Përfaqësues nga BIK-u marrin pjesë në edicionin e katërt të Akademisë së të Rinjve të organizuar nga OSBE

Një grup i të rinjve nga Bashkësia Islame e Kosovës, i përbërë nga studentët Isra Hyseni, Arlind Gajtani, Medina Bivolaku, Sehare Sherifi dhe Mirlind Gashi, kanë marrë pjesë në edicionin e katërt të Akademisë së të Rinjve të organizuar nga OSBE nga data 11 deri më 14 tetor 2022 në Prishtinë.

Ky organizim synonte në radhë të parë takimin e të rinjve nga komunitete të ndryshme shoqërore e përkatësi të shumta etnike, fetare e gjuhësore, dhe aktivizimin e tyre në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke hijezuar dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën në diversitetin kulturor në Kosovë.

Kjo ngjarje mblodhi ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut, të shoqërisë civile e të strukturave të ndryshme politike për t’i ofruar të rinjve perspektiva të shumta fuqizuese se si ata mund të marrin pjesë aktive në jetën socio-politike e në mekanizma vendimmarrës. Të rinjtë e cilësuan këtë organizim mjaft dobiprurës, meqë u pajisën me njohuri praktike për çështje që kanë të bëjnë me jetën në diversitet kombëtar, fetar e gjuhësor.