Njihuni me shkencëtaren muslimane nga Shkodra që po mahnit Italinë

Historia e jashtëzakonshme e mjekes që thëniet e Profetit Muhamed i konkretizon në zbulime shkencore.

Një shkencëtare myslimane nga Shkodra është duke mahnitur Italinë. Egesta Lopçi, është studiuese e avancuar e mjekësisë bërthamore.

Së fundmi ajo është nderuar me një tjetër çmim ndërkombëtar për kërkimet shkencore të luftimit të kancerit.
Dr. Lopçi që prej 20 vitesh jeton, studion e punon në Itali.

Disa nga angazhimet shkencore janë puna si mjeke në spitalin “Humanitas” në Milano, relatore për masterin e hematologjisë pediatrike në “La Sapienza” në Romë, anëtare e Komisionit Pediatrik dhe Etik në Shoqatën Evropiane të Mjekesisë.

Karriera Egesta i përket një familjeje qytetare shkodrane të besimit islam, gjë që nuk e ka penguar atë të studiojë në Itali, madje dhe të zgjedhë të mbajë veshjen dalluese të këtij besimi, siç është shamia.

Ajo ka përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin ”28 Nëntori’ në Shkodër dhe, pasi bëri kërkesën, fitoi të drejtën për të studiuar për “Mjekësi” në Universitetin e Bolonjës në Itali.

Ku ciklin e parë të studimeve e përfundon në vitin 2006 me vlerësim maksimal.

Niveli i përgatitjes së saj dhe rezultatet e larta në universitet bëjnë që ajo të ndjekë specializimin në mjekësinë bërthamore, të cilën e përfundoi brenda pesë vitesh.

Po në të njëjtin universitet, merr doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive.

Kërkimet e saja fokusohen në përdorimin e PET-it si metodë hetimi e patologjive tumorale nëpërmjet injeksionit të shënjuesve molekularë radioaktivë, i cili vëzhgon tumorin nga jashtë për të identifikuar karakteristikat e përhapjes së tij.

Gjithashtu, ajo kooperon me grupin italian të studimit të linfomës së Hodgkin tek fëmijët dhe është referente e mjekësisë bërthamore për këtë grup.

Së bashku me disa kolegë të tjerë italianë ndoqi një studim për tumorin dhe neuroblastomën po tek fëmijët.

Është autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë, ku i fundit është libri universitar Compendio di Diagnostica Medico Nucleare, në lidhje me diagnostikimin e sëmundjeve tumorale.

Ajo ka marrë çmim nga Shoqata Evropiane e Mjekësisë Bërthamore, (EAMN).

Egesta shprehet me modesti për arritjet e saj të deritanishme, ndërsa shton se një motivim të madh ka marrë dhe përmes besimit të saj islam
Intervista

Dr. Lopçi ku përqendrohet aktiviteti yt kërkimor në Itali?

Ka qenë dëshirë e imja t’i kushtohem kërkimeve në fushën e mjekësisë pasi kështu i shërbej më së miri njerëzve, i ndihmoj drejtpërdrejtë ata.

Aktualisht mjekësia moderne përqendron këtë kërkim në identifikimin e atyre karakteristikave molekulare dhe gjenetike të tumorit për secilin individ, në mënyrë që të krijohet ilaçi specifik i trajtimit të tumorit dhe pacientit specifik.

Ndryshe quhen terapi target ose shënjestër, pasi godasin në mënyrë specifike targetin e tyre molekular ose gjenetik.

Si e kanë pritur në Universitet apo dhe në ambientet shkencore emrin shqiptar dhe veshjen tuaj të veçantë?
Unë i përkas besimit islam.

Këtë nuk e kam fshehur asnjëherë, ndonëse kam studiuar në Itali. Nuk jam paragjykuar asnjëherë, pasi atje ku jam unë është ambient i civilizuar që respekton vlerat, punën e aftësitë, pavarësisht nga vjen, e cilit besim i takon.

Profeti ynë ka thënë se Allahu i Madhëruar ka krijuar sëmundjet edhe ka krijuar edhe shërimin.

Kështu që detyra jonë është të kërkojmë pikërisht kurat specifike. Atë që Allahu i Madhëruar të ka destinuar, askush nuk mund ta largojë?.

Më pëlqen të mendoj që shembulli im është një dëshmi e këtij fakti, sepse kur ke besim të plotë te Zoti dhe vendosmëri në rrugën e drejtë, asgjë nuk të ndalon apo frikëson.

Një mysliman nuk duhet kurrë të tronditet në takimin me jomyslimanët për vlerat, besimin dhe zgjedhjet që ka bërë në jetë.

Nëse dikush bën një koment për mbulesën islame, sepse të shikon me habi rrugës, kjo nuk duhet të jetë arsye të lëkundemi nga pozita.

Ne si myslimanë duhet të sforcohemi vazhdimisht të rrisim besimin, vlerat dhe praktikën, në mënyrë që të jemi për të tjerët një shembull në të mirë, si në aspektin human, ashtu dhe në atë profesional.

Fatkeqësisht shumë vëllezër dhe motra janë të diskriminuar ose të përjashtuar për shkak të besimit, kështu që unë do t’i këshilloja të mos dorëzohen, të kenë besim, sepse Zoti është më i miri i mbështetësve.

Në Itali kam familjen, këtu jam formuar dhe stabilizuar profesionalisht.
Falenderimi për atë që kam arritur deri tani i përket Allahut të madhëruar, pasi çdo gjë arrihet nëse do Zoti dhe unë jam plotësisht myslimane.

Pastaj falenderimi i përket familjes time, prindërit, që kanë sakrifikuar për të ardhmen time dhe kanë qenë për mua si një shkëmb në mes të furtunës. Falenderoj dhe të gjithë personat e tjerë që më kanë njohur dhe më kanë mbështetur e përkrahur dhe kanë pasur besim tek unë“, thotë Egesta Lopçi.

Kjo ishte historia e rrallë e shkencëtares myslimane nga Shkodra që me zbulimet e saj po mahnit gjithë botën, dhe jo vetëm Italin./Kosova Post/