Palestinezi i përkushtuar për kujdesin e maceve në Al-Aksa humb jetën nga COVID-19

Palestinezi i përkushtuar për kujdesin e maceve në Al-Aksa humb jetën nga COVID-19

Ishte pas namazit të sabahut gjatë Ramazanit në vitin 2016 kur Saleh Zighari foli me Ghassan Younes për herë të parë ndërsa ky i fundit po pastronte oborrin e Xhamisë Al-Aksa dhe ai u përshëndet dhe bëri shaka me Zighari dhe miqtë e tij, shkruan Anadolu Agency (AA).

Younes, 72-vjeç, i cili ishte nga qyteti Ara, rreth 38.5 kilometra në jug të Haifas, ka shkuar në xhaminë e shenjtë çdo ditë, nga viti 1971 deri në 2020.

Palestinezët në oborrin e xhamisë gjithmonë e njohin atë për nga aktiviteti i tij i përditshëm. Ai i ushqente zogjtë dhe macet çdo mëngjes pasi mbaronte namazin.

“Kur hynte në oborret e Al-Aksës, macet dhe zogjtë grumbulloheshin rreth tij. E kisha parë që kur isha fëmijë, më i vogël se 8-vjeç”, tha Zighari, 23-vjeç, një fotograf nga Kudsi.

Xhepat e Younes ishin gjithnjë të mbushura me karamele të cilat ua shpërndante besimtarëve në xhami.

“Ai ishte shumë i dashur me të gjithë njerëzit, një person i këndshëm me kafshët dhe njerëzit”, shtoi Zighari.

Palestinezi i moshuar u bë i njohur në nivel lokal dhe rajonal përmes videove që u filmuan gjatë viteve në xhami dhe u përhapën në mediat sociale.

“Shumë herë që kam udhëtuar nëpër shtete të ndryshme dhe sapo njerëzit kuptonin se isha nga Kudsi, ata pyesnin për të, për mirësinë dhe dhuratat e tij. Ata mendonin se ai ishte zyrtar dhe gjithmonë mbeteshin të befasuar se kujdesi i tij për kafshët ishte plotësisht vullnetar”, shtoi Zighari.

Autoritetet izraelite ndaluan shumë herë Younes, kurse në shumë raste lëshuan urdhra dëbimi duke ia ndaluar hyrjen në Xhaminë Al-Aksa.

Hanady Halawni përkujtoi se herën e fundit kur ajo u takua me Ghassan, ai i dha asaj disa bylyzykë për vajzën e saj në vizitën e tij të fundit në Kuds.

“Ai ishte i dashur për të gjithë njerëzit. Ai gjithmonë më jepte dhurata për bijtë dhe bijat e mia. Edhe pasi vajza ime mbushi 21-vjeç, ai përsëri më dërgonte dhurata”, tha ajo.

Halawni takohej çdo ditë me Younes kur ajo ishte mësuese e Kur’anit në Xhaminë Al-Aksa para se t’i ndalohej hyrja në të.

“Kur ai kthehej në qytetin e tij, e takoja disa herë në stacionin e autobusit, i cili është afër shtëpisë sime. Ai bleu akullore për të gjithë në autobus si dhuratë për ta në udhëtimin e tyre nga Kudsi në Haifa”.

Younes ishte infektuar me COVID-19 rreth tre muaj më parë. Shëndeti i tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë më 19 janar.