Në kohën kur Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë për shkak të pandemisë, liberalizimi i vizave apo heqja e kufijve për vendet e treta është e paimagjinueshme, thotë drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha.
Disa shtete evropiane, në mesin e të cilave Franca dhe Holanda, mendojnë se ende nuk është momenti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në Këshillin e Bashkimit Evropian, kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Por, sipas burimeve diplomatike, Franca dhe Holanda, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën, thirren në mungesën e dëshmive të mjaftueshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.
Ato mendojnë se Komisioni në raportin për Kosovën, ka bërë vlerësimin “në mënyrë tepër formale”, por këto shtete, siç kanë thënë burimet diplomatike, duan më shumë dëshmi “përfshirë edhe përmes verdikteve finale të gjykatave” për dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera të korrupsionit, si dhe dëshmi për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Në rastin e Francës, disa burime në Bruksel thonë se ekziston edhe frika nga rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, në rast të heqjes së vizave.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha shprehet tejet skeptik se gjatë vitit 2021 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave. Në këtë, sipas tij, ndikon edhe mjedisi politik i krijuar pas pandemisë së koronavirusit.
“Disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mendojnë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, respektivisht në luftë kundër korrupsionit të niveli të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga vendosja e këtij kriteri para pesë vjetësh, Kosova ende ka zero raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.
Shasha tha se edhe gjatë votimit të Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën më 23 shkurt, është vërejtur se kishte kundërshtime dhe se eurodeputetët nga radhët e partisë së presidentit francez, Emmanuel Macron, “kundërshtuan çfarëdo gjuhe që do vlerësonte se Kosova ka përmbushur kriteret dhe çfarëdo gjuhe që bënte thirrje për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën”.