Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtetë, adhuroni Atë me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër, faleni namazin jepeni zeqatin se kjo është feja e drejtë.
Këto ditë të bekuara muslimanët përgatiten për udhëtim kah Qabja për ta kryer Haxhin, disa prej tyre Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit) e disa prej tyre Haxhin vullnetar. Pa dyshim se ky udhëtim i gjatë disa ditësh kërkon prej haxhiut përgatitje materiale, fizike e shpirtërore, me qëllim që kjo pajisje t’i mjaftojë gjatë kohës së Haxhit dhe mos të varet prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria”. (El-Bekare: 197)
Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi me pajisje të mjaftueshme e cila përbëhet prej marrjes së ushqimit të mjaftueshëm me vete, lënia e ushqimit të mjaftueshëm për familjen derisa të kthehemi dhe posedimi i mjetit të transportit i cili na çon deri në Qabe dhe na kthen deri në vatanin tanë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo”. (Ali Imran: 97)
Më herët disa prej haxhilerëve kur niseshin për në Haxh nuk pajiseshin me mjetet e duhura që u nevojiteshin, kështu që rrugës jetonin në kurriz të të tjerëve duke u bërë barrë e parazit i tyre. Prandaj Allahu i ndaloi prej kësaj vepre dhe i urdhëroi ata që të pajisen me aq sa u mjafton që t’i largohen varësisë prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! “. (El-Bekare: 197)
Kur njerëzit paragjykonin se tregtia dhe përfitimet në sezonin e Haxhit janë të ndaluara Allahu, azze ue xhel, e zbriti ajetin: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit)”. (El-Bekare: 198)
Allahu në dy ajetet e lartpërmendura na bëri me dije se haxhiu duhet t’i merr dy llojet e furnizimeve, atë të udhëtimit për dunja me ushqim e me pije të mjaftueshme deri në fund të udhëtimit, atë të udhëtimit për ahiret duke vepruar vepra të mira dhe duke u larguar prej mëkateve. Allahu pastaj na e bëri me dije se tregtia dhe kërkimi i rrëskut të lejuar nuk bie ndesh me Haxhin dhe ritet e tij, në rast se ajo tregti nuk e preokupon dhe e largon haxhiun prej veprimit të adhurimeve. Kjo aspak nuk bie ndesh edhe me mbështetjen në Allahun (tevekulin), dhe nuk duhet harruar faktin se haxhiu është i detyruar që kur të niset për në Haxh t’i le familjes furnizim të mjaftueshëm derisa të kthehet dhe nuk lejohet që t’i le pa furnizim ose t’ua pakësojë atyre furnizimin për ta kryer Haxhin e tij. Në këtë rast haxhiu nuk ka shpërblim, por ka mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mjafton si mëkat për dikë, nëse dëmton ata që duhet t’i ushqejë”.
Haxhiu po ashtu duhet t’i pastrojë borxhet e tij që ua ka njerëzve. Në rast se nuk ka pasuri të mjaftueshme për shpenzimet e Haxhit dhe larjes së borxheve, i jepet përparësi larjes së borxheve dhe nuk lejohet që të shkojë në Haxh.
Haxhiu po ashtu gjatë Haxhit duhet të shpenzojë pasurinë e tij të fituar hallall, që Haxhi i tij të pranohet dhe mëkatet t’i falen. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!”. Dhe ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar”. Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”
Pasuria e shpenzuar për në Haxh në rast se është e fituar në mënyrë të lejuar atëherë bën pjesë në pasurinë që shpenzohet për në rrugë të Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit”. (El-Bekare: 195) Një prej sahabëve e dhuroi devenë e tij për në rrugë të Allahut dhe një grua kur deshi ta përdor po të njëjtën deve për udhëtim për në Haxh i tha Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem:”Përdore atë për në Haxh, se Haxhi bën pjesë në rrugë të Allahut”.
Një grup dijetarësh u argumentuan me këtë hadith se ai i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar i lejohet që të merr prej të hollave të zeqatit dhe ta kryen këtë shtyllë të Islamit, se ai bën pjesë në grupin e atyre që u jepet zeqati: “për (luftëtarët) në rrugë të Allahut”. (Et-Teube: 60)
Haxhiu po ashtu detyrohet që të pendohet me sinqeritet prej të gjitha mëkateve, në rast se ka bërë padrejtësi kundrejt njerëzve të kërkojë falje prej tyre dhe t’ua kthejë hakun që ua ka marrë padrejtësisht. Po ashtu detyrohet që t’u largohet mëkateve dhe gjynaheve, të kujdeset për faljen e namazeve, t’i kryen të gjitha detyrimet dhe ta merr rrugën drejt shtëpisë së Allahut i penduar dhe i pastër prej padrejtësive ndaj robërve të Allahut. Haxhiu pra, nuk duhet që të hyjë në shtëpinë e Allahut i njollosur me mëkate ose t’i veprojë ato gjatë kohës së Haxhit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje”. (El-Bekare: 197)
Përcillet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk kryen marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet nga Haxhi i pastër prej mëkateve sikur atë ditë kur e ka lindur nëna”. Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.
Haxhi konsiderohet i pranuar me bashkimin e dy çështjeve në të:
Çështja e parë: Ardhja e njerëzve në Haxh me punë të mira, siç janë bamirësia ndaj njerëzve dhe sjellja e mirë. Kur u pyet Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, për bamirësinë, u përgjigj: “Bamirësia është moral i mirë”. Thuhet se udhëtimi e ka marr këtë emër për shkak se e zbulon dhe shpalos moralin e njerëzve.
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij shënon një hadith prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit”. – Të pranishmit pyetën: Çka është bamirësia e Haxhit, o i Dërguar i Allahut? – U përgjigj: “Dhënia ushqim nevojtarit dhe përhapja e selamit”.
Është pyetur Seid ibën Xhubejri, radijallahu anhu, se cili haxhi është më i miri? – Përgjigjja e tij ishte: “Ai i cili i ushqen të varfrit dhe e ndal gjuhën e tij prej mëkateve”.
Në përgjithësi, njerëzit më të mirë janë ata të cilët i bëjnë dobi të tjerëve dhe bëjnë durim prej torturave të tyre, ashtu si i përshkroi Allahu të devotshmit në Kur’an: “Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134)
Çështja e dytë: Një ndër veprimet më të mëdha të mirësisë në Haxh, është përmendja e shumtë e Allahut, azze ue xhel. Allahu urdhëroi në përmendjen e Tij të shumtë gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, veçanërisht kur haxhiu është në gjendje të Ihramit, për shkak se pajisja më e mirë është ajo e devotshmërisë e cila i përmbledh në vete të gjitha karakteristikat e mirësisë.
Haxhiu detyrohet që nijetin ta ketë të sinqertë për Allahun, synimi i tij prej Haxhit mos të jetë fitimi i autoritetit para njerëzve dhe në ambiciet e tij prej Haxhi mos të ketë aspiratë prej aspiratave të dynjasë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” (El-Bekare: 196)
Haxhiu para se të udhëtojë duhet që t’i shkruajë porositë e amanetet, borxhet e tij dhe ato që i kanë borxh atij, për shkak se rruga është e gjatë dhe nuk dihet se çka mund të ndodh gjatë kohës së Haxhit, prandaj në rast se nuk kthehet i gjallë apo kthehet me vonesë, porositë i kryen familja e tij dhe i largohet faji atij.
O robër të Allahut!
Frikojuni Allahut dhe përgatituni për në Haxh ashtu si i ka hije. Plotësoni ritet e juaja, pastroni nijetin, bëhuni modest, silluni mirë me vëllezërit e juaj haxhilerë, mos i torturoni, mos i ofendoni dhe bëhuni të durueshëm në të gjitha vështirësitë e lodhjet e Haxhit, për shkak se Haxhi është prej xhihadit ndërsa xhihad pa mundime e lodhje nuk ka.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”. (El-Bekare: 197)
O muslimanë!
Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë tuaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Disa njerëz Haxhit dhe Umres i kushtojnë rëndësi të veçantë e në anën tjetër i anashkalojnë shtyllat e tjera të Islamit. Aspak nuk kujdesen për përmirësimin e besimit i cili është bazament i fesë, prandaj i sheh se si i drejtohen me lutje të vdekurve dhe afrohen kah ata me lloje të ndryshme të adhurimeve ose e anashkalojnë faljen e namazit e cila është shtyllë e fesë ndërsa braktisja e saj është kufër dhe dalje prej fesë. Po ashtu nuk kujdesen për dhënien e zeqatit e cila është shtylla e tretë e Islamit, nuk e agjërojnë Ramazanin i cili u detyrua prej anës së Allahut për besimtarët dhe këtij lloji të njerëzve nuk i pranohet Haxhi e as Umreja, derisa nuk kujdesen për shtyllat e tjera të Islamit. Feja pra, nuk është vetëm se Haxh, Haxhi është pjesë e fesë dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Si mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. Të tillë janë ata që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, andaj atyre as nuk do t’u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata”. (El-Bekare: 85-86)
Pas kryerjes së Haxhit, haxhiu detyrohet të përqendrohet në fe, t’i largohet mëkateve, të bëj vepra të mira, sepse se veprat shpërblehen sipas përfundimit. Dera e pendimit është e hapur derisa nuk vjen exheli, ndërsa ardhja e tij pritet çdo moment dhe nuk e di askush se ku dhe kur do të vdesë: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë”. (Lukman: 34)
Shejh Dr. Salih El Feuzan
Nga arabishtja: Irfan JAHIU