Lutje

PENDIMI I SINQERTË DHE I DREJTË

Allahu është i mëshirshëm me robërit e Tij dhe i Gjithëdijshëm për natyrshmërinë e tyre. Allahu thotë: “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithinformuari?” (El-Mulk: 14)

Allahu e di që sado robi ta arrijë nivelin e devotshmërisë dhe punëve të mira, patjetër që do të bjerë në disa ndalesa. Për këtë shkak, për robërit e Tij, Allahu e hapi derën e pendimit dhe i thirri të pendohen: “…o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur: 31)

Pendimi si tematikë është tej mase e gjerë dhe e kanë sqaruar dijetarët në detaje. Prandaj, unë këtu do t’i përmend veç disa sugjerime të shpejta që e shoh se janë të nevojshme që ato të kujtohen:

I pari: Gëzimi i Allahut me pendimin e robit të Tij

Çështja e pendimit nuk ndalet veç te thirrja për pendim, te nxitja për pendim dhe te fakti se kushdo që pendohet do t’i pranohet pendimi, edhe pse të gjitha këto mjaftojnë për myslimanin ta çojnë të pendohet. Por, për më tepër, Pejgamberi (alejhi selam) na lajmëron se Allahu e do atë që pendohet dhe gëzohet me pendimin e robit të Tij.

Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Allahu gëzohet me robin e Tij që pendohet, më shumë se njëri prej jush i cili del për udhëtim me kafshën e tij, e rrugës në shkretëtirë kafsha e tij ikën duke ia marrë ushqimin dhe pijen që gjendeshin në të. Kjo situatë e mërziti shumë, i humbi shpresat për jetë, derisa shkoi te një pemë, u shtri nën hijen e saj dhe nuk shpresonte se do ta gjente më kafshën e tij. Duke qenë në këtë gjendje, e zuri gjumi për kohë të shkurtër. Kur u zgjua, e pa që kafsha po qëndronte para tij, e kapi për litarin e saj dhe nga gëzimi i madh tha: ‘O Allahu im, Ti je robi im e unë jam Zoti yt.’ Nga gëzimi i madh (që e gjeti kafshën me gjithë ushqimin që gjendej në të) robi gaboi.” [1]

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çka mendon ti për të dashurin tënd që e do shumë, atë armiku yt e ka burgosur duke ndërhyrë mes teje dhe tij e duke ju ndarë. Ti e di që armiku do ta sulmojë atë ashpër dhe do ta sfidojë me lloje të ndryshme të ndëshkimit. Ti je më meritori që ai të gjendet pranë teje e jo te armiku yt, sepse ai është pjesë jotja dhe pasqyra jote. Ndërkohë, ai arrin të ikën prej armikut dhe të humbet për një kohë të pacaktuar, derisa të vijë një ditë e të befason me paraqitjen e tij te dera jote, të përqafon, e kërkon kënaqësinë tënde dhe kërkon ndihmë prej teje. Qëndron te pragu i derës sate i përmalluar për takimin tënd. Vallë, si do të jetë gëzimi yt me pamjen e tij, i veçantë për zemrën tënde, e do afërsinë e tij dhe i jep përparësi atij para çdokujt tjetër?! I gjithë ky gëzim, edhe përskaj faktit se ti nuk je krijuesi i tij, nuk e ke krijuar atë dhe nuk e ke begatuar me mirësi! Allahu është Ai i Cili e krijoi dhe e formësoi robin e Tij, i jep mirësi dhe e begaton me begati. Allahu do që t’ia plotësojë robit mirësitë e Tij, e robi t’i paraqesë ato dhe ta falënderojë për të gjitha mirësitë; ta dojë, t’i nënshtrohet dhe ta adhurojë Allahun, ta armiqësojë armikun e Tij dhe atë që e urren e i bën gjynah Atij.”[2]

Sa e bukur që është ndodhia të cilën e tregon Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Medarixhus Salikin”, ku thotë: “Këtë rast të njohur e tregon një njeri i mirë i cili ishte duke ecur në një rrugicë. Aty e pa një derë të hapur dhe prej aty doli një fëmijë i cili qante dhe kërkonte ndihmë. Nëna e fëmijës qëndronte pas tij derisa e dëboi dhe fëmija doli jashtë. Ia mbylli derën para fytyre dhe ajo u kthye brenda. Fëmija shkoi jo larg prej aty, u ndal me një vend dhe nisi të mendonte. Nuk kishte vendstrehim tjetër veç shtëpisë së tij dhe nuk kishte kush e strehonte veç nënës së tij. Kështu që u kthye zemërthyer e i pikëlluar te dera, por atë e gjeti të mbyllur. U shtri para dere, faqen e tij e vendosi në prag të derës derisa e zuri gjumi. Kur doli nëna tij dhe e pa në atë gjendje, nuk e përmbajti veten dhe ra mbi të, e shtrëngonte dhe e puthte, qante dhe thoshte: ‘Ah biri im, ku po ik larg meje? Kush do të të strehojë veç meje? A të thosha respektoje fjalën time dhe mos u rebelo, e kështu të shkojë kundër natyrës sime që Allahu e bëri nënën të jetë e mëshirshme, e dhimbshme dhe që ia do të mirën fëmijës?’ E mori fëmijën e saj dhe e futi brenda. Meditoje fjalën e nënës: ‘A të thosha respektoje fjalën time dhe mos u rebelo, e kështu të shkojë kundër natyrës sime që Allahu e bëri nënën të jetë e mëshirshme dhe e dhimbshme?’ Dhe meditoje fjalën e Pejgamberit (alejhi selam): ‘Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij se nëna me fëmijën e saj.’ Ku mund të barazohet mëshira e nënës me mëshirën e Allahut e cila e përfshin çdo gjë? Kur robi bën gjynah dhe e zemëron Zotin e tij, e tërheq nga vetja atë mëshirë, por, nëse pendohet dhe i kthehet Allahut, e rikthen atë që e meriton dhe që është më e mira për të. Ky fragment i shkurtër ta qartëson fshehtësinë e gëzimit të Allahut me pendimin e robit të Tij se është më i madh se gëzimi i këtij udhëtari që iu kthye kafsha e tij në vend të shkretë pasi i iku. Me të vërtetë fshehtësitë e tjera që gjenden përtej kësaj nuk mund t’i përshkruajë fjala dhe t’i perceptojë mendja.”[3]

I dyti: Gjynahun fshije sa më shpejt me pendim

Kur bën gjynah, nxito menjëherë të pendohesh. Ki kujdes! Mos e vono pendimin! Jeta është në dorën e Allahut, ku e di ti kur do të vdesësh? Vjen meleku i vdekjes ta merr shpirtin, e braktis dynjanë pa dëshirën tënde dhe nisesh drejt Allahut me gjynahe plot!

Vonimi dhe zvarritja e pendimit mund të të çojë të vazhdosh dhe të kënaqesh me bërjen e gjynahut. Nëse tani për tani posedon shtytës që të shtyn të pendohesh dhe të largohesh prej gjynahut, ndoshta vjen një kohë që shtytësi nuk do të funksionojë. Do ta kërkosh, por ai nuk do të përgjigjet.

Për këtë shkak, zvarritjen e pendimit dijetarët e llogaritnin gjynah shtesë që kërkon pendim tjetër. Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është obligim i menjëhershëm të nxitosh për pendim pas bërjes së gjynahut dhe nuk lejohet të vonohesh. Nëse e vonon pendimin, ke rënë në gjynah tjetër. Kështu që, nëse pendohesh nga gjynahu, mbi supet e tua mbetet pendimi tjetër për shkak të vonimit të pendimit. Kjo shumë pak i shkon në mendje atij që pendohet, sepse mendon që s’i ka mbetur gjë tjetër pasi është penduar, a në të vërtetë e ka borxh të pendohet për vonimin e pendimit.”[4]

I treti: Përulja para Allahut

Shumica e gjynahqarëve janë të vetëdijshëm për gjynahet e tyre dhe se ata obligohen të pendohen, mirëpo, cili prej tyre e madhëron Allahun, ia ka frikën dhe përulet para Tij ashtu si e meriton?

Çudi me ne! Kënaqemi me lezetin e gjynaheve dhe epsheve të ndaluara derisa edhe zhytemi në to, e më pas pendimi ynë nuk e tejkalon istigfarin (kërkimfaljen) me gjuhë! Shkujdesje dhe pakujdesi nga ana jonë. Përderisa të penduarin nuk e shoqëron nënshtrimi, frikërespekti dhe përulja ndaj Allahut, le ta rishikojë saktësinë e pendimit të tij.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për të qenë pendimi i drejtë, obligohet përulja e vërtetë e zemrës, përulje e veçantë që e gjen veç te gjynahqari dhe ajo nuk arrihet me uri, as me stërvitje dhe as me dashuri të zbrazët, por ajo është një gjë që e gjen pas gjithë kësaj. Zemra duhet thyer para Allahut me thyerje të plotë, të nënshtrohet me të gjitha anët e saj dhe të përulet para Allahut. Kjo, sikur gjendja e një robi që ka ikur prej padronit të tij. E kapin dhe e sjellin para padronit. Ai nuk gjen dikë që ta shpëtojë nga dënimi i tij, dënimin patjetër e ka ta marrë dhe nuk ka rrugëdalje tjetër. Ai e di që jeta, lumturia, shpëtimi dhe gëzimi i tij lidhen me kënaqësinë e padronit të tij. Ai e di mirë që padroni ka njohuri të plotë për gabimet e tij. Ato kanë ndodhur edhe përskaj dashurisë dhe nevojës së madhe që e ka për padronin e tij, e di që vetë është i dobët dhe i pafuqishëm, ndërsa padroni i tij i fuqishëm, e di që vetë është i mposhtur e padroni i tij i fortë. Nga këto situata bashkohen përulja, nënshtrimi dhe dorëzimi. Sa shumë përfiton robi kur i kthehet kështu Allahut, sa ngushëllim i madh që është për të dhe sa shumë që i afrohet Allahut në këtë mënyrë. S’ka gjë më të dashur për Allahun se kur robi i Tij i përulet, i nënshtrohet, e respekton, i bindet dhe i dorëzohet Atij. Pasha Allahun, sa të ëmbla janë fjalët e tij në këtë rast kur thotë: ‘O Zoti im, të lutem më mëshiro, Ti je i Plotfuqishëm, e unë jam i ngratë, Ti je i Fortë e unë jam i dobët, Ti je i Pasuri e unë i varfri. Balli im rrenacak dhe gjynahqar qëndron para Teje, robër të Tu si unë ka shumë, ndërsa unë nuk kam Zot përveç Teje. Nuk ka vendstrehim dhe shpëtim prej Teje përveçse te Ti. Të lutem, me lutjen e të ngratit, të drejtohem Ty me përulje për pendim, të lutem, me lutjen e atij që frikësohet dhe ka shumë nevojë. Lutje e atij që e ka ulur kokën pranë Teje, e ka nënshtruar fytyrën për Ty, sytë i lotojnë për Ty dhe zemrën e ka përulur për Ty.’

Këto shenja dhe të ngjashmet me to janë nga gjurmët e pendimit të pranuar. Ai që nuk e gjen këtë në zemrën e tij, le ta rishikojë pendimin e tij dhe le të kthehet ta përmirësojë atë. Në të vërtetë, sa i rëndë që është pendimi i drejtë, e sa i lehtë është të përmendet dhe të pretendohet me gjuhë. I sinqerti nuk ka trajtuar diçka më të rëndë tek ai se pendimi i sinqertë. Nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut!”[5]

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

[1] Buhariu (6309), Muslimi (2747) prej hadithit të Enes ibn Malikut dhe Ibn Mesudit. Muslimi e shënon prej hadithit të el-Bera, prej hadithit të Numan ibn Beshirit. E shënon Tirmidhiu prej hadithit të Ebu Hurejrës.

[2] Medarixhus Salikin (1/237-238).

[3] Medarixhus Salikin (1/235-236).

[4] Medarixhus Salikin (1/297).

[5] Medarixhus Salikin (1/207-208).