Rtv Pendimi

“Nuk e kemi pasur fatin e mirë t’i gëzohemi 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit”

“Nuk e kemi pasur fatin e mirë t’i gëzohemi 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit”

Janë bërë 22 vjet që nga përfundimi i sulmeve të trupave të aleancës veriatlantike – NATO, kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Më 12 qershor 1999, sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’u futur këmbësoria e NATO-s në territorin e Kosovës dhe për t’i larguar forcat jugosllave-serbe nga aty. E gjithë kjo nën urdhrin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, me çka u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Sulmet ajrore të NATO-s që zgjatën për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark, i raportoi Këshillit të NATO-s se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.

Kosova në luftën që Republika Federale e Jugosllavisë veçse e kishte nisur në vitin 1998, bënte rezistencë deri në këtë kohë nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga masakrat, djegiet e shtëpive dhe maltretimet që emetuan mediat vendore e të huaja, bota arriti të njohë qartë fytyrën e kësaj lufte që po zhvillohej në Ballkan. Nga marsi i vitit 1999 deri në qershor të të njëjtit vit, NATO-ja me sulme ajrore kishte ndërhyrë në Kosovë, duke pasur cak disa zona dhe baza të ushtrisë së ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, për ta ndaluar dhunën ndaj popullatës civile kosovare dhe spastrimin etnik të tyre.

“Nuk e kemi pasur fatin e mirë t’i gëzohemi 12 Qershorit”

12 Qershori ka qenë ditë gëzimi për shumicën e kosovarëve. Dëbimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s ua kishte sjellë buzëqeshjen triumfuese dhe lotët e gëzimit shumicës dërrmuese.

Por, këtë gëzim, nuk ka mundur ta përjetojë edhe ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Anton Quni, i cili ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë periudhës së luftës.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Quni thotë se 12 Qershori – Dita e Çlirimit, e zuri atë bashkë me bashkëluftëtarë në betejë.

“Më 12 Qershor isha pjesëmarrës në operacionin që tani është i njohur si Beteja e Koshares. Luftimet në këtë regjion kanë vazhduar deri më 14 qershor. Domethënë, të gjithë ne pjesëmarrësit e kësaj beteje nuk e kemi pasur fatin e mirë t’i gëzohemi 12 Qershorit sepse luftimet kanë vazhduar edhe dy ditë pas 12 Qershorit. Forcat e armikut në atë territor kanë filluar të tërhiqen më datë 15 qershor, kurse më 16 qershor njësitë tona janë dislokuar nga ajo zonë malore në afërsi të fshatit Junik”, kujton deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës.

Duke folur për rëndësinë historike të kësaj date, Quni thotë se ajo ka peshë të veçantë, ngase simbolizon sakrificën e madhe të popullatës bashkë me ndihmën e vendeve demokratike për një vend të pafajshëm.

“Kujtimet janë ende të freskëta posaçërisht për momentet kur UÇK-ja doli përballë një makinerie të fuqishme ushtarake të Serbisë. Përkundër të gjitha atyre kufizimeve që kishim në aspektin njerëzor, financiar, politik e të tjera, ne përsëri dolëm fitimtarë. Ishim fitimtarë sepse kauza ishte e drejtë, ideali ishte i përbashkët që i motivonte që të gjithë, jo vetëm UÇK-në, por edhe partitë politike, organizmat e tjerë deri tek qytetari i fundit që çdonjëri të marrë përsipër një përgjegjësi të asaj kohe. Vetë fakti që i tërë kombi ishte i mobilizuar dhe po ashtu që gëzuam përkrahjen e botës demokratike është tregues se është një ngjarje me peshë të veçantë politike, po ashtu edhe historike”, thekson ai.

Megjithëse mbështetje ajrore NATO-ja i dha Kosovës që nga marsi 1999 dhe trupat e saj zbarkuan më 12 qershor në vend, Quni thotë se ndërhyrja e NATO-s dhe e forcave të fuqishme vendimmarrëse është kërkuar edhe më herët, para se të eskalonte situata “që të mos kishte gjakderdhje”.

Por, ai thotë se Kosova iu gëzua vendimit përfundimtar të kësaj aleance që determinoi një situatë të re duke larguar forcat policore ushtarake dhe administratën e regjimit serb nga Kosova.

22 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova ende synon të bëhet pjesë e aleancës e cila i erdhi në ndihmë, e pikërisht procesi i anëtarësimit në NATO, ka qenë një nga fokuset kryesore edhe të Qunit si ish-ministër i Mbrojtjes.

“Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke i përmbushur dhe arritur të gjitha ato standarde të cilat krijojnë parakushte autoriteteve shtetërore që një ditë, sa më shpejtë, të bëjnë kërkesë dhe të dakordohen për hapat e mëtejshëm që Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, thotë ai, duke shtuar se në vitin 2028 pritet që FSK-ja t’i shpallë kapacitetet e plota operacionale, që më pas pjesa tjetër e rrugës për në NATO t’i mbetet autoriteteve të larta shtetërore.

Deputeti që vjen nga radhët e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se 22 vjet pas këtyre ngjarjeve, Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet që janë kërkuar nga qendrat e vendimmarrjes dhe tani ato duhet të merren me Beogradin zyrtar për ta pranuar realitetin e ri në Kosovë, atë të një shteti të pavarur dhe sovran.

Kosova pas çlirimit

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili do të administronte vendin deri në 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Sot, 22 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Megjithatë, tani, marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë konsiderohen ende në krizë. Bisedimet e nisura midis dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) ende nuk kanë përfunduar.

Kosova pret që Serbia ta njohë shtetësinë e saj, në mënyrë që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e tyre të integrimit të plotë evropian.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH