F2D9D36C-F693-4437-B29F-717F3C689E11

OKB: Një në çdo pesë persona në botë përballet me dhunë dhe ngacmim në vendin e punës

Të paktën një në çdo pesë persona në mbarë botën është i ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit në vendin e punës, njoftoi Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e Kombeve të Bashkuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e titulluar “Përvojat e dhunës dhe ngacmimit në punë: Sondazhi i Parë Global” i përgatitur nga ILO, në të cilin janë intervistuar rreth 75.000 punonjës mbi moshën 15 vjeç nga 121 vende, janë ndarë statistikat e personave që janë nënshtruar ndaj keqtrajtimit në vendin e punës, sipas moshës, gjinisë dhe rajonit.

Raporti thekson se të paktën një në çdo pesë punonjës (rreth 23 për qind) ka përjetuar dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale ose ngacmim në vendin e punës.

17,9 për qind e punonjësve meshkuj dhe femra që kanë marrë pjesë në intervistë i janë nënshtruar dhunës dhe ngacmimit psikologjik.

Ndërsa 8,5 për qind e punonjësve kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit fizik, këtë situatë e kanë përjetuar më shumë punonjësit meshkuj.

6,3 për qind e punonjësve, veçanërisht gra, janë ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit seksual.

Dhuna dhe ngacmimet në vendin e punës, më të larta në SHBA

Dhuna dhe ngacmimet në punë kanë qenë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, pasuar nga Afrika.

“Është shumë e dhimbshme të dihet se njerëzit janë nënshtruar ndaj dhunës dhe ngacmimeve në vendet e tyre të punës jo një herë, por më shumë se një herë”, ka thënë në raport Manuela Tomei, Ndihmësdrejtoresha e Përgjithshme e ILO-së për Menaxhimin, të Drejtat dhe Dialogun.

“Midis vendeve, dhuna dhe ngacmimi psikologjik është më i zakonshmi, ndërsa gratë në veçanti i nënshtrohen dhunës seksuale”, ka theksuar Tomei.