360_F_219891548_Y4Rnpis7r8XkWh0xS4pRjQcN4Hg9Wcqu

PËRGËZIMI NË KURAN DHE SUNET

Përgëzim, i gëzuar nga diçka, lajmi i mirë! Këto janë fjalë që kuptimi i tyre përçon shpresë, e shërojnë humbjen e shpresës dhe dëshpërimin, janë faktor i bindjes në premtimet e Allahut dhe i largojnë brengat dhe mërzitë.

Përgëzimi në përgjithësi nuk vjen vetëm se për të mirë, kurse për të keqen vjen atëherë kur përcaktohet. Kur’ani na sjell pamje të ndryshme nga përgëzimet dhe mejdani i tyre është i gjerë dhe i llojllojshëm.

Allahu Kur’anin e zbriti si shpjegim për çdo çështje, dhe “si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët”. (En-Nahl: 89); “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra: 9)

Ajetet e Kur’anit në zemrën e besimtarit derdhin qetësi, dhe nëpërmjet tyre vijnë përgëzimet. Xhibrili, alejhi selam, i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kjo është një derë e qiellit, u hap sot dhe nuk do të hapet kurrë më përveçse sot.” Pastaj tha: “Përgëzohu me dy dritat që t’u dhanë, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para teje. Ato dy drita janë surja Fatiha dhe fundi i kaptinës Bekare, nuk lexon asnjë shkronjë nga ato që mos të të jepet shpërblimi”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është sjellës i lajmeve të mira dhe paralajmërues. Allahu tha: “Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues”. (El-Furkan: 56)

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nxiti për në përgëzim, dhe ndaloi nga të frikësuarit, dhe tha: “Përgëzoni dhe mos frikësoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni”. Sahabët i urdhëroi dhe u tha: “Thirrni njerëzit, përgëzoni e mos frikësoni, lehtësoni e mos vështirësoni”.

Baraspesha mes përgëzimit dhe frikësimit janë nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kjo është mesatarja: të shpresosh mëshirën e Allahut dhe t’i frikohesh dënimit të Tij.

Dëgjimi i përgëzimeve shton në përpjekje dhe përkujdesje ndaj nënshtrimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për Othmanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Nuk i bën dëm asgjë Othmanit pas kësaj që bëri”. Kjo Othmanit nuk i shtoi veç hajr, e respekt dhe nënshtrime më të tepërta.

Përgëzimi është mbështetje morale dhe përforcim që s’mundet pa të. Kjo paraqitet në rastin me Hatixhen, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur i thotë burri të saj, Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Përgëzohu, se pasha Allahun, Allahu nuk të poshtëron asnjëherë!”.

Nuk ka më mirë sesa të dëgjojnë bashkëshortët mes vete, ushtari nga udhëheqësi i vet, punëtori nga kryetari i vet, fjalë përkrahjeje dhe përforcimi, ku e njofton njëri-tjetrin me lajme të mira gjatë frikës dhe pikëllimit.

Ata që kthehen nga Allahu kanë lajme të gëzueshme. Allahu thotë: “Le të gëzohen ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen nga Allahu! Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi”. (Ez-Zumer: 17)

Ata që i frikohen Allahut, për ta ka shpëtim në dynja dhe ahiret: “(Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën”. (Junus: 63-64)

Ata që luftojnë në rrugë të Allahut, përgëzimi i tyre është rehatia dhe të kënaqurit e Allahut me ta. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë në shkallë më të lartë tek Allahu. Pikërisht këta janë të fituarit. Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirën dhe miratimin e Tij, si dhe për kopshtet ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta”. (Et-Teube: 20-21)

Kurse për durimtarët, Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”. (El-Bekare: 155-157)

Përgëzim ka edhe për ata që ecin në këmbë për në xhami. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Përgëzoji ata qe ecin shumë në errësirë për në xhami me një dritë të plotë në Ditën e Kiametit”.

Kush sprovohet me sëmundje, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për ta thotë: “Përgëzohu, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është zjarri Im të cilin Unë e kam autorizuar kundër robit Tim besimtar në dynja, me qëllim që ai të jetë pjesa e tij prej zjarrit në Ditën e Gjykimit (që të mos digjet atje)”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u urdhërua ta përgëzojë Hatixhen me shtëpinë në Xhenet.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e përgëzoi Amar ibën Jasirin, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “Përgëzohu, o Amar! Ty do të të vrasë grupi tiran (i padrejtë)”.

Evliave të Allahut u jepen përgëzime në dynja dhe ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën”. (Junus: 62-64)

Nga përgëzimi i besimtarit në dynja është lavdërimi i veprave të tij nga ana e njerëzve. Besimtari ato vepra i bën fshehurazi për Allahun, mirëpo Allahu do që t’ia shpalos dhe ta përgëzojë në dynja para se ta përgëzojë në ahiret. Ebu Dher, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u pyet se kur njeriu punon vepra të mira, dhe njerëzit e lavdërojnë për ato vepra, si është puna e tij? I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është përgëzimi i besimtarit në dynja”.

Ëndrra e mirë është një nga format e përgëzimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahu qofshin mbi të, thotë: “Tashmë nga profetësia kanë ngelur vetëm gjërat inkurajuese. “Cilat janë gjërat inkurajuese?” – pyetën disa. Ai tha: “Ëndrra e mirë”.

Përgëzimi për lindjen e fëmijës është Sunet i ligjësuar dhe Allahu i qortoi fort ata që mërziten dhe dëshpërohen me lindjen e vajzës: “Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë”. (Esh-Shura: 59-60); “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhe. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!”. (En-Nahl: 58-59)

Erërat janë nga përgëzimi dhe lajmi i mirë. Allahu tha: “Dhe, një prej shenjave të Tij, është dërgimi i erërave mbartëse të lajmeve të mira (shiut), që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij, që anija të lundrojë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga dhuntia e Tij dhe që të jeni mirënjohës”. (Er-Rum: 46)

Allahu evliave të tyre u dha disa shenja që aludojnë në atë se Allahu ua do hajrin, dhe atyre u dërgon suksese e mirësi dhe lehtësime pas vështirësive. Allahu tha: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit”. (El-Lejl: 5-7); “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen”. (Et-Talak: 4)

Nëse ti e vëren se punët të janë lehtësuar dhe Allahu të ka dhënë suksese dhe mirësitë të vinë pa i pritur, kjo është pa dyshim nga përgëzimet.

Besimtarit i paraqiten disa nga përgëzimet në momentet e vdekjes, si dhe gjatë qefinosjes së tij, apo gjatë larjes së xhenazes së tij, kurse për përgëzimin e tij në ato momente kur ndahet nga kjo dynja, Allahu thotë: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!”. (El-Fexhr: 27-30)

Nga përgëzimet madhështore është përgëzimi me pranimin e pendimit. Kjo më mirë na përshkruhet në pendimin e Kab ibën Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të. Pasi që i kaloi pesëdhjetë ditë në vetmi, i distancuar nga shoqëria në Medine, së bashku me dy tjerë që nuk dolën në luftë me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Kab ibën Maliku thotë se pasi që e fala sabahun u ula ta përmendi Allahun. Shpirti më shtrëngonte, toka më ishte ngushtuar, e pritja lehtësimin nga ana e Allahut dhe në ato momente e dëgjova një zë i cili bërtiti fort: O Kab, përgëzohu! Kur e dëgjova zërin e tij, rashë në sexhde! E kuptova se kishte ardhur lehtësimi. Njerëzit më takonin një nga një, më uronin për pendimin dhe më thoshin urime pranimin e pendimit. Kur e takova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, fytyra e tij ishte e bukur si hëna, ishte i gëzuar dhe më tha: “Përgëzohu me ditën më të mirë që kaloi në jetën tënde prej atë dite kur të lindi nëna jote!”. I thash a nga ti, o i Dërguar i Allahut, a nga ana e Allahut?! Më tha: “Jo nga unë, po nga ana e Allahut”. Allahu rreth neve e zbriti ajetin: “Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta”. (Et-Teube: 117)

Dr. Abdulbarij Thubejti

Nga arabishtja: Irfan JAHIU