Përfundon pa rezultate konkrete takimi i Këshillit NATO-Rusi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në takimin e Këshillit NATO-Rusi, palët mbajtën qëndrimet e tyre dhe se NATO ofroi një seri të re takimesh, por Rusia ende nuk është përgjigjur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli NATO-Rusi u mblodh për herë të parë që nga viti 2019 për të diskutuar tensionet që u shfaqën pas stacionimit ushtarak rus në kufirin ukrainas dhe çështjet që lidhen me sigurinë e Evropës.

Stoltenberg kryesoi takimin, i cili u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel. Në takim në emër të Rusisë morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Jashtme Aleksandr Grushko dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Aleksandr Fomin. Përveç përfaqësuesve të përhershëm të aleatëve të NATO-s në Bruksel, ishte e pranishme edhe zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman.

Stoltenberg, duke informuar gazetarët në fund të takimit, tha se është diskutuar për situatën në dhe rreth Ukrainës dhe reflektimet e saj për sigurinë evropiane.

“Ka dallime serioze midis aleatëve të NATO-s dhe Rusisë për këto çështje. Gjetja e mesit nuk do të jetë e lehtë”, tha Stoltenberg, duke theksuar se mbledhja rreth të njëjtës tryezë është një sinjal pozitiv.

Ai tha se pala ruse solli në tryezë propozimin për një marrëveshje për garancitë e sigurisë, të cilën ua përcolli SHBA-së dhe NATO-s në dhjetor.

“Në mesin e këtyre janë kërkesat që NATO të ndalojë pranimin e anëtarëve të rinj dhe të tërheqë forcat e saj nga vendet aleate në lindje. Aleatët, nga ana tjetër, përsëritën se politika e dyerve të hapura të NATO-s do të vazhdojë, se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë marrëveshjet e tyre të sigurisë. Aleatët gjithashtu e bënë të qartë se nuk do të heqin dorë nga mundësitë e tyre për të ruajtur dhe mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo përfshin edhe praninë ushtarake në lindje të aleancës”, u shpreh Stoltenberg.

NATO ofroi seri takimesh

Jens Stoltenberg deklaroi se NATO i ka ofruar Rusisë të vazhdojë dialogun dhe të mbajë një seri takimesh të reja dhe vuri në dukje se propozimet e saj mbulojnë shumë çështje, si kontrolli i armëve, kufizimi i raketave, çarmatimi, sulmet kibernetike dhe politikat bërthamore.

“Rusia nuk ishte në gjendje të binte dakord për këtë propozim. Ata nuk e refuzuan atë, por përfaqësuesi rus tha se u duhet kohë për t’iu përgjigjur NATO-s. Ne jemi gati të ulemi dhe të bisedojmë. Shpresoj që përgjigja e Rusisë të jetë pozitive sepse ne kemi nevojë për dialog”, tha Stoltenberg.

Asnjë kompromis për politikën e “dyerve të hapura”

Stoltenberg, i cili shpesh dha mesazhin se janë të gatshëm për dialog, deklaroi se nuk do të bëjnë kompromis me politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe parimin e aleatëve për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi se në rastin e anëtarësimit të Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër, vetëm 30 aleatët e NATO-s dhe ai vend do të japin vendimin.

I pyetur nëse Rusia dhe NATO do të rihapin reciprokisht zyrat e tyre në Bruksel dhe Moskë, Stoltenberg tha se nuk kanë asnjë parakusht për hapjen e zyrave, se duan që misionet të funksionojnë sërish, por se këto zyra nuk janë kusht për dialogun.

Rreziku i konfliktit të armatosur

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ekziston rreziku i konfliktit të armatosur, Jens Stoltenberg tha: “Ka rrezik për një konflikt të ri të armatosur në Evropë. Prandaj takimi i sotëm dhe takimet e tjera të kësaj jave janë shumë të rëndësishme, sepse ne do të bëjmë më të mirën për të parandaluar një konflikt të armatosur”.

Stoltenberg tha se nuk duhet të ketë shumë spekulime për një konflikt të armatosur, se janë të gatshëm për dialog në rast të një mundësie të tillë, por se janë të përgatitur edhe për një rezultat negativ të bisedimeve.