më e pakuptimtë, shumë e ftohët, parazite, pasive. Njeriu i mençur nga divergjencat dhe mospajtimet me të tjerët mëson dhe përfiton shumë, njerëzit e plotësojnë njeri-tjetrin, por edhe ngritën dhe përmirësohen nga tjetri në rast gabimi.
Kështu Zoti e mësoi të dashurin e tij Muhamedin alejhi selam dhe këtë parim ai i bekuar ua përcolli shokëve të tij, të cilët e praktikuan me besnikëri këtë amanet. E di që shumë kush nuk do të pajtohet me mua, por u bëjë me dije se vërtetë pak shoqëri kanë ekzistuar që kanë pranuar divergjencat, mendimet e kundërta dhe kanë respektuar më shumë mendimin e tjetrit sesa shoqëria e hershme Islame.
Pejgamberi alejhi selam ishte njeri i mbrojtur nga gabimet, por megjithatë konsultonte shokët e tij dhe herë-herë merrte mendimin e tyre, çka do të thotë se i jepte përparësi mendimit të tjetrit, mendimit të kundërt. Me këtë Muhamedi alejhi selam u bë mostër dhe donte që edhe ndjekësit e tij ta pasojnë atë, në veçanti paria apo udhëheqësit shtetëror, mos të ngulin këmbë në vendimin e tyre me çdo kusht, por ta shikojnë edhe mendimin e kundërt. Nga ky kontekst gjejmë kalifët pas Muhamedit alejhi selam, si Omeri, për shumë çështje në veçanti për ato që nuk ishin shumë të sigurt apo për çështje madhore mblidheshin me shumë shokë dhe hapnin debate ashtu që vendimi final merrej vetëm se pas shumë konsultave dhe përpunimit të kujdesshëm të ideve të ndryshme të udhëheqjes.
Padyshim, kjo është një ndër shkaqet kryesore pse udhëheqësit myslimanë, apo prijësit e tyre, ishin ndër njerëzit më të ruajtur dhe pushteti i tyre ishte më frytdhënësi dhe produktivi në botë. Nuk njeh historia pushtete të mëdha që kanë sunduar botën me shekuj e që kanë pasur më pak gabime dhe lëshime sesa shteti i hershëm Islam. Këtë parim, të konsultimit dhe debatit, e ruajnë me përkushtim edhe shumë shtete sot të cilat vërtetë ia donë të mirën shoqërisë së tyre. Ato për çështje të interesit madhor, kombëtar apo shtetëror, hapin debate, filtrojnë ide duke respektuar mendimin e secilit, nuk anashkalojnë ndonjë shtresë shoqërore, por përfitojnë nga çdo ide e diskutim derisa të gjendet zgjidhja më e mirë për problemin e caktuar. Këto shtete pikërisht kanë përparuar ngase ato nuk paragjykojnë të tjerët vetëm për faktin i përkasin ndonjë feje/besimi të caktuar, ideologjie, partie, shtrese etj.
Eh, sa mirë do ishte që edhe në Kosovën të vetëdijesohemi e ta promovojmë një kulturë të këtillë, e cila fatkeqësisht tek ne ende nuk ekziston. Besoj se njëri prej faktorëve kryesor për mosekzistimin e kësaj kulture janë pasojat e pushtetit komunist i cili kurrë nuk ka pranuar divergjenca, por ka ndjekur njëanshëm vetëm teket e veta gjithmonë duke i heshtur kundërshtarët. Sipas këtij sistemi kundërshtarët nuk bënë as të flasin e lëre më të debatojnë apo të merret parasysh mendimi i tyre.
Për fat të keq edhe sot po vazhdohet me të njëjtin avaz dhe dihet se ku do të përfundojmë. Ne gjithmonë kemi ftuar dhe vazhdojmë të ftojmë në tolerancë, mirëkuptim e respekt të mendimit të tjetrit, ashtu që ta ndërtojmë një shoqëri të moderuar. E më pas dikush medoemos e ka më mirë se tjetri por të paktën secili ka të drejtë të shpreh mendimin e tij/saj dhe në mënyrë reciproke secili të ndihet i respektuar e të vendos ashtu siç bindet apo ia merr mendja e vet. Besoj se kjo është pjesë e kulturës së ndërtuar mbi divergjencë, mendim ndryshe apo mendim kritik. Zoti na ndihmoftë të gjithëve dhe na çoftë në hair.