Mashtrimi me ushqimet, falsifikimi i tyre, i kushton industrisë së ushqimit dhe pijeve rreth 30 miliard dollarë çdo vit. Mashtrimi me ushqimet është zëvendësimi i qëllimshëm ose keqinterpretimi i produkteve ushqimore për përfitime ekonomike. Në disa raste, si hollimi i vajit të ullirit është me pak rrezik dhe në raste të tjera, përdorimi i nishestes ose lëndëve plastike për të zëvendësuar orizin, rreziku është shumë i madh. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, një test me laser i zhvilluar në Itali mund të zbulojë me saktësi të pabesueshme ushqimet e falsifikuara.
Mashtrimi me ushqimet ndodh për herë dhe në të gjitha llojet e produkteve, që nga lëngjet e frutave, vaji i ullirit e deri tek pijet alkoolike apo peshku ton. Hulumtuesit italianë kanë krijuar një pajisje që zbulon menjëherë ushqimet e falsifikuara. Adriana Puiu është me Qendrën Kërkimore Frascati Enea, transmeton zëri i Amerikës.
“Synimi është të zbulojmë rastet e falsifikimit të ushqimit. Për shembull, prania e vajrave me cilësi të ulët të përziera me vajin e ullirit ekstra të virgjër, ose metanoli në pijet alkoolike, apo fshehja e përmbajtjes së sheqerit në etiketat e lëngjeve të frutave, dhe kryesisht histamina në produktet e peshkut.”
Prova bëhet përmes analizës të quajtur spektroskopi fotoakustike me rreze laser. Një rreze laser kalon përmes verës, vajit të ullirit apo peshkut dhe zbulon të gjitha kimikatet e ndryshme në të.
“Rrezja laser përshkon artikullin dhe ndërvepron me përbërësit e tij. Rrezja laser është ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim dhe na lejon të zbulojmë me përpikëri të lartë molekulat e falsifikuara”, thotë hulumtuesja italiane Adriana Puiu.
Sikurse të gjitha teknologjitë e reja, pajisja nuk është shumë praktike. Por ekipi po punon për të prodhuar një pajisje të vogël që të mbahet në dorë.
Luca Fiorani është me laboratorin e Qendrës Kërkimore Frascati Enea.
“Duam të prodhojmë një sistem portativ si një çantë dore që autoritet mund ta marrin me vete për të analizuar produktet. Kur pajisja sinjalizon për probleme në produkte, mostrat dërgohen në laborator për analizë të hollësishme, çfarë kërkon kohë, kushton dhe është komplekse.
Hulumtuesit thonë se një variant portativ do të jetë i mundshëm gjatë tre viteve të ardhshme.