thumbs_b_c_765ccca0481424bc898ff49e8e8d3209

Përfaqësuesi special i OKB-së dhe lideri i HTS diskutojnë për zhvillimet e fundit në Siri

Përfaqësuesi special i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen dhe lideri i Hayat Tahrir al-Sham (Ahmed al-Shara), Abu Mohammad Al-Julani diskutuan për zhvillimet e fundit në Siri, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve nga burimet e qeverisë së përkohshme në Siri, Pedersen dje ka shkuar për herë të parë në Damask pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit ku është takuar me liderin e HTS, Al-Shara.

Në takim Al-Shara tha se rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS-OKB) duhet të përditësohet dhe të përshtatet me realitetin aktual në vend.

Ai theksoi nevojën për bashkëpunim të shpejtë dhe efektiv për trajtimin e problemeve të sirianëve. Al-Shara u shpreh se fokusi duhet të jetë mbi integritetin territorial të Sirisë si dhe sigurimin e rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

Lideri i HTS-së kërkoi të sigurohet një mjedis i përshtatshëm për rikthimin e refugjatëve sirianë në mënyrë të sigurt dhe të ofrohet mbështetje ekonomike dhe politike gjatë këtij procesi. Sipas tij, këto hapa duhet të realizohen pa nxitim, me shumë kujdes dhe nën vëzhgimin e ekipeve të ekspertëve.

Rezoluta 2254 e miratuar në dhjetor 2015 në KS-OKB parashikon formimin e qeverisë së tranzicionit pasi delegacionet e opozitës dhe regjimit të përfundojnë negociatat. Sipas kësaj, negociatat duhet të përfundojnë brenda 6 muajve dhe të formohet qeveria e tranzicionit. Më pas qeveria e tranzicionit gjatë një periudhe 12 mujore të përgatisë kushtetutën dhe ta çojë vendin në zgjedhje të drejta.