thumbs_b_c_b100995d65402cf23be984843f5f6856

Norvegjia thirrje kompanive: Jo bashkëpunimit që i shërben Izraelit në pushtimin e Palestinës

Norvegjia u bëri thirrje kompanive në vend të mos përfshihen në bashkëpunim tregtar që i shërben Izraelit të vazhdojë pushtimin e tij në Palestinë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë thuhet: “Mos u përfshini në tregti dhe bashkëpunim që i shërben Izraelit për të vazhduar pushtimin e Palestinës”.

Më tej në deklaratë kujtohet se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ka thënë se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

“Kompanitë norvegjeze duhet të vazhdojnë aktivitetet e tyre në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Marrëdhëniet tregtare që mund t’i shërbejnë vazhdimit të ekzistencës së paligjshme të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze bartin rrezikun se ato mund të ndërthuren me shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar”, thuhet në deklaratë.

“Vlerësoni menjëherë nëse duhet të ndërpriten apo jo marrëdhëniet e biznesit me organizatat të cilat shërbejnë që Izraeli të vazhdojë praninë e paligjshme në territoret e pushtuara palestineze “, nënvizohet mes tjerash.

Në në deklaratë janë përfshirë edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm, Espen Barth Eide për këtë temë. “Nëse duam të kemi sukses në përfundimin e pushtimit, kushdo që siguron të ardhura për këtë aktivitet duhet të marrë përgjegjësi”, ka thënë Eide.

– Opinioni këshillues i GJND-së për pushtimin e Palestinës nga Izraeli

Kryetari i GJND-së, gjykatësi libanez Nawaf Salam shpalli mendimin e tij këshillues mbi pasojat ligjore të praktikave të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze në seancën dëgjimore publike të 19 korrikut dhe deklaroi se territoret e pushtuara palestineze janë “një njësi e vetme rajonale” jo rajone të ndara të fragmentuara.

Ai thotë se Izraeli është në pozicionin e fuqisë pushtuese në Gaza ndërsa GJND tha gjithashtu se Izraeli është fuqia pushtuese në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

GJND thekson se Izraeli duhet “të përfundojë pushtimin e tokave palestineze sa më shpejt të jetë e mundur” dhe vuri në dukje se të gjitha shtetet janë “të detyruara” të mos e njohin ligjërisht praninë e Izraelit në tokat e pushtuara dhe të mos ofrojnë ndihmë ose mbështetje.