PËRKUSHTIMI NË NAMAZ DHE PROBLEMI I TELEFONAVE CELULARË NË XHAMIA

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Përkushtimi në namaz dhe problemi i telefonave celularë në xhamia
Thotë Allahu i Plotfuqishëm: – Kryeni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin, dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaz). (El-Bekare, 238)
– Me të vërtetë, shpëtuan besimtarët, – të cilët, në namazin e tyre janë të përulshëm. (el-Maide, 1-2)
– Mjerë për ata, të cilët kur falen, – janë të pakujdesshëm (të harrueshëm), – e veprojnë, vetëm sa për sy e faqe (para botës). (el-Maun, 4-6)
Allahu i Plotfuqishëm na urdhëron përulësi dhe përkushtim në namazin tonë dhe na paralajmëron për dënimin që i pret ata të cilët namazin e tyre nuk e kryejnë si duhet. Megjithatë, pak njerëz sot i kushtojnë rëndësi namazit të tyre.
Ebu Derda (r.a.) qysh gjatë jetës së tij, ka pas thënë: „Gati ka ardhur koha kur do të hyni në xhami, por aty nuk do të gjeni pothuajse askënd!“
Nga Ebu Derda (r.a.) transmetohet se në një rast kishte hyrë bashkë me Pejgamberin (savs) në xhami dhe në të e kishin takuar një njeri i cili i kishte drejtuar sytë kah qielli derisa po falte namaz. Atëherë Pejgamberi (savs) kishte thënë: „Kjo është shenjë se është afruar koha, kur do të tërhiqet dituria nga njerëzit aq shumë sa nga ajo nuk do të ketë asgjë.“
– Atëherë Zijad ibn Lubejdi thotë: “O i Dërguari i Allahut, si do të tërhiqet dituria nga ne kur jemi duke e lexuar Kuranin? Dhe, pasha Allahun, ne do ta lexojmë Kuranin dhe do t’ua mësojmë atë edhe grave edhe fëmijëve tanë?“
Ndërsa Pejgamberi (savs) me habi i thotë: “O Zijad, po më habit mua – sepse unë të konsideroj një nga njerëzit e ditur të Medinës! Ja për shembull shikoje Tevratin dhe Inxhilin tek hebrenjtë dhe të krishterët, dhe shiko se çka janë duke bërë sot!” (el-Hakim)
A nuk po ndjejmë sot se kjo kohë qysh moti ka ardhur dhe ende është e pranishme?
Le ta pyesim veten se sa jemi të përulur në namazin tonë?
A e dimë se ku janë zemrat tona?
A jemi në namazin tonë të pranishëm para Zotit apo me mendime shëtisim nëpër botë?
A ndjehemi ndryshe kur jemi në namaz, apo ajo na duket si 15 minuta të humbur?
Deri kur do të bredhin në humbje dhe në mëkate?
Sot, njeriu është i zënë dhe preokupohet me të gjitha llojet e gjërave përveç me atë për çka është krijuar.
Allahu i Lartëmadhërishëm thotë: “Njerëzit dhe xhinët i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.“ (Kuran). Bazën e nënshtrimit ndaj Allahut e përfaqëson pikërisht namazi. Njeriu në Ditën e Gjykimit së pari do të pyetet për namazin e tij, nëse do të jetë i saktë do të pyetet edhe për veprat tjera, por nëse ai nuk do të jetë i saktë, do t’i shkatërrohen edhe veprat tjera.
Pra, le të shikojmë se si është gjendja jonë sot!
Allahu i Lartëmadhërishëm thotë se nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ai popull nuk e ndryshon veten, përkatësisht, qëndrimin e tij ndaj Allahut (siç e interpretojnë komentatorët). Ne sot nxitojmë dhe vrapojmë pas dynjasë, kurse namazi është bërë “formaliteti” i fundit të cilin duhet ta kryejmë – nëse gjendet kohë.
Sa nga të rinjtë tanë i bien në sexhde Zotit të tyre?
Sa nga të rinjtë tanë e dinë se çka do të thotë përkushtimi në namaz?
Kurse edhe ata që e kryejnë namazin e tyre, zakonisht shejtani me sukses i çon nëpër peizazhet e kësaj bote derisa janë në namaz. Iblisi është armiku më i madh i Allahut dhe ai dëshiron që njeriu të jetë i nënshtruar për këdo dhe për çkado tjetër përveç Allahut.
A nuk jemi sot më të nënshtruar ndaj dynjasë sesa ndaj Zotit tonë?
Kur na thërret muezini për namaz, ne me qetësi qëndrojmë ulur në shtëpi pa hezitim për të shkuar në xhami, por nëse në atë moment bie zilja e telefonit, menjëherë ne “vizatohemi” para tij dhe i përgjigjemi; “alo”, “të lutem” … dhe me padurim ulemi dhe presim kur do të fillojnë “lajmet”, apo ndonjë emision në televizion, ndërkaq, sa herë jemi ulur dhe me padurim kemi pritur të hyjë koha e namazit, që të biem në sexhde para madhërisë së Tij dhe t’i lutemi për botën tjetër, duke i harruar lumturitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, të cilat edhe ashtu e kanë fundin e tyre, sado që të zgjasin.
Sa kohë shpenzojmë duke e ndjekur Kampionatin botëror në futboll për t’i shikuar ata të cilët, në pjesën më të madhe, haptazi i bëjnë shirk Allahut, që jetën e tyre plotësisht ia kanë përkushtuar goditjes së topit mbi barin e gjelbër … ne bërtasim për çdo shënim të golit dhe gëzohemi sepse po fiton ekipi për të cilin simpatizojmë…
Nga ana tjetër sa kohë shpenzojmë duke i bërë lutje Allahut që ta lehtësojë gjendjen e muslimanëve, gjaku i të cilëve vazhdimisht po derdhet, ndërsa gëzohemi që Brazili apo Mançesteri ka arritur ta dërgojë topin mes dy shtyllave të hekurit …. Subhanallah!
Kur do të vijmë në vete? Kujt po i robërohemi?
Dhe në një gjendje të tillë të trishtuar, kur njeriut gjatë namazit i vijnë në mendje të gjitha llojet e gjërave përveç asaj për të cilën duhet të mendojë, i bie zilja e telefonit celular në xhepin e tij, i cili as në xhami nuk e lë të merr frymë!
Sot, në xhamitë tona, nuk janë të rralla shpalljet me paralajmërim për fikjen e telefonit gjatë hyrjes në xhami, sepse ai i pengon ata që përpiqen në namazin e tyre të jenë të përkushtuar.
A do të themi se zilja e telefonit celular nëpër xhamia e ka larguar përkushtimin?
Mendoj se është më mirë të themi se ata e kanë larguar edhe atë grimcë të vogël të përkushtimit që kishim.
Si mund të jetë dikush i përkushtuar nëse e dëgjon muzikën nga telefoni celular dhe imamin i cili përpiqet të jetë më i zëshëm sesa telefoni?
Një shokë më tha: me një rast kam qenë shumë i tronditur kur e fala namazin e akshamit pas imamit, leximin e të cilit nuk arrita ta kuptoj, sepse telefoni i dikujt bënte muzikë orientale gjatë tërë dy rekateve!
Gjithashtu ka ndodhur një herë ta shohim një njeri i cili kishte hyrë në namaz dhe pas ziles së telefonit e nxori atë nga xhepi dhe e lexoi mesazhin apo emrin e atij që thërret.
Nuk janë të rralla as rastet kur njeriu “e hap” telefonin celular në namaz dhe bukur i përgjigjet: “jam në namaz” ose “më thirr pas disa minutave!?” Subhanallah!
Nga Zoti yt po kërkon hyritë e xhenetit, dhe po bën lojë?!
Transmetohet se Hasan el-Basriu një herë në xhami e kishte takuar një njeri i cili po luante me mjekrën e tij derisa po falej, kurse kur ishte në sexhde ai thoshte: “O Zoti im, më marto me hyri në xhenet!” Andaj Hasani i kishte thënë: “Ende nuk kam parë kërkues të hyrive më të paturpshëm sesa ty! Kërkon nga Allahu hyri ndërsa bën lojë në namazin tënd!”
Po ne, ku jemi?
Çka do të thoshte sot Hasan Basriu, nëse do ta shihte një njeri duke i futur duart në xhepa gjatë namazit për ta kërkuar celularin të cilin as nuk e di se ku e ka lënë, ndërsa ai vazhdon me melodinë e tij?
Të çuditshëm janë njerëzit të cilën luajnë me namazin e tyre, kurse në lutje kërkojnë ndoshta gjëra që u janë premtuar vetëm pejgamberëve të nderuar, dhe thonë: “Po Allahu është i mëshirshëm dhe jep shumë!”
Vëllezër të dashur;
Mos të harrojmë, se sado që Allahu është Gafurun Rrahim – Mëshiruesi i Cili i falë shumë besimtarët e mirë dhe të penduarit, Ai gjithashtu është edhe Shedidul-‘ikab – i Cili i ndëshkon ashpër ata të cilët kryejnë mëkate!
Amir bin Abdullah është pyetur se a mendon diçka në lidhje me këtë botë gjatë namazit, dhe ai ka thënë: “Unë shumë preferoj të mbetëm pa dhëmbë, sesa diçka nga kjo botë të më bie në mendje, derisa jam në namaz!”
Sa jemi ne larg nga ata që në namazin e tyre nuk shtiren dhe e falin në mënyrë të rregullt!?
Sufjan Thevriu (r.h.) ka thënë se ka pasur njerëz, besimtarë të sinqertë, të cilët me rastin e hyrjes në xhami kanë ndryshuar dhe kanë harruar çdo gjë që është në këtë botë nga frika e Atij para të Cilit bien në sexhde dhe prej të Cilit kërkojnë falje.
A nuk është ky shembull i mjaftueshëm për neve?
A nuk na mjafton të mendojmë se para Kujt kemi dalë!
Ata njerëz kanë harruar dhe e kanë injoruar plotësisht dynjanë, sepse e kanë ditur se po dalin para Sundimtarit të gjithë sundimtarëve. E kanë ditur se po qëndrojnë para Atij i Cili me të vërtetë ka mundësi për çdo gjë dhe të gjitha do të jenë siç ka thënë Ai. Atij i mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet … ata këtë e kanë ditur dhe kanë qenë të vetëdijshëm, andaj nuk kishin pse të brengoseshin për dynjanë?
Abdulvehab el-Sharani shafiu nga Egjipti (r.h.) tregon: “Ali el-Havvas kur hynte në xhami, detyrimisht hynte me përulësi pas dikujt tjetër, nëse nuk ishte askush, duronte duke pritur të vjen dikush dhe pastaj hynte pas tij, duke hyrë si një kriminel që sillet para gjyqtarit.”
Seid ibn Musejjeb thotë: “Ai që ulet në xhami, le ta di se është musafir në shtëpinë e Zotit të vet, por do të vijë koha kur njerëzit në xhami do të ulen në rrethe dhe do të flasim për dynjanë dhe për gjërat e dynjasë.”
Çka do të thoshte Seidi sot për gjendjen e xhamive tona dhe për ata që janë në këto xhami?
Prandaj, vëllezër të dashur;
Kur të qëndrojmë në namazin tonë duhet të jemi të vetëdijshëm se po qëndrojmë para Allahut ashtu siç do të qëndrojmë para Tij në Ditën e Gjykimit. Ai na sheh dhe na dëgjon. Midis nesh dhe Zotit tonë nuk ka përkthyes as interpretues, le t’i drejtohemi Atij në mënyrën më të mirë që mundemi. Le ta lëmë dynjanë pas vetes kur të hyjmë në shtëpinë e Allahut. Le t’i fikim telefonat celularë dhe pajisjet tjera që mund të na pengojnë neve apo dikën tjetër. Mos t’i lejojmë vetës që edhe atë pak përkushtim në namaz ta shndërrojmë në lojë.
Një njeri kishte thënë se nuk e fik telefonin, sepse duhet ta ndjekë se kush e ka thirrë pasiqë është biznesmen. Subhanallah!
A kemi harruar se kush na ka dhënë nafakën? A do ta lësh pas dore Atë duke iu dhënë përparësi gjërave që Ai t’i ka dhuruar për tu kënaqur pak në dynja?!
Nafaka nuk vjen nga ndërmarrja apo kompania, nafakën na e ka përcaktuar Allahu dhe prej saj nuk mund të ikim! Prandaj, le t’i fikim “partnerët e biznesit” tonë për disa minuta dhe t’i përkushtohemi Zotit tonë i Cili na ka krijuar nga një pikë ‘uji’. Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi, i pëlqen kjo dikujt apo jo!
Në fund, ne përsëri do të jemi qelbësira me krimba, të cilët në botën tjetër me vete nuk do të mund të marrim as çorape të shqyera!
Ibn Abasi (r.a.) ka thënë: “Dy rekate me prani të zemrës në namaz, janë më mirë se një mijë të tjerë, në të cilët njeriu është me mungesë të mendimeve!”
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini