Në prag të festave të fundviti, bashkatdhetarët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme evropiane e jo vetëm, me dashurin më të madhe vijnë në vendin e tyre të lindjes, për të festuar e gëzuar së bashku me familjarët e tyre.
Edhe këtë vit, ndonëse në rrethana pandemie, numri i bashkatdhetarëve që po vijnë në Kosovë, është i madh.
Vetëm në ditën e sotme, siç ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bujar Gashi, në Kosovë do të realizohen 57 fluturime, hyrje e dalje.
Ndërsa ka bërë të ditur se vetëm gjatë vikendit janë realizuar 200 fluturime, e deri në fund të kësaj jave Gashi bërë të ditur se pritet të realizohen edhe 240 fluturime.
“Vetëm gjatë vikendit, janë realizuar 200 fluturime. Ndërsa deri të mërkurën nga e shtuna kanë ardhur mbi 25 mijë udhëtarë, e deri në fundjavë pritet të realizohen 240 fluturime”, deklaroi Gashi për IndeksOnline.
Ai ka thënë se janë duke shërbyer me numër të madh të fluturimeve, e më së shumti ka nga Zvicra e Gjermani, ku edhe është numri më i madh i diasporës kosovare.
Gashi ka theksuar se janë duke përfillur strikt të gjitha masat e vendosura nga institucionet dhe se deri më tani përkundër numrit të madh nuk është shënuar asnjë incident.