Rtv Pendimi

OKB: Numri i fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar në Jemen tejkalon 10 mijë

OKB: Numri i fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar në Jemen tejkalon 10 mijë

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha se numri i fëmijëve të vrarë ose të gjymtuar në konflikte në Jemen ka tejkaluar 10 mijë që nga shpërthimi i luftës civile në vend në vitin 2015, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder në konferencën për media të mbajtur në Zyrën e OKB-së në Gjenevë foli mbi situatën e fundit në krizën humanitare në Jemen.

Duke thënë se ai është dëshmitar i shumë fëmijëve që ishin në një situatë të vështirë në rajonet veriore dhe jugore të Jemenit, Elder tha: “U takova me pediatër, mësues dhe infermierë në rajonet ku shkova. Historitë që më treguan ishin të tilla që vendi ishte në prag të kolapsit”.

Ai theksoi se faktorët që shkaktojnë krizën humanitare në Jemen janë “konfliktet e rënda”, “kolapsi ekonomik”, “shkatërrimi i sistemeve të tilla si shëndeti, ushqimi, uji, kanalizimet, siguria dhe arsimi” dhe “ndihma e pamjaftueshme e OKB -së”.

4 nga 5 fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare

Duke iu referuar statistikave mbi situatën e fundit në Jemen, Elder tha se “4 nga çdo 5 fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare, e cila korrespondon me më shumë se 11 milionë fëmijë. Sipas tij, 400 mijë fëmijë janë nën kequshqyerje të rëndë.

“Më shumë se 2 milionë fëmijë nuk mund të arsimohen dhe 4 milionë fëmijë ekziston rreziku i braktisjes së shkollës. Dy të tretat e mësuesve, 170 mijë persona nuk kanë marrë rroga të rregullta për 4 vitet e fundit. 1.7 milionë fëmijë janë zhvendosur për shkak të konfliktit. 15 milionë civilë, përfshirë 8.5 milionë fëmijë nuk kanë qasje në nevoja të tilla si uji i pijshëm, kanalizimet dhe higjiena”, tha Elder.

Ai tha se ndihma e UNICEF-it ka lehtësuar deri diku krizën humanitare në Jemen. “Nëse nuk ofrohet më shumë ndihmë ndërkombëtare, më shumë fëmijë do të vdesin, duke mbajtur barrën e kësaj krize humanitare”, potencoi Elder.

Duke theksuar se Jemeni ka hyrë në një “pikë kthese të turpshme” me numrin e fëmijëve të vrarë dhe të plagosur deri më tani, Elder shtoi se: “Numri i fëmijëve të vrarë ose të gjymtuar që nga marsi 2015, kur filloi lufta civile ka tejkaluar 10 mijë. Kjo shifër korrespondon me 4 fëmijë në ditë”.

Elder nënvizoi se fëmijët në Jemen po vdesin nga uria jo për shkak të mungesës së ushqimit, por për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.

Zëdhënësi i UNICEF-it tha se Jemeni është vendi më i vështirë në botë për të qenë fëmijë dhe se situata aktuale po përkeqësohet.

Lufta civile në Jemen

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, po ndodhin përplasje midis Huthive të mbështetur nga Irani dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Huthit kanë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa rajone që nga shtatori i vitit 2014 ndërsa që nga marsi 2015 forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Huthive.

Huthit e mbështetur nga Irani synojnë shpesh rajonet jugore të Arabisë Saudite me raketa balistike dhe mjete ajrore pa pilot (UAV).

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH