Rtv Pendimi

ORIGJINA DHE FONDAMENTI I MODERNIZIMIT DHE TEKNOLOGJISË BASHKËKOHORE (I)

Shkruan: Ardian Elezi

Trashëgimia dhe ndikimi i civilizimit islam, i  këtij civilizimi të ndritshëm, i cili zgjati  afërsisht një milenium (ca. 650-1600 sipas kalendaritgregorian), në përparimin, zhvillimin dhe kultivimin shkencor dhe teknologjik të Perëndimit është me të vërtetë i pamatshëm. Në gati çdo fushë të jetës dhe në çdo drejtim shkencor, civilizimi islam ka lëshuar rrënjë të thella dhe ky civilizim nuk pati thjesht vetëm ndikim dhe nuk luajti njëfaktor dytësor për zhvillimin dhe kultivimin e disiplinave shkencore në Evropë, por civilizimi islam ka luajtur një rol vendimtar për zhvillimin dhekultivimin e atyre lëmenjve shkencorë, të cilat u zhvilluan në Perëndim pas Renesancës.

Pas një nate të gjatë, të qetë dhe të errët në historinë e njerëzimit, më në fund erdhi viti 610. Një vit i cili shënjoi, se mëngjesi  i njerëzimit është afër. Në shpellën e «Hirasë», në të cilën iu shpallën Muhamedit alejhi salatu ue selam ajetet vijuese, nga Krijuesi i njerëzisë përmes Xhibrilit alejhi salatu ue selam“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (gjithçka); e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku. Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh; i cili me anë të penës ia mësoi; ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (Kuran 96: 1-5); dhe me këto ajete madhështore mbillet ky fenomen i quajtur «Civilizimi Islam”  në zemrën e pastër të Dërguarit të bekuar të Allahut alejhi salatu ue selam. Si mos të jetë kështu, kur vetëm në këto ajete madhështore përmenden shtyllat e një civilizimi të ndritshëm dhe gjurmëlënës. Leximi (studim, mësim), Mësimdhënia, Pena (pra, shkrimi), Dituria, Dashuria për të mirën e Njerëzimit dhe padyshim i udhëhequr me lidhjen dhe besimin në një Zot, Krijues. Këto ishin shtylla mjaft të forta me të cilat u bë e mundur të ndërtohet ky lloj civilizimi.

Vështrim mbi emërtimin Civilizimi Islam dhe kontributi i udhëheqësve muslimanë në zhvillimin shkencor

Është e rëndësishme të përmendim dhe nuk bën të harrohet, se edhe pse ky civilizim quhet „Civilizim Islam“ në ndërtimin e këtij civilizimi morën pjesë edhe individë me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare, si p.sh. i krishteri Hunejn ibën Is’hak, ose persiani Al-Fadl ibën Naubaht dhe Sehël ibën Harun, ose sabiini Thabit ibn Qurra etj. Ndoshta mund të na pyesë dikush me të drejtë, se përse këta shkencëtare kanë emra muslimanë?!… Historia na tregon, se në atë kohë, pra në epokën e artë të Islamit ishte shumë normale që të krishterët, jehuditë dhejomuslimanët në përgjithësi të emërtoheshin me emra muslimanë, por jo vetëm emrin e huazonin, por edhe mënyrën e të jetuarit, veshmbathjen, mësimin e gjuhës arabe dhe të folurit në përgjithësi etj. (Normalisht përjashto këtu praktikimin e riteve fetare.) Përse kjo? Sepse bota islame ishte e ndriçuar me plot kuptimin e fjalës me përparimin dhe zhvillimin shkencor, pastaj standardi i jetës ishte shumë më i lartë, se në çdo vend tjetër të botës. Njerëzit ishin të edukuar shumë mirë, të arsimuar, të ndershëm, të kulturuar dhe mbretëronte drejtësia dhe harmonia në vendet islame. Kështu që të gjithë njerëzit e botës, të cilët dëgjonin për këtë i admironin ata me plot kuptimin e fjalës dhe dëshironin që të merrnin pjesë në këtë shoqëri dhe të jenë pjesë e këtij civilizimi. Si pasojë ndodhi një emigrim i madh në shtetin islam nga të gjitha anët e botës. Kjo mundet ndoshta të krahasohet me gjendjen e sotme, ku prej vendeve të varfra me standarde të ulët jetese (për fat të keq edhe prej vendeve muslimane) emigrohet në shtetet e pasura të Evropës, dhe Amerikës, ku standardi i jetës është më i lartë, dhe ku ka një civilizim, i cili admirohet. Pra gjendja tashmë paska ndryshuar pothuajse në të kundërtën, vetëm se atëherë gjendja në këtë aspekt ka qenë edhe më ekstreme, sepse Perëndimi ishte në një gjendje të mjerueshme dhe jetonin në një gjendje të vështirë, ku mbretëronte injoranca e padrejtësia dhe ku njerëzit ishin të pakulturuar dhe të pacivilizuar. Shkurt e shqip jetonin në errësirë me plot kuptimin e fjalës. Rreth standardit të lartë jetësor në vendet islame në epokën e artë të Islamit ka shumë për të folur, prandaj nuk kemi mundësi të zgjerohemi këtu.

Le t’i kthehemi temës rreth emërtimit  „Civilizim Islam“. Që të emërtohet ky civilizim kështu meriton pa asnjë pikë dyshimi, sepse ndërtimi i këtij civilizimi ndodhi në shtetin islam dhe nën mbikëqyrjen e udhëheqësve muslimanë. Islami ishte impulsi dhe nxitësi kryesor që njerëzit të fillonin e të merreshin me dije dhe shkencë. Këtë na e vërteton edhe profesori i njohur turk, i cili jep mësim në universitetin e famshëm Goethe në Frankfurt me fjalët. “Islami i ka dhënë impulsin dhe nxitjen të preokupimit me shkencën dhe ka krijuar një mentalitet komplet të ndryshëm njerëzor.“  Pastaj nuk bën të harrohet, se gjuha në të cilën u zhvillua ky civilizim ishte gjuha e Kuranit, pra gjuha arabe. Gjuha arabe ishte për 1000 vite me radhë gjuha e shkencës dhe e përparimit dhe gjuha me të cilën kuptoheshin shkencëtarët dhe dijetarët më të shquar të asaj kohe. Pastaj një faktor tjetër i rëndësishëm, i cili luajti një rol jashtëzakonisht të madh për zhvillimin e këtij civilizimi ishte edhe kontributi i udhëheqësve të drejtë muslimanë, të cilët nuk i lanë asgjë mangët në asnjë aspekt shkencëtarëve dhe dijetarëve, por i mbështetën, i përkrahën, i nxitën dhe i ndihmuan ata në rrugën e dijes dhe të shkencës. Kjo e vërtetë pasqyrohet shumë qartë në faktin se ata udhëheqës të drejtë, si p.sh. Harun Rashidi (763-809) etj., ndërtonin qendra dhe institute shkencore për t’u kultivuar shkenca, ku mblidheshin shkencëtarët e botës për të punuar. Këtë fakt dëshiroj ta ilustroj me shembullin e udhëheqësit, i cili erdhi pas Harun Rashidit, djali i tij me emrin Ebul Abbas Abdullah El Memun. Ky udhëheqës, i cili ishte dashamirës jashtëzakonisht i madh i shkencës dhe nuk kënaqej që t’i dëgjonte vetëm shkencëtarët e tij, se çka kishin për të treguar dhe për të prezantuar, por ishte edhe vetë aktiv në kërkimin e diturisë. Ai i dërgonte shkencëtarët nëpër vende të largëta, që të kërkonin dhe t’i sillnin librat e kolosëve të popujve të mëparshëm, si të Grekeve të lashtë, të Egjiptit, të Persisë, të Kinës, të Bizantit, të Indisë etj. Kështu që ai shpeshherë kur fitonte ndonjë betejë kundër udhëheqësve dhe mbretërve të huaj ai nuk kërkonte ar ose diamante prej atyre, por i detyronte t’i sillnin libra nga biblioteket e tyre. El Memuni kishte dëshirën e zjarrtë që t’ia mblidhnin të gjitha librat e botës nën një kulm, t’ia përkthenin dhe ai të përkujdesej personalisht, që shkencëtarët dhe dijetarët e tij t’i studionin ato. Për realizimin e kësaj ëndrre ai ndërmori hapin dhe ndërtoi një institucion shkencor, i cili zuri një vend të rëndësishëm në historinë shkencore deri në ditët e fundit. Siç na rrëfen historia dhe siç njihet në tërë botën ky institucion shkencor emërtohet „Shtëpia e Urtësisë-Bejtul Hikmeh“. Me të vërtetë ky institucion i ngritur në Bagdad paraqet shumë bukur lulëzimin shkencor të epokës së artë të Islamit. Biblioteka e Shtëpisë së Urtësisë në mesin e shekullit të 9-të arriti të bëhet biblioteka më e madhe në botë, në të cilën gjendeshin libra dhe tekste prej të gjithë popujve të mëparshëm, të cilët kishin arritje shkencore. Jo vetëm që përkthimi në gjuhën arabe mori hov të madh, por njëkohësisht vërejmë, se si kapacitetet më të mëdhenj të disiplinave të ndryshme shkencore të asaj kohe mblidheshin në Bagdad me ambicie të larta dhe me dëshirën e zjarrtë, që të kontribuojnë për përparimin e shkencës një herë e përgjithmonë. Si pasojë Bagdadi bëhet qendra numër një e shkencës dhe e arsimit për shumë shekuj me radhë. Qendra të tjera shkencore të asaj kohe, të cilat luajtën po ashtu role jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin shkencor ishin edhe qytetet si Damasku (Siri), Kajro (Egjipt), Kordoba dhe Granada (Spanjë), Isfahani (Iran), Mosuli (Irak), Maragha (Iran) etj.

Pas vdekjes së Pejgamberit të Allahut alejhi salatu ue selam dhe me ardhjen e Kalifatit me katër Kalifët e Drejtë shpërndahet drita e Islamit shumë shpejt dhe për një kohë shumë të shkurtër territori i shtetit islam zgjerohet prej Kinës e nëpërmes Afrikës Veriore deri në Spanjë. Kështu me çlirimin e shteteve si Egjipti, Siria, Bizanti, Irani, Kina (pjesërisht) etj., muslimanët filluan të njihnin edhe kultura të tjera, kështu që iu mundësua shkencëtarëve muslimanë të arrinin deri te thesaret e diturive të popujve të mëparshëm, ngaqë mu në këto vende qëndronin ato thesare, bile edhe dituria e grekëve të lashtë gjendej aty. Këtë na e vërteton shkencëtari gjerman Dr. Patrick Franke: “Qendrat më të rëndësishme të shkencës antike nuk ishin në Greqi, por ato ishin në Aleksandri çka do të thotë në Egjipt dhe pjesërisht në Siri. Pra, iu bë e mundur atyre (shkencëtarëve muslimanë), që në këto fusha të shkencës të furnizoheshin prej këtyre qendrave, sepse tashmë gjendeshin në vendet e muslimanëve. Mirëpo në Evropë gjendja ishte ndryshe. Gjermania dhe Franca edhe në antikitet nuk kishin qenë qendra të arsimit.»

(vijon…)

TË NGJAJSHME