Rtv Pendimi

Pavarësisht humbjes së shikimit boshnjaku realizon makete të xhamive

Mufid Kozlic, në qytetin Zenica në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili fillimisht ka humbur aftësinë e shikimit në njërin sy dhe më pas në syrin tjetër, i bën ballë jetës duke u mbërthyer pas punimeve me dru për të cilën ka pasur interes që në fëmijërinë e tij.

Kozlic, ka shndërruar në punishte bodrumin poshtë shtëpisë së tij në fshatin Vukotici dhe me xhamitë prej druri që bën dhe i shet, ai ndriçon botën e tij e cila është e errët plotësisht prej 13 vitesh.

Ai humbi 50 për qind të aftësisë së shikimit si pasojë e një guri që e goditi në syrin e djathtë gjatë kohës kur ai luante me shokët në moshën e shkollës së arsimit të mesëm të ulët (9 vjeçar). Ndërsa në moshën 25-vjeçare Kozlic humbi plotësisht aftësinë e shikimit në syrin e djathtë për shkak të këputjes së retinës.

Pas luftës në Bosnje, Kozlic filloi të punojë në një punishte zdrukthëtarie dhe në vitin 2007 ai humbi aftësinë e shikimit edhe në syrin e majtë si pasojë e këputjes së retinës.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), 50-vjeçari Kozlic, vuri në dukje vështirësitë e mëdha që shkaktoi humbja në masë të madhe e shikimit tek njëri sy që në moshën e fëmijërisë. “Me njërin sy shikoja me tjetrin jo. Pavarësisht të gjitha vështirësive përfundova arsimin e mesëm të ulët (9 vjeçar) dhe nuk munda të vazhdoj më tej”, tha Kozlic.

Kozlic, shpjegoi se për shkak të problemit në syrin e djathtë në atë periudhë nuk u pranua në shërbimin ushtarak, dhe se pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992-1995) u martua dhe filloi të punojë si marangoz në një zdrukthëtari.

Çdo gjë ndryshoi pas këputjes së retinës në syrin e majtë në vitin 2007, theksoi Kozlic, i cili tha se “Kam kryer 9 operacione. Asnjëri nuk pati dobi. Humba aftësinë e shikimit tek të dy sytë”.

Ai u shpreh se ka qenë shumë e vështirë për të kalimi në një botë të errët nga një botë ku ai mund të shikonte kaltërsinë e qiellit, gjelbërsinë e pyjeve dhe shumë gjëra të tjera të bukura.

“Për drurin kam pasur interes që në fëmijëri”

Duke shpjeguar se për punimet me dru ka pasur interes që në fëmijëri, Kozlic, tha që “Unë e dua erën e drurit dhe realizimin e një objekti prej tij”.

Është një proces shumë i vështirë që një person me aftësi të kufizuara në shikim të bëhet mjeshtër në punimet e drurit, deklaroi Kozlic, i cili shtoi se është krenar që tashmë është një mjeshtër në këtë punë të cilën e ka filluar duke përpunuar copa të vogla të drurit.

“Kur humba shikimin, imazhet e gjërave që prekja i vizatova në mendjen time. Kur prek sharrën, çekiçin apo pincat imazhin e tyre e kodoj në trurin tim. Vetëm ngjyrat nuk mund t‘i ndiej”, tha Kozlic, i cili u shpreh se ka pasur mundësinë të njohë nga afër makineritë gjatë kohës kur punonte në punishten e zdrukthëtarisë para se të humbiste plotësisht aftësinë e shikimit.

Duke shpjeguar se më parë ka bërë xhami prej druri, Kozlic njoftoi se “E di se si është kubeja dhe minarja e xhamisë. Ndërsa dyert dhe dritaret i përshtas sipas vetes time me aq sa mund të përdor makineritë”.

Pasi tha se çdo gjë e bën me thikë prerëse para se të kalojë në makineri, Kozlic shtoi se “Në të vërtetë çdo gjë filloi si hobi. Qëllimi im ishte vetëm të merresha me diçka”.

Detajet e largojnë nga mendimet negative

Kozlic bëri të ditur se me kalimin e ditëve filloi të bëjë xhami më të bukura dhe se njerëzit shprehën dëshirën për t’i blerë këto xhami, gjë për të cilën tashmë ka nevojë për makineri për të përballuar porositë.

Ai deklaroi se tashmë e ka shumë më të lehtë punën pasi një shok i tij nga jashtë vendit i ka dhuruar materiale vizatimi të përshtatshme me alfabetin Braille. “Disa relaksohen duke dëgjuar muzikë, disa duke shikuar televizor. Ndërsa unë relaksohem duke kaluar kohë në punishte”, tha Kozlic.

Duke deklaruar se kurrë nuk e ka pyetur veten “pse?” lidhur me të kaluarën e tij, Kozlic u shpreh se “Kjo pyetje vetëm më prish psikologjinë. Kur ndodhem në punishte mendoj vetëm për detajet e xhamisë që kam përpunuar në dru. Se si të jenë muret? Si të duket minarja? Nuk kam kohë që të mendoj për gjëra të tjera”.

“Ne personat me aftësi të kufizuara në shikim, mund të lexojmë edhe libra, mund edhe të shkruajmë dhe madje edhe mund të punojmë. Allahu na sprovon me ngjarje të ndryshme, por gjithashtu ofron edhe një zgjidhje për të gjitha”, tha Kozlic duke shtuar se shënimet e punës i regjistron në tru në vend të letrës.

TË NGJAJSHME