Drejtori i Departamentit për Zhvillimin e Shëndetësisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dr. Rüdiger Krech tha se “Në vitin 2025, numri i përdoruesve globalë të duhanit pritet të bie në 1.27 miliardë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Krech vlerësoi situatën më të fundit në përdorimin global të duhanit.
Sipas tij, nga viti 2015 deri në vitin 2020, numri i përdoruesve të duhanit ra nga 1.32 miliardë në 1.3 miliardë. “Aktualisht, 60 vende janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin e tyre për të reduktuar përdorimin e duhanit me 30 për qind deri në vitin 2025”, tha Krech.
Ai theksoi se miliona jetë u shpëtuan falë Marrëveshjes Kornizë të OBSH-së për kontrollin e duhanit. Krech shtoi se është e qartë se kontrolli i duhanit ka një ndikim në botë dhe se janë dëshmitarë të zhvillimeve pozitive në shumë vende në këtë drejtim. Ai thotë se duhet të bëhet presion edhe më shumë që sukseset të jenë të përhershme.
Krech informoi se sipas raportit të OBSH-së “Investime Globale për Ndërprerjen e Duhanit”, përpjekjet për të lënë duhanin, si linjat telefonike falas dhe njoftimet me SMS për dëmin e përdorimit të duhanit, mund të bëjnë 152 milionë njerëz ta lënë duhanin deri në vitin 2030.
COVID-19 shkaktoi rënien e përdorimit të duhanit në 80 vende
Krech tha se masat e marra kundër pandemisë së COVID-19 ndihmuan në uljen e përdorimit të duhanit. “COVID-19 ka ndikuar në uljen e përdorimit të duhanit në 80 vende”, tha ai.
Duke thënë se përdorimi global i duhanit po zvogëlohet gradualisht me efektin e COVID-19, Krech parashikoi se numri i përdoruesve globalë të duhanit do të ulet në 1.27 miliardë në vitin 2025.
Krech ndau statistikat aktuale të OBSH-së për përdorimin global të duhanit.
Sipas kësaj 22.3 për qind e popullsisë globale përdorte duhan në vitin 2020, 36.7 për qind e tyre ishin burra dhe 7.8 për qind ishin gra.
38 milionë fëmijë përdorin duhan
Përveç kësaj, 38 milionë fëmijë të moshës 13-15 vjeç në botë vitin e kaluar u zbuluan se përdorin duhan.
Teksa rënia më e shpejtë e normave të përdorimit të duhanit u pa në rajonin e Amerikës, përdorimi i duhanit në këtë rajon u ul nga 21 për qind në 16 për qind nga 2010 në 2020.
Rajoni i Afrikës u identifikua si rajoni me përdorimin më të vogël të duhanit, me përdorimin e duhanit nga 15 për qind në 10 për qind nga 2010 në 2020.
Evropa, ku 18 për qind e popullsisë së gjinisë femërore përdorte duhan, vazhdoi të ishte rajoni ku gratë e përdorin më shumë duhanin.
Ndërkaq thuhet se ndërsa Azia Juglindore, me 29 për qind të popullsisë së saj të përgjithshme, vazhdon të jetë rajoni me konsumin më të lartë të duhanit, përdorimi i duhanit në vendet e rajonit gradualisht po zvogëlohet.