Pyetja:
Selam alejkum.
A më pranohet namazi i vitrit ngase nuk po e di duanë e kunutit, e cila këndohet në rekatin e tretë.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Duhet ta kemi parasysh se lutja e kunutit e cila këndohet në namazin e vitrit, është diskutabile te dijetarët se a është vaxhib apo sunet. Nga Imam Ebu Hanife , Allahu e mëshiroftë, i kemi të dy transmetimet; se është vaxhib dhe se është synet.[1] Mirëpo në medhhebin Hanefi është më i njohur mendimi se kjo lutje është vaxhib, kështu që besimtari gjatë faljes së namazit të kunutit, pasi të lexoj Fatihanë dhe surën duhet patjetër që ta bëj edhe kunutin dhe në qoftë se e harron, atëherë obligohet me sehvi sexhde. Por ata nuk kushtëzojnë që lutja të jetë vetëm duaja e veçantë e kunutit, pasi që nga sehabet transmetohen lutje të ndryshme, këtë do ta sqarojmë më poshtë.
Ndërsa dijetarët tjerë dhe së bashku me ta edhe dy nxënësit e Imam Ebu Hanifes; Ebu Jusufi dhe Muhamed Haseni, përmbajnë mendimin se lutja e kunutit është e preferuar dhe nuk është vaxhib.[2]
Pa u zgjeruar shumë themi se mendimi më i përzgjedhur është se lutja e kunutit në namazin e vitrit është synet, pasi që vërtetohet se sahabiu Ubej Ibën Kab, kur ua falte namazin njerëzve në Xhaminë e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, pas vdekjes së tij, nganjëherë e bënte lutjen e kunutit dhe nganjëherë e linte.[3] Ky fakt vërteton se ata nuk e konsideronin lutjen e kunutit të domosdoshme në namazin e vitrit.
Duke e pasur parasysh vlerësimin e mësipërm themi se namazi i vitrit është i pranuar, pavarësisht e bëjmë apo nuk e bëjmë duanë e kunutit.
Mirëpo këtu duhet ta kuptojmë edhe atë se gjatë lutjes së kunutit, nuk është kusht leximi i një lutjeje të veçantë dhe në këtë ka pajtim te dijetarët. Prandaj nëse ju gjatë kunutit bëni ndonjë lutje tjetër, atëherë kjo lejohet. Si shembull mund të thuhet lutja: “Allahume rabena atina fid dunja hasensetn…”, ose leximi i salavateve, etj. Zoti e di më miri!
Hoxhë Alaudin Abazi
/klubikulturor