Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite të ndalojnë prishjen dhe konfiskimin e pronave palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kolegët tanë humanitarë në Territorin e okupuar Palestinez na tregojnë se të mërkurën, në komunitetin Ras al-Tin në Ramallah, 84 palestinezë humbën shtëpitë e tyre kur forcat Izraelite konfiskuan të paktën 49 objekte”, deklaroi në një konferencë Farhan Haq, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Ai theksoi se palestinezët e përdorin zonën në verë si tokë kullose, “por tani janë në rrezik të rritur të zhvendosjes me forcë nga zona”.
Haq gjithashtu tha që forcat izraelite “çmontuan dhe konfiskuan një strukturë banimi (të enjten) në Humsa Al Baqi’in në veri të Luginës së Jordanit”.
Zëdhënësi përsëriti thirrjen e OKB-së ndaj Izraelit që të ndalojë shkeljet e tij “dhe t’u përmbahet detyrimeve të tij si një fuqi okupuese sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), forcat izraelite shkatërruan të paktën 421 struktura në pronësi të palestinezëve në Bregun Perëndimor të okupuar këtë vit.
Të mërkurën, forcat izraelite shkatërruan një komunitet beduin të banuar nga 11 familje palestineze në Bregun Perëndimor të okupuar. Autoritetet izraelite si arsye përmendin mungesën e lejeve të ndërtimit për prishjen e strukturave palestineze.
Sipas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tri pjesë: Zona A, B dhe C.
Izraeli parandalon palestinezët të kryejnë projekte ndërtimi në pjesë të Bregut Perëndimor të caktuar si Zona C, e cila bie nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë së Izraelit.
Zona C aktualisht është vendbanimi i 300 mijë palestinezëve, shumica dërrmuese e të cilëve janë beduinë dhe komunitete të bagëtisë, të cilët kryesisht jetojnë në çadra, karavane dhe shpella.