OKB: Refugjatët në Jemen përballen me uri për shkak të shkurtimeve të ndihmës ushqimore

OKB: Refugjatët në Jemen përballen me uri për shkak të shkurtimeve të ndihmës ushqimore

Zyra e Komisionerit të Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) njoftoi se miliona refugjatë në Jemen po përballen me uri në rritje për shkak të ndërprerjes së ndihmave ushqimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Familjet e refugjatëve në Jemen përballen me uri në rritje për shkak të shkurtimeve të ndihmave ushqimore”, tha UNHCR në një deklaratë në Twitter në lidhje me gjendjen humanitare në vend.

Më shumë se gjysma e refugjatëve në vend, rreth 4 milionë njerëz, jetojnë në zona me nevoja urgjente ushqimore, thuhet në deklaratë.

Në fillim të muajit, OKB-ja njoftoi se disa nga programet e rëndësishme të ndihmës humanitare në Jemen u pezulluan dhe disa u pakësuan për shkak të mungesës së fondeve.

Jemeni, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, prej shtatë vitesh ka qenë skenë e përleshjeve midis rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Vendi po përjeton një nga krizat më të mëdha humanitare dhe ekonomike në botë, ku shumica e popullsisë ka nevojë për ndihmë.