Rtv Pendimi

Nuk jam Charlie Hebdo, ose një analizë ndryshe mbi aktin terrorist në Paris

Amir B. Ahmet

 

I.
Në fillim të këtij artikulli dua që të dënoj aktin terrorist në Francë. Padyshim se ajo që ndodhi në Paris ishte një krim i pafalshëm, një akt terrorist që ka tronditur gjithë botën, edhe neve në Kosovë.

Këtë akt terrorist e dënuan edhe udhëheqësit tanë politikë, edhe pse disa prej tyre me shprehje amatore, bajate e servile.

Kurse reagimet e disa pseudoanalistëve e pseudogazetarëve ishin shumë irituese, të mangëta e po ashtu me ngjyra serviliteti. Habitem pse në trojet shqiptare, kur flitet për fenë, sidomos atë islame, e veçmas për temën e terrorizmit, mediave iu mungon ajo kurajo dhe profesionalizëm i disa mediave botërore. Racionaliteti i lajmit dhe balanci i argumenteve po iu mungon shumë mediave në Kosovë, derisa në Shqipëri vërehet një standard më i kënaqshëm në këtë drejtim. Këtu po përmendi edhe emisionin e fundit “Opinion” nga gazetari z. Blendi Fevziu, me musafirët e fushave të ndryshme në studio që trajtuan ngjarjen e fundit të terrorit në Paris. Derisa te ne, televizioni publik na dha një të ashtuquajtur debat ku asnjëri nuk debatonte me tjetrin por vetëm plotësonin njëri tjetrin me argumente të varfra dhe të pakonsoliduara. Konsideroj se pak mediume e analistë te ne janë të pavarur dhe racional. Ata janë shumë larg mediave e analistëve të Tiranës e mos të flasim për media apo analistë me renome botërore.

II.
Tani t’i kthehemi analizës mbi terrorizmin. Thjeshtë duke klikuar në google mund të lexosh gjerë e gjatë për terrorizmin, ndërsa unë po kufizohem me pak rreshta sa për ilustrim.

Termi “terrorizëm” rrjedh nga frëngjishtja si “terrorisme”, e cila specifikisht i referohet terrorizmit shtetëror, ushtruar nga qeveria franceze gjatë viteve 1793 – 1794, i njohur si periudha e “sundimit të terrorit”. Kjo ndodhi gjatë revolucionit francez, në konfliktin politik mes Jakobinëve dhe Girondinëve. Qëllimi i saj ishte eliminimi masiv i “kundërshtarëve të revolucionit”. Këtu mund të përmendim edhe personin e parë i cili e ka quajtur veten terrorist, Sergey Nechayev, i cili në vitin 1869 themeloi organizatën terroriste ruse “Ndëshkimi popullor” – “Народная расправа”. Ndërsa thuhet se për herë të parë kjo shprehje u përdor nga Roma e lashtë në fillim të shekullit të dytë si gjendje emergjente nga frika e terrorit nga fisi Kimbri nga Jutlandi (Danimark).

Si përfundim, terrorizmi nuk paska origjinë fetare e aq më pak islame, por qenka një akt me karakter të pastër politik. Kurse sot në mbarë botën, edhe te ne në Kosovë sapo të përmendet termi “terrorizëm” menjëherë i shtohet edhe “islam”. Ndërsa e vërteta është se feja islame dënon terrorizmin dhe çdo akt tjetër kriminal. Islami urdhëron në paqe e solidaritet, bashkëjetese, konsideratë për të gjitha kombet dhe se afrimi te Zoti arrihet vetëm me devotshmëri dhe jo me akte të dhunës. Këtë e gjejmë në Kur’anin famëlartë, por edhe në traditën e të Dërguarit a.s. Kjo traditë është ngulitur thellë tek besimtarët, njëjtë edhe te populli ynë shqiptar. Këtë e dëshmon bashkëjetesa e shqiptarëve musliman, katolik e ortodoks për mbi 600 vjet pa asnjë konflikt ndërfetarë.

Thënë ndryshe, terrorizmi mund të jetë shtetëror, por edhe individual apo grupor. Por gjithherë për interesa politike dhe asnjëherë për interesa fetare.

III.
Inferioriteti i të qenit musliman i disa pseudoanalistëve dhe pseudogazetarëve në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë, po dëmton tolerancën ndërfetare të popullit tonë. Pas arrestimit në qendër të Prishtinës të terroristit serb, të cilin nuk di si ta quaj ndryshe, kur te ai janë gjetur plotë 12 kg. eksploziv. Disa media në Kosovë ende hamenden apo frikësohen, që ta quajnë të tillë dhe jo rrallë herë në media e gjejmë të shkruar në thonjëza, “terroristi” Gavriq, me siguri nga frika se mund të paditen nga ky terrorist, në rast se ai nuk dënohet për terrorizëm. Ndërsa kur bëhet fjalë për ndonjë musliman, nuk hamenden fare për ta cilësuar si terrorist islamik, duke e ditur se muslimanët nuk i mbron askush dhe fyerja që më së lehti mund t’i bëhet dikujt te ne është të fyesh një musliman.

Kjo madje vërehet edhe te shumë politikbërës në trojet tona, të cilët për të mbuluar krimin e organizuar që kryesisht udhëhiqet nga ta, e edhe korrupsionin, nepotizmin e tjera, tregojnë hipokrizi serviliteti ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Të tillë ka më shumë në Kosovë, krahasuar me trojet tjera shqiptare. Të cilët janë në gjendje të shkelin të gjitha të drejtat e besimtarëve musliman për të treguar servilizmin e tyre ndaj bashkësisë ndërkombëtare, edhe pse këta të fundit nuk e kërkojnë prej tyre një gjë të tillë. Se muslimanët janë të diskriminuar e tha para dy netëve edhe analisti i mirënjohur nga Tirana z. Fatos Lubonja, i cili tha se muslimanët shqiptar janë mazhorancë por janë të diskriminuar nga elitat politike.

IV.
Në ditën e parë të këtij akti terrorist, unë shkrova në profilin tim në facebook: “Pse pikërisht në kohën kur PEDIGA po mobilizon evropianët për demonstrata “kundër islamizimit të Evropës” ndodhi ky akt terrorist?!”. Edhe sot kam të njëjtin dyshim, duke pasur parasysh ato që shkrova më lartë për fenë e pastër islame. Dikush do të përfitoj nga kjo, por sigurisht jo muslimanët, apo siç tha më ndryshe gazetari Italian Massimo Mazzucco: “Më thuaj se kush përfiton prej një akti terrorist të të them se kush qëndron pas tij”.

Kurse trendi i solidaritetit të disa mediave me revistën karikaturiste “Charlie Hebdo”, me “Je suis Charlie”, bëri që në anën tjetër edhe shumë gazetarë të gazetave më prestigjioze në botë, si në ShBA, Britani të Madhe e tjera, të thuan të kundërtën, “Unë nuk jam Charlie Hebdo”. Por kjo nuk ndodhi nga ndonjë gazetar apo medium kosovar. Si rezultat, lexova shumë për lirinë e shprehjes nga mediat perëndimore e sidomos të revistës “Charlie Hebdo”. Kështu mësova se kjo revistë në vitin 2009 ia ndaloi lirinë e shprehjes gazetarit të vet Maurice Sinet, i cili u tall për martesën e djalit të Sarkozit që u martua me një hebreje, duke thënë se u martua me te për para. Kjo tallje gazetarit Sinet i kushtoj me përjashtim nga puna, sepse u cilësua se fyeu ndjenjat e hebrenjve dhe u konsiderua si antisemitizëm. Atëherë si të solidarizohem e të jam “Charlie Hebdo” kur lirinë e shprehjes kjo revistë e peshon në mënyrë selektive, apo me dy standarde. Si të jam “Charlie Hebdo” kur lirinë e shprehjes e përdorë për nxitje të urrejtjes dhe racizmit. Ndërsa më kryesorja, si të jam Charlie Hebdo i cili fyen të dashurin tonë, vulën e profetëve, Muhamedin a.s.

Edhe një here, nuk jam me ata dy personat që bënë masakrën, të cilët me maska na u servuan nga mediat, por që kurrë nuk kuptuam se kush fshihej nën ato maska. Unë dënoj çdo akt terrorist në botë, e edhe atë në Paris, por as nuk do të kompleksohem nga një krim që s’ka asgjë të përbashkët me mua e as me besimin tim, e si rrjedhojë ta ndryshoj emrin tim, siç bëri një bashkëkombës yni në perëndim.

Dënoj çdo akt terrorist në botë por nuk jam Charlie Hebdo. Je suis Amir Ahmeti.

TË NGJAJSHME