Green flower in the woods on sunlight. Sunflare and hellebore in forest. Natural seasonal landscape using as backgrounds or wallpapers. Perspective of beautiful scenery plants in nature.

PASHA ALLAHUN, TANI JAM DUKE E PARË VETEN NË XHENET!

Rrëfimi në vijim është i vërtetë dhe na e rrëfen kardiokirurgu i njohur në Arabinë Saudite dhe njëkohësisht thirrësi i njohur, dr. Halid el Xhubejri, Allahu e ruajttë!

Një djalosh që i kishte arritur të gjashtëmbëdhjetat doli për ta falur namazin e sabahut me xhemat në xhami dhe pasi që i fali dy rekatë sunet të sabahut, u ul për të lexuar Kuran deri në thirrjen e ikametit. Kur u thirr ikameti, e la Kuranin në vendin e vet dhe u ngrit për t’u rreshtuar në namaz. Papritmas duke u ngritur, bie në tokë! Disa nga ata që ishin në xhami e marrin dhe e bartin deri në spital.

Rrëfen mjeku Halid el Xhubejr, Allahu e ruajttë!, i cili ishte kujdestar atë mëngjes, se e kishin sjellë një djalosh të cilin e bartnin si xhenaze. Pasi që e kishte kontrolluar, e kishte zbuluar se ishte i goditur nga një infarkt i fortë, aq i fortë saqë po ta kishte goditur edhe devenë do ta mbyste në vend!

Ai vazhdon duke thënë:

E shikova djaloshin, luftonte me vdekjen dhe i merrte frymëmarrjet e fundit! Shpejtuam t’i ndihmojmë dhe t’ia aktivizojmë zemrën dhe afër tij ishte mjeku i ndihmës së shpejtë, kurse unë shpejtova t’i marr disa mjete për shërim. Kur u ktheva, e vërejta se djaloshi ia kishte kapur dorën mjekut, kurse mjeku e kishte afruar veshin te goja e djaloshit, i cili ia pëshpëriste disa fjalë në vesh. U ndala ti shikoj ata dy.

Papritmas djaloshi ia lëshoi dorën mjekut dhe u mundua me gjithë fuqinë e tij që të kthehet në anën e tij të djathtë e që në fund të thotë: “Esh-hedu en la ilahe il-lallah ue esh-hedu en-ne Muhameden abduhu ue resuluhu” (Dëshmoj se askujt nuk i takon adhurimi me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij).

Fjalën e përsëriste shpesh, derisa pulsi filloi t’i zhduket dhe rrahjet e zemrës të pakësohen. Ne përpiqeshim t’i ndihmojmë, por caktimi i Allahut ishte më i fortë dhe djaloshi ndërroi jetë.

Mjekut të ndihmës së shpejtë i plasi vaji, derisa nuk mundi të qëndroјë në këmbë. U çuditëm me të dhe i thamë: “O filan, çfarë ke?! Kjo nuk është hera e parë që sheh të vdekur!”

Fjalët e tona sikurse nuk i depërtonin në vesh, ai vazhdonte të qajë dhe nuk i ndaleshin lotët!

Kur e vërejtëm se lotët filluan t’i rrallohen, e pyetëm: “Çfarë të tha djaloshi? Na trego!”

“Kur të pa duke shkuar lartë-poshtë dhe se po jep udhëzime, e kuptoi se ti je mjeku specialist për sëmundjen e tij dhe më tha: “Thuaji shokut tënd, mjekut të zemrës, mos ta lodhë veten… mos ta lodhë… unë jam i vdekur dhe s’ka shpëtim! Pasha Allahun, tani jam duke e parë vendim tim në Xhenet!””

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.”[1]

Ky është dallimi mes adhuruesit të Allahut dhe gjynahqarit.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[1]              (Fusilet: 30)